Albspirit

Media/News/Publishing

Këshilli Kombëtar i Sigurisë Rrugore, në 12 vjet është mbledhur vetëm 3 herë

Prej 12 vitesh ekziston Këshilli Kombëtar i Sigurisë Rrugore, por ai është mbledhur vetëm 3 herë. Kreu i Konfederatës së Sigurisë Rrugore shprehet për Top Channel se ky Këshill duhet të orientonte ministritë e linjës jo vetëm për politikat që duhen ndërmarrë në mënyrë që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe të mblidhet në situata të caktuara si të ditëve të fundit.
“Mund të jetë mbledhur thejshtë dhe vetëm 3 herë në mënyrë ceremoniale kur janë ndërruar kryeministrat, që nga Fatos Nano, Sali Berisha e deri tek Edi Rama dhe nuk është marrë me problemet thelbësore që ka. Kuptohet sekretariati duke mos qenë nën tutelën e këtij Këshilli të Sigurisë Rrugore, ka kryer me hope detyrat që i takojnë”, thotë Shkëlqim Zeqo, kryetar i Konfederatës së Sigurisë Rrugore.
Kreu i ekspertëve të pavarur rrugorë Prof. Dr. Zeqo mbështet idenë e ngritjes se një autoriteti të pavarur që do të kontrollonte veprimtarinë e institucioneve përkatëse për sigurinë rrugore.
“Ky model më së fundmi është aplikuar në Slloveni dhe Sllovenia ka përmirësuar në një masë shumë të konsiderueshme zvogëlimin e aksidenteve. Ky autoritet duhet të ketë të drejtën që të vendosë para përgjegjësisë të gjitha organizmat e tjerë. Fjala vjen, Autoriteti Kombëtar i Rrugëve, ndërton rrugën dhe nuk mund të jetë ai që vetë të nxjerrë përgjegjësitë se ç’të meta ka kjo rrugë“, thotë Zeqo.
Sipas ekspertëve të pavarur të konfederatës, pas 1990 në Shqipëri kanë humbur jetën në aksidentet automobilistike  rreth 8 mijë persona, ndërkohë që gati 12 mijë të tjerë janë dëmtuar, shumica e të cilëve kanë mbetur të gjymtuar.
Please follow and like us: