Albspirit

Media/News/Publishing

1932/Miss Tirana dhe Miss Albania e parë shqiptare. Në juri Lasgush Poradeci, Odhise Paskali

Të premten paradite në ora 10.30 paraqiten në sallonin e madh të kryeministrisë zonjushet kandidate për “Miss Tirana”. Shoqëria “Gruaja Shqiptare” po bën çdo përpjekje që Shqipëria të marrë pjesë në konkurset ndërkombëtare të bukurisë, duke zgjedhur një Miss Albania, që të përfaqësojë Shqipërinë.

 

Të premten ora 10.30, 1 prill, që është dita kushtuar Mbretëreshës së bukurisë (Prenkës), do të mbahet konkursi i parë i bukurisë në sallonin e madh të kryeministrisë, të cilin kryeministri Pandeli Evangjeli e vuri me gëzim në dispozicion të “Gruas Shqiptare”, për të zgjedhur “Zonjushën Tirana” midis grave më të bukura të kryeqytetit. Për të siguruar zgjedhjen e femrës më të bukur shqiptare Shoqëria “Gruaja Shqiptare” ka ftuar si ekspertë teknik zotërinjtë Qenan Mesareja – piktor i formave të bukura femërore, Odhise Paskali – skulptor i njohur nga vende të zhvilluara të femnisë, Lasgush Poradeci dhe Myqerem Janina – vjershëtorë e këngëtorë të sharmit më të stërhollë të femrës, si dhe dr. Qemal Nazif Jusufati – student i anatomisë njerëzore. Ata do të jenë gjyqtarë bashkë me zonjat antare të shoqërisë dhe sipas komunikatës, çdo femër, që do të paraqitet në sallonin e kryeministrisë, mund të jetë edhe kandidate për konkursin e Bukurisë, po të dojë. Meqenëse do të vijnë shumë njerëz, hyrja do të jetë me bileta të numëruara, ndonëse gratis, të cilat do të merren në zyrat e gazetave “Ora” dhe “Besa” si dhe nga libraritë “Lumo Skëndo” dhe “Argus”. Konkurset e bukurisë për krahinat do të bëhen në një kohë të afërt, që do t’i caktojë shoqëria “Gruaja Shqiptare”. (Edhe Shqipëria po merr pjesë, më në fund, në konkurset e bukurisë ndërkombëtare. Gazeta Ora, 1 prill 1932, faqe 6)./Faktor.al/

Please follow and like us: