Albspirit

Media/News/Publishing

Hafize ELSHANI: Politika sot

Të jesh politikan sot nuk është e vështirë. Mjafton të futesh në një parti dhe mundësia u krijua. Se a do të jesh politikan dhe a do te dish të bësh politikë, kjo ka pak rëndësi, sot për sot tek ne. Çështja tjetër është, se kur ti je përcaktuar në programe partiake, pikëpyetja është: a je vënë në ballë të interesave kombëtare e shtet-formuese, kur i kemi parasysh qëndrimet e partive të sotme?
Këtë e themi duke e pasur parsysh edhe qëndrimin e tyre karshi interesave të popullit, kur ato nëpërkëmben çdo ditë nga interesat e ngushta klanore, individuale, partiake etj. Nuk duam të thellohemi në këtë çështje, kur dihet pakënaqësia e popullit karshi politikës sot, por si do ta ndien intelektuali politikën sot? Kjo është çështja.
Të jesh intelektual sot dhe të gjendesh jashtë politikës apo partive, gati je i harruar nga shoqëria. Ndoshta kjo për faktin se tek ne gjithçka ka kaluar ë duar të politikës, siç po mendohet sot dhe se pas saj na u sillka bota.
Të jemi më të qartë; duke i shtuar edhe një mendim, se edhe ne si popull më duket se tepër jemi dhënë pas politikes apo jemi politizuar. Pjesërisht e arsyetoj këtë, kur dihet robëria e jonë e gjatë dhe fati i pa përcaktuar i të ardhmes sonë, por jo gjithçka sillet rreth politikës. Për këtë jam shumë e bindur se shumica e intelektualëve janë shumë të vetëdijshëm. Një pjesë e tyre është vënë në shërbim të saj, për hir të interesave të atdheut e kombit, një pjesë tjetër pse e ka lakmuar karrikën, një pjesë edhe është pasuruar në këtë angazhim. Le të mbetet kjo kompetencë e popullit për t’u vlerësuar.
Problemi ynë sillet rreth pikës së intelektualit të pa angazhuar në politikë. Ky është sot njëri prej fakteve më të dhimbshme sot për sot tek ne. Intelektuali i pa angazhuar nëpër grupacione politike, shihet si pjesë e harruar, e lënë pas dore shpesh edhe e përbuzur. Pozita e intelektualit në shoqërinë tonë sot, kur çdo pikë autoriteti ka kaluar në favor të politikës, është gati – gati e harruar.
Në skenën e këtij teatri janë ngjitur politikanët. Për “intelektualët nuk ka vend sepse auditori nuk ka kohë t’i dëgjoj ata”. Le të merret ky auditor me të parët, gjer sa të ngopet dhe një ditë do ta kuptojë se është tepruar gjithçka.
Në Zvicrën demokratike, shumica e popullsisë, nuk e dinë as kush është kryetar shteti, e lëre më kryetar partish apo të tjerë. Nuk ka fushata elektorale, nuk ka duartrokitje, humbje kohe pas fjalëve boshe etj. Ka vetëm punë dhe ecje përpara. Ka dhe intelektualë, të cilët respektohen në mesin e shoqërisë, siç ka edhe tek ne. Unë, s’dua t’i ndaj intelektualët nga politika, larg asaj. Por kujtoj se në politik nuk ka vend për të gjithë intelektualët. Ashtu siç nuk ka vend për secilin politikan që është futur në të.
Për intelektualin, koha e sotme e bollëkut të politikanëve, është mjerim. Kur bëhen fjalimet që trillojne kinse intelektuale, unë them me vete: E mjera, ti Kosovë! Atyre çasteve Prishtina më duket e zymtë. As diellin e Kosovës, atë ditë nuk e shohe se fjalimet e kopjuara , pa përgatitja e plan programeve janë katastrofale.
Ndryshe, pa harruar që rrugët tona si popull do të digjen edhe shumë gjatë lajkave dhe kthesave që po na i paraqesin politikanët gjysmakë, të të gjithë partive që janë në pozitë ose opozitë, pakicat dhe ata që janë futur si parti e drejtësisë në parlament e në fakt nuk ka asgjë nga asnjëra, kanë hyrë për interesa personale me bachelor apo shumica me tituj diploma të marrura-blera , janë aty sa për të figuruar të marrin një rrogë dhe të dalin në debate duke u shitur si analistë universalë duke harruar që janë politikanë karrieristë dhe amatorë.
Atdheu ka nevojë për politikanë e intelektualë, vlerat e të cilëve do të reflektonin perspektivë dhe ardhmëri të ndritshme. Por fatkeqësisht kjo politik është asgjë pos një politik që duhet nga #A deri në #ZH të ndryshohet, totalisht të gjithë janë të korruptuar, të gjithë dhe asnjë nuk është më i mirë.
Please follow and like us: