Albspirit

Media/News/Publishing

Enver-Tito: Polemika e egër në gazetat “Pravda” E “Borba”

hoxha-titoKongresi i 2-të i PPSH rishqyrton mosmarrëveshjet parimore me partinë komuniste jugosllave. Enveri normalizon marrëdhëniet me Titon duke nisur nje fushtaë të re propagandiste e PPSH për udhëheqësin jugoslllav, por që shumë shpejt përfundoi në një armiqësi e shfaqur edhe në shtypin e kohës. Si shihej politikisht dhe ekonomikisht Jugosllavia kundrejt Shqipërisë? Pse e shfrytëzuan sovjetikët PPSH-në?Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

***

Nina Smirnova

Dokumentet e kongresit u hartuan në frymën e përligjjes së plotë të kritikës së PPSH-së si dhe me ato të viteve të mëpasme. U vlerësua lart lufta heroike e përbashkët e popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore si dhe bashkëpunimi për ndërtimin e socializmit. U theksua se mosmarrëveshjet parimore, që lindën në marrëdhëniet midis partive komuniste të të dy vendeve, mund të ishin tejkaluar me rrugë normale. Por, kjo nuk ndodhi, sepse, si pasojë e provokacioneve të agjentit të poshtër të imperializmit, Beria, PKSH-ja dhe të gjitha partitë e tjera komuniste e punëtore, ishin mashtruar, kështu që disa probleme qenë përzier së bashku, në veçanti në “çështjen” Koçi Xoxe. Dënimi i Xoxes dhe i bashkëpunëtorëve të tij, u pranua si i drejtë, sepse “i dha fund njërit prej fraksioneve më të rrezikshëm, i cili synonte përçarjen e unitetit të partisë dhe asgjësimin e saj”. Në rezolutën e kongresit thuhej se në të gjithë veprimtarinë e saj për drejtimin ekonomik e politik të vendit, PPSH-ja kishte synuar përvetësimin e mëtejshëm e më të thellë të përvojës së PKBS-së dhe kishte edukuar masat me frymën e besnikërisë dhe miqësisë së përjetshme me Bashkimin Sovjetik.

Hapat për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave u ndërmorën nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shembullit dhe nismës së qeverisë sovjetike. Por ky proces në shumë gjëra kishte karakter thjesht formal. Deklaratat zyrtare nuk përputheshin me psikologjinë e masave popullore të krijuara nga propoganda shumëvjeçare. Nga muret e ndërtesave u hoqën pllakatat karikatura, në të cilat Titoja dhe shefi i tij i shërbimeve sekrete, Rankoviçi, paraqiteshin me sëpata të lyera me gjakun e shqiptarëve të Kosovës e të Maqedonisë. Ndërkaq, folklori vazhdonte të krijonte këngë e balada për “tradhtarin Tito”. Nuk duhet harruar gjithashtu armiqësia vetjake që lindi pas vitit 1948, midis udhëheqësve të të dy vendeve, të cilët dinin shumë dhe mendonin shumë keq për njëri-tjetrin.

Politikisht dhe ekonomikisht, Jugosllavia shihej si antipodi i Shqipërisë. Prandaj, puna ideologjike e PPSH-së ngrihej mbi kritikën e ashpër ndaj udhëheqjes së Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë, të cilën problemi i Kosovës e bënte akoma dhe më të ashpër. Sipas kritikës së kohës, kthesat rrënjësore në marrëdhëniet midis shteteve përjashtoheshin: por skema e zakonshme u prish, ndërsa një e re nuk u arrit (madje as nuk deshën) që të ndërtohej.

Në Moskë, ku njerëzit kishin filluar të mësoheshin me vendimet e befta të udhëheqjes së tyre, kjo do të bënte që populli të tallej pa të keq: “I dashur shoku Tito, për ne je mik e vëlla, sepse siç na tha dje Nikita, ti nuk ke më asnjë faj”. Ndërsa në Shqipëri, ky lloj humori nuk shkonte. Prandaj, kur në maj të vitit 1955, dy ditë përpara se N.Hrushovi të shkonte në Jugosllavi, PPSH mori letrën e udhëheqjes sovjetike, me kërkesën për të dhënë miratimin për denoncimin e rezolutës së nëntorit të vitit 1949 të Informbyrosë dhe rishikimin e rezolutës së vitit 1948, KQ i PPSH-së, në përgjigjen e 25 majit, shprehte mospëlqimin e vet për këtë vendim të njëanshëm.

“Ne mendojmë, thuhej në letër, se ka një ndryshim të madh midis përmbajtjes së letrës tuaj të 23 majit të vitit 1955 dhe thelbit të qëndrimit, që kemi mbajtur së bashku deri tani ndaj Jugosllavisë”. Më tej, pas disa vërejtjesh konkrete letra vazhdonte, “një vendim i tillë i nxituar (dhe i pamenduar mirë) për një çështje parimore kaq të rëndësishme, pa një analizë të thellë paraprake me të gjithë partitë, që janë të interesuara për këtë çështje dhe aq më tepër, publikimi i saj në shtyp dhe paraqitja në bisedimet e Beogradit, jo vetëm do të ishte e përkohshme, por dhe do t’i sillte një dëm serioz vijës së përgjithshme”. Qëndrimi i Titos për ngjarjet e vitit 1955 në Hungari, përshëndetja e rrëzimit të Rakoshit dhe e ardhjes në pushtet të Imre Nagit, i forcoi akoma më tepër pikëpamjet e mëparshme të udhëheqjes së PPSH-së për karakterin dhe politikën e regjimit jugosllav. Ndërsa, qeveria sovjetike, për të kritikuar Jugosllavinë, shfrytëzoi PPSH-në. Kështu, më 8 nëntor të vitit 1956, doli në “Pravda” artikulli i E.Hoxhës, me rastin e 15-vjetorit të krijimit të PPSH-së. Ai kritikonte Titon, pa përmendur emrin e tij. Një ditë më pas, gazeta jugosllave “Borba” botoi një përgjigje të ashpër, ndërsa më 11 nëntor, në Pulja, Titoja mbajti një fjalim, me anë të të cilit sulmonte vetjakisht udhëheqësin shqiptar. Kështu, pas pak më tepër nga një vit, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u acaruan sërish dhe rifilloi polemika e ashpër për problemet ideologjike.

Doli përsëri në skenë teza e rrethimit kapitalisto-revizionist të Shqipërisë me të gjitha pasojat që vinin prej tij. Më 23 nëntor të vitit 1956, “Zëri i Popullit” njoftoi për gjyqin që po zhvillohej kundër Liri Gegës, burrit të saj, Dali Ndreut dhe kolonelit Petro Bullati, të cilët u dënuan me vdekje “për spiunazh në favor të një shteti të huaj”.

Please follow and like us: