Albspirit

Media/News/Publishing

Vlahutin u njoftua në kohë për deklarimin, Komisioni konfirmoi dorëzimin në rregull të kërkesës

 

Një ditë më parë, Ambasadorja e BE në Tiranë, ju përgjigj interesit të Televizionit Klan në lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj nga institucioni kroat, që merret me parandalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë të administratës shtetërore kroate. Në thelbin e përgjigjes për akuzat e mosdeklarimit të plotë të të ardhurave dhe kredive të marra në kohën kur ishte Këshilltare e Presidentit të Kroacisë, Vlahutin thekson faktin e mos marrjes dijeni në kohën e duhur.
“Në Janar 2015, formulari i deklarimit për zyrtarët publik në Kroaci u ndryshua në një formular shumë më të detajuar në format elektronik. Për këtë arsye, Komisioni kishte dërguar një shkresë zyrtare me anë të së cilës kërkonte sqarime të mëtejshme për disa çështje, por këtë shkresë Ambasadorja Vlahutin nuk e kishte marrë, për arsye se ajo nuk ishte më banuese në Zagreb, pasi kishte lëvizur në Tiranë në Tetor 2014”.
Por sa qëndron kjo deklaratë e saj?
Në raportin për këtë çështje, në lidhje me procedurën e njoftimit, Komisionit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të Republikës së Kroacisë, për rastin e Vlahutin, thuhet se:
“Pas kontrollit të dokumenteve është vërtetuar se kërkesa është dorëzuar në rregull më datë 13 Shkurt 2015”.
Pra, sipas Komisionit Shtetëror të Parandalimit të konfliktit të interesit të Kroacisë, Vlahutin është njoftuar në mënyrë të rregullt për plotësimin e deklaratës së pasurisë. Ç’ka nënkupton se ajo edhe ka marrë njoftim.
Por sërish, Komisioni nuk ka marrë në kohën e duhur deklaratën e pasurisë të nënshkruar nga Vlahutin ç’ka e ka detyruar Komisionin të nisë procedurën kundër saj dhe të sanksionojë se Vlahutin ka shkelur ligjin, por duke mos marrë masa ndaj saj pasi procedura nuk e lejonte një gjë të tillë, pasi prej 12 muajsh nuk mbante më një detyrë shtetërore në Kroaci, pasi në fakt ushtronte detyrën e Ambasadores së BE në Shqipëri.
Por përveç faktit se zyrtarët të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, shprehen se njoftimi për Vlahutin është bërë në mënyrë të rregullt, në raportin e tij, ky Komision shprehet se gjithsesi legjislacioni kroat e ka të shprehur shumë qartë detyrimin për zyrtarët në rangun e Vlahutin detyrimin për dorëzimin e deklaratës së pasurisë.
“Në nenin 8 paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, përcaktohet se është detyrë e zyrtarit që bën afatin kohor brenda 30 ditëve, nga përfundimi i funksioneve zyrtare të dorëzojë në Komision informacionin mbi pasurinë. Ky informacion, në bazë të nenit 8 paragrafi 9 të Ligjit, bëhet në formularin e përcaktuar nga Komisioni”.
Pra, sipas këtij Komisioni gjithsesi edhe pse e sanksionuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit edhe pse e lajmëruar në mënyrë të rregullt nga ky Komision, Romana Vlahutin, ish-Këshilltare e Presidentit të Kroacisë, nuk e ka dorëzuar deklaratën e saj të pasurisë, ç’ka më pas solli dhe vendimin që sanksionon shkeljen e ligjit kroat nga Ambasadorja aktuale e BE -së në Tiranë. /tvklan.al/
Please follow and like us: