Albspirit

Media/News/Publishing

DOSJA E SIGURIMIT TË SHTETIT: ZGJEDHJET E PARA, TRAKTI QË BËNTE THIRRJE PËR BOJKOTIN E ZGJEDHJEVE

Tirane 4 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te Deputeteve.Foto:AtshOpozita e parë shqiptare, Bashkimi Demokratik, për herë të parë në një botim të plotë të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “Bashkimi demokratik shqiptar 1946”, me akte gjyqësore politike, gjatë komunizmit në Shqipëri, dosjerë dhe dëshmi të përgatitur nga Leka Ndoja. Më poshtë, botojmë një pjesë që lidhet me traktin, ku ky grupim iu bënte thirrje shqiptarëve për të bojkotuar zgjedhjet e ‘45-s, duke iu shpjeguar ç’ishte ky regjim, dhe atë çfarë më pas do të ndodhteNisja e regjimit komunist në Shqipëri, pas veprimeve të para përmes urdhëresave dhe operacioneve ushtarake të kundërshtuara nga grupi i nacionalistëve, hyri në një proces formal pas organizimit të Gjykatave vendore dhe këshillave apo komiteteve Ekzekutive NÇ.

Me miratimin e ligjeve të reja, atë të Sekuestrove dhe atë të Tatimit të jashtëzakonshëm përveç nacionalistëve u vu në shënjestër të grabitjes prona e të ashtuquajturve “Armiq” dhe “të arratisur politikë”…

Me këto vendime nuk u pajtuan jo vetëm nga mjaft personalitete të politikës, por sidomos tregtarët e manifaktorët pasi nisën shtetëzimet e sipërmarrjeve, sipas modelit jugosllav, model i cili fillimisht u bë prezent në shtypin e kohës, madje u zhvilluan dhe konferenca të veçanta për propagandimin e këtij modeli “të nacionalizmit” të sipërmarrjeve që më pas u quajt “shtetëzim”.

Këto vendime hasën mosmarrëveshje politike edhe brenda “Frontit”, ndërsa nisën të kundërshtohen nga grupimet e reja politike. Këto grupime, nisur nga modeli perëndimor i organizimit të institucioneve të shtetit, shfrytëzuan miratimin e ligjit për “organizimin dhe themelimin e organizatave dhe shoqërive të ndryshme”, të vitit 1945.

Pasojat e themelimit dhe të regjistrimit të këtyre grupimeve si subjekte, janë vlerësuar se do të ishin të papritura dhe vendimtare për fatin e vendit.

Njohja e Qeverisë shqiptare iu komunikua Enver Hoxhës nga përfaqësitë aleate anglo-amerikane në Tiranë më 10 nëntor 1945, gazeta Bashkimi, 17 nëntor 1945. Kështu, në klimën parazgjedhore të vitit 1945 (2 dhjetor) dhe të pritjes së njohjes së qeverisë shqiptare, në muajin prill, nën rekomandimin e anglezeve, të cilët për njohjen e qeverisë kishin vënë një kusht, atë të zhvillimit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri, nisi veprimtarinë një grupacion i ri politik, i përbërë nga element të pakompromentuar me pushtuesin gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç ishte udhëzimi i aleatëve.

Ndër iniciatorët e këtij grupimi ishin intelektualët e afërt me misionin anglez si Kiço Xhonga, Avdulla Muça, Shaban Balla, Niko Beço, Hivzi Golja, Llazi Posti, të cilët u vunë në lidhje me koordinatorin e grupit të rezistencës, Sami Çeribashi, me elementë të përjashtuar nga Fronti, si ish-ministrin e arsimit Gjergj Kokoshi dhe grupin social-demokrat të përfaqësuar nga Musinë Kokalari, gjithashtu ata përfshinë në Komitetin iniciator të krijuar në pranverë të vitit 1945 edhe Qenan Dibrën, eksponent i njohur i Partisë së Legalitetit por edhe si intelektual dhe si jurist i njohur që kishte kryer Fakultetin e Drejtësisë, në Paris.

Vendimi i bashkimit të grupeve politike në Organizatën Bashkimi Demokratik para zgjedhjeve të 2 dhjetorit arriti të prodhonte një lëvizje politike që u njoh ndërkombëtarisht përmes notës drejtuar Aleatëve, duke i dhënë formë konceptit të sistemit politik demokratik në Shqipëri, të vendosur përmes zgjedhjeve demokratike të monitoruar nga Aleatët.

…Asambleja Kushtetuese me miratimin e ligjit “Mbi formimin e partive politike, shoqatave kulturore profesionale” dhe “mbi mbledhjen politike” i dha shtysën ligjore bashkimit të tri grupimeve politike opozitare, të Rezistencës, të Monarkisë, dhe ai Social Demokrat në organizatën “Bashkimi Demokratik”, e cila mori formë në nëntor 1945.

Por goditja ndaj këtij grupimi ishte pika vendimtare rreth përcaktimit të formës së regjimit diktatorial, që do të sundonte për 50 vjet në Shqipëri. Ashtu siç është dokumentuar, kjo lëvizje u vu nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, duke përgatitur goditjen ndaj opozitës legale për të vendosur regjimin diktatorial dhe ndarjen e qeverisë shqiptare nga demokracia perëndimore.

Kështu, në janar 1946 nisën arrestimet e para, duke shkuar në 37 numri i të dënuarve, që ishin rreshtuar në Bashkimin Demokratik.

Me këtë ngjarje, qeveria e Hoxhës ndërpret marrëdhëniet me aleatët anglo-amerikanë, dhe do të niste përndjekja. Mbi 37 të dënuar u sollën dëshmitarë të rekrutuar, u manipuluan faktet në gjyq, të inskenuar nga Sigurimi i Shtetit, duke e quajtur këtë grupim se ishte i lidhur e i financuar nga “kriminelët e luftës”, dhe konsideruar si kundërshtarë politike të qeverisë.

Në proces u përfshinë 75 persona, ku nëntë prej tyre morën dënime kapitale, dhe 24 të tjerë u dënuan me burgime të gjata. Të 37 të dënuarve iu shty masa e sekuestrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme.

Kjo histori vjen për herë të parë në një botim të plotë të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “Bashkimi demokratik shqiptar 1946”, me akte gjyqësore politike, gjatë komunizmit në Shqipëri, dosjerë dhe dëshmi të përgatitur nga Leka Ndoja.

Më poshtë, botojmë një pjesë që lidhet me traktin, ku ky grupim iu bënte thirrje shqiptarëve për të bojkotuar zgjedhjet e ‘45-s, duke iu shpjeguar ç’ishte ky regjim, dhe atë çfarë më pas do të ndodhte.

***

Procesi hetimor ndaj anëtarëve të organizatës opozitare Bashkimi Demokratik është zhvilluar nga Seksioni i Mbrojtjes së Popullit (Sigurimi i shtetit) përveç dokumenteve të prodhuara nga ky proces, ky seksion ka zhvilluar një operacion të veçantë përgjimi të subjekteve të Organizatës, duke filluar me Sami Çeribashin etj..

Mjaft dokumente të siguruara në rrugë operative kanë shërbyer si pikënisje për mbledhjen e provave fillimisht dhe përpunimin e një strategjie agjenturore për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të organizatës Bashkimi Demokratik. Disa dokumente sekrete të organizatës si trakte dhe letërkëmbime kanë rënë në dorë të Sigurimit, në çantën e arrestimit të anëtarëve të opozitës.

Trakte, Bashkimi Demokratik.

Trakti pa datë është një kopje në daktilografim, pjesë e dosjes hetimore e organizatës Bashkimi Demokratik. Përmbajtja e traktit, është një thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.

Shqiptar për (nuk këndohet) […AMPB, F.1 Hetimor-Gjyqsor, d.1081, fl.227]

Koha e zgjedhjeve afroi kur kombi i jonë do të hyjë fell ndën kthetrat e Komunistave.

Popull Shqiptar: Krenët e sotshëm tradhëtuan gjakun e dëshmorëve harron sakrificat e bame prej teje, shkelën idealin për të cilin u ba lufta, sot nderme po sundon diktatura e hekurt e nji klike që ngrohu kolltuqet në Tiranë mbi njeriun t’and dhe harroi vendimin që është.

Popull Shqiptar: A nuk shef me syt e tuej dallaverat e ndryshme që po luhen mbi kurrizin t’and të këputun dhe mizoriet e shumëta që të kanë kapllue ndën maskën e kësaj demokracie të ndytë?

Popull shqiptar: Ku e ke sot nderin t’and, gjanë ma të shtrejtë dhe ma të vlefshëm për të cilën dikur ishte kryelart?

Ushtar: E bijtë e vendit, pasardhësit e Skënder –beut, të Naimit, të Vretos, të Vaso Pashës, lufta juaj pesë vjeçare për Shqipëri demokratike u shkel. Shokët t’uej të malit ato që fliteshin dhe shajshin burokracinë e teprueme, luksin, shpenzimet të të bamë në kurriz të popullit, sot që zunë kolltuqet ju harruan, juve gjakun t’uej e vaditët çdo anë të Shqipërisë.

Ndërsa parja derdhet kot ndër qejfe dhe vallzime ndërsa pallatet ku mbretnon lluksi dhe rehatija kalohen në gëzime, populli i djegun, katundar pa shtëpi e votër, fëmija pa bukë, juve ju kanë strukun ndër gazerma me nji copë bukë të thatë.

Ku është drejtësia, ku shtë fjala e dhanun, ku është miqësija më Aleatët e Mëdhej.

Po bahen konferenca, mbledhje ku ato goditën.

Mbahen fjalime se neve do të luftojmë kundra Anglo-amerikanëve. Ato që tradhëtuen së pari popullin, së dyti duen me tradhëtue miqtë e Kombit t’onëm flamurtarët e Demokracive të vërteta. Ku është Kosova shqiptare? Kosova e Bajram Currit? Apo ju shit Titos, dhe burrat e dheut u masakruan dhe sot prej frike e tmerri po jetojn ndër male, luftojnë për liri. Karta e Atllantikut u shkel.

Koha e zgjedhjeve afroi. Sabotoni. Bëni Apozita. Mos votoni ku për njerëzit e frontit të ekzistencës e Shqipërisë është në rrezik, sit ha radio Londrës.

Ushtarë: Sot që populli vuen prej urije, sot që ndihmat arrijnë e nuk shpërndahen, sot që burgjet që përveç fjatorëve janë mbushë dhe me të pafajshëm.

Sot më shumë se kurrë

Asnji për votime

Asnji për Qeveri Komuniste

Asnji kundra Atdheut

Të gjithë për Liri fjale, mendimi opozitë. Për Demokraci.

Vllazën shqiptar: Sado që të thonë komunistat se qeverija u njoftë, kjo në pikëpamje politike të tyre nuk luen asnjë rol, mbasi kjo njoftje nga Aleatët t’onë është bamë me qëllim se njifet Shqipërija dhe jo Regjimi e me këtë rast është njoftë administrate Provizore, kjo gja asapak nuk na dëshpëron por na gëzon se njifet para botës Atdheu ynë, se ndryshe coptohet prej grekëve dhe serbëve. Mos tuteni aspak kundrejt pallavrave të tyre pse nuk munden me detyrue popullin me votue për këta.

Sot Nacionalizmi është më të naltë dhe është përforcue ma shumë se kurrë, pse bota është me ne dhe jo me rebelat.

Trakti i mëposhtëm është shtypur dhe shpërndarë më 2 dhjetor 1945, ditën e zgjedhjeve caktuar nga Qeveria e Përkohshme. Ky tekst trakti i atribuar në gjyq Hasan Kalasë, në daktiloshkrim është arkivuar në dosjen hetimore të Talat Drinit (AMPB, F.1. Hetimor-Gjyqsor, D.1081 fl.263. )

 

Vllazën shqiptarë 28 nandur 1945

Sot në këtë ditë të shejtë ka ardh koha që të gjithë të bashkohemi dhe t’ja heqim maskën armiqve të kombit, që na kanë pushtue vatrat t’ona, dhe po na çojnë në greminë.
partia komuniste që sot është në fuqi me terror siç e dini të gjithë nuk është gjë tjetër përveç se një vegël e verbër e Imperializmit sllav. Këjo parti që mbretënon sot në Shqipni, sikundër e shiti Kosovën, ka me ja dorëzue Titos shumë shpejt edhe krejt Shqipnin.

Na përket ne popullit dhe patriotëve të vërtetë që e dashurojnë këtë vend me sinqeritet të duhur, që t’a shpëtojmë atdheun nga këjo fatkeqësi e madhe që ka qenë sot.

Më qenë se këtu po trumbetohet se gjoja ka shumë kohë se ka liri fjale dhe propagande, ju njoftojmë që të gjithë së bashku të drejtohemi në misionet Aleate dhe të kërkojmë prej tyre ndërhyrjen për shtymjen e zgjedhjeve, për me i tregue botës mbarë se këtu ka një Opozit të fortë që është në gjëndje të përmbledhë rreth saj shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, dhe ka formue për këtë qëllim Koalicionin e partive me tendenca Demokratike (Partia monarkiste, socialiste, demokrate dhe ajo e Rezistencës).

Please follow and like us: