Albspirit

Media/News/Publishing

Pakistan: Arriti në 53 numri i personave të vrarë

Së paku 53 vetë janë vrarë nga sulmi vetëvrasës në hyrjen kryesore të një spitali në qytetin Kueta, në pjesën jugperëndimore të Pakistanit.

Zyrtarët thanë se nga sulmi i sotëm janë plagosur më se 100 të tjerë dhe shumica prej tyre janë në gjendje kritike shëndetësore.

Sipas tyre, sulmi kishte ndodhur pak kohë pasi trupi i një avokati të njohur të vrarë ishte sjellë në spital.

Ministri provincial i brendshëm, Sarfraz Bugti, e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar si “akt të terrorizmit”.

Askush nuk e ka marrë menjëherë përgjegjësinë për këtë sulm kundër spitalit.

Autoritetet në provincën Baloçistan thanë se po zhvillohen hetime.

Po ashtu, ende mbetet e panjohur se kush kishte dorë në vrasjen e avokatit, Bilal Kasi, i cili u qëllua sot më herët, me të shtëna nga arma, derisa shkonte në gjykatë.

Stacionet lokale televizive kanë transmetuar pamje ku shihen njerëzit duke vrapuar në rrëmujë nëpër oborrin e spitalit.

Policia tha se pjesa më e madhe e të vrarëve ishin avokatë, që ishin tubuar pasi trupi i kolegut të vrarë Kasi ishte sjellur në spital.

Asociacioni i avokatëve ka shpallur 7 ditë zie dhe një ditë të bojkotit në gjykatat në gjithë Pakistanin, në shenjë të protestës kundër vrasjeve.

Please follow and like us: