Albspirit

Media/News/Publishing

Gjendja e universiteteve në Turqi, “Epoka” mbështet deklaratat e lëshuara nga Observatori Magna Charta dhe EUA

Universiteti “Epoka” mbështet deklaratat e lëshuara nga Observatori Magna Charta dhe EUA mbi gjendjen në universitetet e Republikës së Turqisë.

Më 25 korrik 2016, Observatori Magna Charta, i cili mbikëqyr përputhshmërinë e universiteteve nënshkruese me parimet e mishëruara në Magna Charta Universitatum, lëshoi një deklaratë në të cilën shpreh shqetësimin e tij serioz në lidhje me pasojat e dëmshme që kanë pasur masat dhe veprimet e ndërmarra nga autoritetet turke pas përpjekjes për grusht shteti të datës 15 korrik, mbi funksionimin e universiteteve në Republikën e Turqisë (Për tekstin e plotë të deklaratës shihni: http://www.magna-charta.org/news/mco-statement-concerning-universities-in-turkey).

Magna Charta Universitatum është një dokument i nënshkruar më 18 shtator 1988 nga 388 rektorë dhe krerë të universiteteve nga e gjithë Europa dhe më gjerë në 900-vjetorin e Universitetit të Bolonjës. Deri më tani, ky dokument është nënshkruar nga 802 universitete të mirënjohura nga 85 vende të botës. Universiteti “Epoka” e ka nënshkruar Magna Charta Universitatum në vitin 2013. (Për një listë të plotë të institucioneve nënshkruese shihni: http://www.magna-charta.org/signatory-universities).

Ky dokument përmban parimet e lirisë akademike dhe autonomisë institucionale si udhërrëfyes për një qeverisje të mirë si dhe për të vetëkuptuarit e universiteteve në të ardhmen.

Liria akademike përbën themelin për një kërkim të pavarur drejt të vërtetës dhe një barrierë kundër ndërhyrjeve të paligjshme si nga qeveria, ashtu edhe nga grupet e interesit, ndërsa autonomia institucionale konsiderohet si një kusht i domosdoshëm për funksionimin efektiv dhe eficient të universiteteve moderne.

Si një nënshkrues i Magna Charta Universitatum, Universiteti “Epoka” është i përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të autonomisë institucionale dhe lirisë akademike. Për këtë arsye, Universiteti “Epoka” mbështet fuqimisht deklaratën e lëshuar nga Observatori Magna Charta.

Në të njëjtën kohë, si një anëtar i asociuar i Shoqatës Europiane të Universiteteve (EUA), Universiteti “Epoka” mbështet plotësisht deklaratën e EUA-s të datës 19 korrik 2016, e cila dënoi dorëheqjet e detyruara të të gjithë dekanëve të universiteve shtetërore dhe private turke. (Për tekstin e plotë të deklaratës shihni: http://www.eua.be/activities-services/news/newsitem/2016/07/19/eua-statement-condemning-the-forced-resignation-of-1577-university-deans).

Universiteti “Epoka” përfiton nga ky rast që të shprehë mbështetjen e tij të plotë si dhe solidaritetin me personelin akademik dhe studentët në universitetet e Republikës së Turqisë.

Teksti i plotë i deklaratave të lëshuara nga Observatori Magna Charta dhe EUA është si më poshtë:

Deklaratë e Observatorit Magna Charta në lidhje me universitetet në Turqi

Observatori Magna Charta e shikon me një shqetësim gjithnjë e në rritje trajtimin e universiteteve dhe personelit akademik turk nga Këshilli i Arsimit të Lartë pas grushtit të dështuar të shtetit të datës 15 korrik. Raportet e fundit flasin për dorëheqjet e detyruara të 1577 dekanëve të universiteteve, si dhe për pezullime dhe ndalime të udhëtimit jashtë vendit për shumë më tepër anëtarë të personelit akademik dhe studentë.

Në muajin janar, Observatori ishte një nga 20 organizatat ndërkombëtare të arsimit që i shkruan Presidentit turk, duke shprehur shqetësimet e tyre. Letra shprehu “shqetësimin e thellë rreth raporteve të fundit të trysnisë së përhapur mbi anëtarët e komunitetit turk të arsimit të lartë dhe kërkimit shkecor, duke përfshirë hetime, arrestime, marrje në pyetje, pezullime dhe përfundime të detyrës; qartazi në dhunim të parimeve të njohura ndërkombëtarisht të lirisë akademike si dhe të lirisë së shprehjes dhe tubimit, parime mbi të cilat varet arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor cilësor”. Masat e ndërmarra së fundmi nga autoritetet turke pas përpjekjes për grusht shteti të datës 15 korrik janë një sinjal i mosbesimit sistematik ndaj sektorit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kjo gjendje është duke dëmtuar seriozisht funksionimin e tij si dhe përfitimet që i sjell shoqërisë.

Observatori ekziston që të promovojë vlerat themelore të cilat i kanë mundësuar universiteteve në mbarë botën që të pasurojnë shoqëritë e tyre nëpër breza me rrallë. Në mënyrë të përmbledhur këto janë: universiteti duhet të jetë një institucion autonom, kërkimi shkencor dhe mësimdhënia duhet të jenë moralisht dhe intelektualisht të pavarura nga të gjitha autoritetet politike dhe fuqitë ekonomike; mësimdhënia dhe kërkimi shkencor duhet të jenë të pandashëm, si dhe duhet të ketë një sistem të hapur me liri për personelin dhe studentët, të shoqëruara me përgjegjësi kundrejt shoqërisë. 33 universitete në Turqi kanë nënshkruar Magna Charta Universitatum, dokument në të cilin vlerat e sipërpërmendura janë të shprehura. Për Observatorin përbën një shqetësim të thellë që këto universitete në veçanti dhe të gjitha universitetet në Turqi në përgjithësi aktualisht nuk kanë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me këto vlera.

Observatori u kërkon autoriteteve turke të kthejnë, garantojnë dhe të mbrojnë autonominë institucionale të universiteteve, si dhe lirinë akademike të personelit akademik dhe studentëve. Komunitetet e hapura dhe të pavarura akademike janë thelbësore për mirëqenien e një shoqërie demokratike, edhe në kohë krize. Kjo është pikërisht ajo çfarë universitetet tona partnere turke janë zotuar të promovojnë dhe të mbrojnë. Observatori gjithashtu u kërkon autoriteteve të kthejnë kushtet normale të punës për personelin akademik dhe studentët, duke përfshirë edhe bashkëpunimet ndërkombëtare, në mënyrë që universitetet t’i shërbejnë në mënyrë të plotë shoqërisë.

Observatori shpreh mbështetjen e tij për personelin akademik në Turqi. Observatori është duke shqyrtuar së bashku me institucionet e tjera ndërkombëtare të arsimit për mënyrat se si mund të asistojë sa më mirë në zgjidhjen e kësaj gjendjeje të rëndë, si dhe do të mbajë situatën nën vëzhgim.

Këshilli i Observatorit Magna Charta

Bolonjë

25 korrik 2016

Deklaratë e Shoqatës Europiane të Universiteteve (EUA), e cila dënon dorëheqjet e detyruara të 1577 dekanëve të universiteteve në Turqi

19 korrik 2016

Pas përpjekjes për grusht shteti të së premtes në Turqi, sektori i arsimit, duke përfshirë edhe sektorin e arsimit të lartë, kanë qenë në shënjestër, ashtu si edhe shumë sektorë të tjerë publikë.

15.200 anëtarë të personelit arsimor janë pezulluar, ndërsa gazeta turke Hürriyet njofton se Këshilli i Arsimit të Lartë (YÖK) ka urdhëruar dorëheqjen e të gjithë dekanëve si nga universitetet shtetërore, ashtu edhe ato private në Turqi; 1176 nga universitetet shtetërore dhe 401 nga universitetet private. EUA dënon fuqishëm dhe pa kushte këtë aksion kundër universiteteve dhe personelit universitar, si dhe shpreh mbështetjen e saj të përzemërt për komunitetin e arsimit të lartë në Turqi në këtë kohë.

Ndërsa ka pasur një mbështetje botërore dhe unanime për qeverinë e Turqisë të zgjedhur në mënyrë demokratike si reagim ndaj grushtit ushtarak, masat e ndërmarra deri më tani shkojnë në drejtim të gabuar. Turqia ka nevojë më shumë se kurrë për lirinë e fjalës si dhe debatin publik dhe të hapur, ashtu siç mbrohet nga sektori i saj fortë universitar, i angazhuar për vlerat universitare të njohura ndërkombëtarisht, parimet e lirisë akademike, lirisë së shprehjes dhe tubimit.

EUA i bën thirrje të gjitha qeverive, universiteteve dhe studiuesve europianë për të t’u shprehur kundër këtyre zhvillimeve si dhe për të mbështetur demokracinë në Turqi, duke përfshirë autonominë institucionale dhe lirinë akademike për akademikët dhe studentët.

 

Please follow and like us: