Albspirit

Media/News/Publishing

Të famshmit që nuk mbaruan dot shkollën

 

 

 

Robert De Niro

Fansat e Vito Korleones mbase nuk e dinë që aktori i dashur nuk arriti ta përfundonte shkollën e mesme. Ai ndryshoi disa herë shkollën që para se të arrinte tek e mesmja dhe parapëlqente te rrinte me një grup fëmijësh rruge ne Italinë e Vogël, lagje e Manhatanit.  S’kishte mbushur akoma 17 vjeç kur u largua nga bankat e gjimnazit. Fituesi i disa çmimeve “Oscar”, gjithsesi gjatë rrugës së artit e pa të arsyeshme t’u kthehej sërish studimeve. Ai mori leksione aktrimi në Li Strasbergs Studio dhe në Konservatorin Stela Adler.

Jay-Z (Shawn Carter)

Jay-Z mund të ketë “99 probleme”, por mungesa e një diplome të shkollës së mesme nuk është njëri nga to. Këngëtari i njohur, ishte një nga ata djemtë problematikë në shkollë, që vinte nga lagjet e Bruklinit dhe kishte probleme me drogën para se të gjente rrugën e tij të jetës në hip-hop. Tashmë një superstar, Jay-Z ka një pasuri prej miliona dollarësh.

Billy Joel

Billi Xhoel e mori diplomën e shkollës së mesme 25 vjet pasi e kishte mbaruar atë. Kjo sepse shkolla vendosi t’ia bënte dhuratë meqë ishte një nxënës i famshëm. Megjithatë, ka mbetur në histori deklarata e tij e famshme pasi mësoi se nuk arrinte kreditet për të marrë dëftesën e pjekurisë: “Nëse nuk shkoj tek Universiteti Kolumbia, do shkoj tek Kolumbia Rekords dhe atje s’është e nevojshme diploma e shkollës së mesme”. Fitues 6 herë i cmimeve “Grammy”, ai ka shitur më shumë se 150 milion cd në botë.

Catherine Zeta-Jones

Katherin Zeta Xhons, vajza e rrobaqepëses dhe një fermeri e la gjimnazin në moshën 15-vjeçare. Ajo renditet vazhdimisht tek lista e multimilionerëve që nuk kanë një diplomë të shkollës së mesme. Arsyeja është e thjeshtë. Që në atë moshë, ajo e kishte kuptuar se rruga e saj e jetës ishte aktrimi.

Ben Affleck

Ndërkohë ka njerëz të shquar që janë dorëzuar pak më vonë në fakultet. Përshembull, aktori dhe skenaristi i filmave, Ben Afleck hoqi dorë nga universiteti i Vermontit, pasi bëri semestrin e parë. Më pas, braktisi kolegjin për të ndjekur ëndrrën e tij, aktrimin.

Ellen DeGeneres

E ka deklaruar pa pikë ndrojtjeje.  Nuk ka ndjekur asnjë shkollë të lartë. Një nga moderueset më të famshme, më argëtuese dhe të vleresuara  të talk shoë-ve, Elen De Xheneris, e la për gjysmë universitetin e Nju Orlinsit, pasi mendonte se ishte kohe e çuar dëm.

 

Bill Gates, Mark Zuckerberg dhe Steve Jobs

Tre  njerëzit më të famshëm të teknologjisë janë futur në histori edhe për këtë. Ata s’kanë diploma, por janë njerëzit që kanë një ndikim të pamohueshëm në jetën e qindra miliona njerëzve. Bashkëthemeluesi dhe kreu i “Microsoft”-it, Bill Gates braktisi Harvardin. Po kështu edhe Mark Zukerberg, bashkëthemeluesi dhe drejtuesi i “Facebook”. I ndjeri, Stiv Jobs, bashkëthemeluesi i “Apple”, rezistoi në universitet vetëm gjashtë muaj.

Please follow and like us: