Albspirit

Media/News/Publishing

RRUGËT E VDEKJES

32 AksidentetAksidentet rrugore që po shkaktojnë  tragjedi kombëtare. Statistikat e aksidenteve japin shifrën tronditëse ku në 23 vitet e fundit kanë vdekur 7473 persona, bilance lufte në kohë paqeje. Flet eksperti Artur Sulçe mbi shkaqet e aksidenteve dhe përgjegjësitë e institucioneve. Alarmi kombëtar për jetët e humbura dhe tragjeditë rrugore që nuk po ndalen.  Nga Sebi Alla

Më datë 14 të këtij muaji, Besmiri kishte dasmë. Atë të dielë e pati planifikuar me plot surpriza, do shpallte edhe fejesën e mikut italian Xhorxho me kushërirën e tij Artemisën. Dy gëzime në një natë. Ngjarje e shënuar, por familjet e Besmir Kolës, Artemisa Perajt, bashkë më dy italianët Xhorxho Anxhelo dhe Giovanni Sanguedolce, do të kujtojnë të dielën e ardhshme si 12 ditët e vdekjes së katër të rinjve. Aksidenti ua ktheu dasmën e gëzimin në kohë morti. Ndërsa në Lezhë të afërmit e viktimave mundoheshin të pranonin ngjarjen e hidhur, nëna e italianit Xhorxho Angelo telefonoi në hotel “Valz” në Velipojë, aty ku i biri kishte stampuar foton e fundit dhe hedhur në Facebook. Pronari u mundua ta fshihte disi, ku fjalët për të dhënë lajmin e hidhur nuk i vinin, duke i thënë se ende asgjë nuk dihet dhe se aksidenti vërtetë ka ndodhur, por nuk janë identifikuar viktimat, ndërsa mund të ishin edhe dy italianët. Mjaftoi ky pohim që nëna e 24-vjeçarit Angelo ta kuptonte se i biri nuk jetonte më. Dha frymën e fundit bashkë me tre të rinj të tjerë në kanalin e Vilunit në Velipojë, pasi automjeti me të cilët kryen udhëtimin e fundit, doli nga rruga skandaloze dhe përfundoi në ujë. Kjo është vetëm njëra nga tragjeditë e fundit që vijnë për shkak të aksidenteve të rënda rrugore. Drama të ngjashme gjenden në mijëra familje shqiptare, ku lapidarë të vegjël e tufa lulesh në anë të rrugëve, nuk janë gjë tjetër veçse lajmëset e jetëve të humbura, rishtas e ndër vite. “Një situatë emergjente, gati në kufijtë e shpalljes së një gjendje të pazakontë, përsa i përket aksidenteve rrugore”-e quan eksperti i qarkullimit rrugor, inxhinier Artus Sulçe. Në regjistrat e institucioneve mund të jenë vetëm disa statistika, shifra, emra, ngjarje, por në të thelb mbesin tragjedi, jetë të humbura dhe pasoja sociale, psikologjike dhe ekonomike. Nga viti 1992, (kohë kur nisën të futeshin makinat e para private pas rënies së regjimit komunist) dhe deri në vitin 2015, janë regjistruar 7473 të vdekur, mijëra të tjerë të plagosur rëndë e gjymtuar. Të dhënat, të denja për bilancet e një lufte të pashpallur, mund të shtohen edhe më shumë, pavarësisht seminareve pafund dhe mburrjeve se në vitin 2020 do përgjysmohet numri i viktimave, krahasuar me të tashmen. Në 23 vjet kjo shifër duhet të trembë, pasi tregon sa të pasigurt jemi kur lëvizim në rrugë, ecim në trotuar, kalojmë një kryqëzim, apo planifikojmë një udhëtim. Ikim, e nuk dimë në kthehemi. Përveç problemeve të mëdha të infrastrukturës rrugore, shtohet edhe përgjegjshmëria individuale e drejtuesve të automjeteve që për të shtuar adrenalinën e munguar, ecin me shpejtësi të madhe. Ndërsa të tjerë edhe pasi kanë kthyer disa gota alkool ngjishen pas timonit, duke e kthyer automjetin në një “armë” të frikshme vrastare. Eksperti Sulçe vë theksin se aksidentet rrugore kanë ndodhur e do të ndodhin, por është në duart e institucioneve shtetërore dhe të vetë qytetarëve që t’i minimizojnë ato. Një nga pikat kryesore mbetet siguria në rrugë, ku infrastruktura nuk duhet të mungojë, si për nga cilësia, ashtu edhe vendosja e sinjalistikës së nevojshme. “Duhet kuptuar që siguria në rrugë nuk është kosto, por investim i shkëlqyer. Ka një kompleks shkaqesh për aksidentet, por si më kryesore do përcaktoja mos koordinimin dhe jo efikasitetin e dy institucioneve, si Enti i Rrugëve dhe Policia”-shprehet Sulçe për gazetën “Mapo”. Problemi i parë nis që në momentin e pajisjes me leje drejtimi, aty ku në pak ditë kurs, mund të marrësh një patentë, të blerë a fituar me zotësi. Pika tjetër është kur automjeti që drejton shpesh ka probleme teknike të rënda, por e kalon kontrollin me “shpejtësi skëterrë”, pasi ke lënë qoftë edhe një 20 mijë lekësh të vjetra në kroskot, që përfundon në xhepin e kontrollorit. Nuk kanë kaluar as katër ditë ku në Shkodër në afërsi të pikës së kontrollit auto- teknik u arrestuan dy persona, që dyshohet se ishin ndërmjetës ku për 1500-2000 lekë futeshe pa radhë në kontroll dhe e sigurtë ishte që u pajisje edhe me mandatin e kolaudimit. Sekserët u arrestuan, ndërsa gjashtë të dyshuarit si bashkëpunëtorë, punonjës të pikës së kontrollit auto-teknik, po hetohen në gjendje të lirë.

Rrugët pa krye

Investime janë bërë, miliona euro duhet të kishin dhënë një tjetër pamje rrugëve tona, por nëse shkel mbi ta, shpejt kuptohet që ka mangësi të theksuara. Për sytë e ekspertëve kjo është më e dukshme kryesisht në mungesën e sinjalistikës së nevojshme, apo edhe gabime në vendosjen e tabelave informuese. “Në disa akse ka probleme në vendosjen e sinjalistikës, ku shpesh mbivendosen dhe qëndrojnë për gjatë tabela të sinjalistikës së përkohshme (për zonat në punim), ose në zonat që kanë përfunduar, i vendosin te dyja sinjalistikat të tashme dhe të kaluar”-shprehet Sulçe. Dhe në ato akse ku insfrastruktura rrugore konsiderohet relativisht e mirë, ka ndërhyrje krejt të pastudiuara dhe shpesh janë shkak i asksidenteve me pasoja të rënda. Në rrugët interurbane me dy kalime, një restorant apo bar, nuk e ka problem të çajë barrierat mbrojtëse për të pasur akses. Një fshat, apo shtëpi buzë rruge “fut hundët” në aksin kryesor, duke kërkuar daljen e shpejtë, por në shumë raste bëhen rrezik për aksidente fatale. Ndërhyrjet në rrugët nacionale dhe mungesa e sinjalistikës së nevojshme janë përgjegjësi direkte e Entit të Rrugëve. Këtu përfshihet Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Rrugor Rajonal dhe Drejtoria e Transportit Rrugor. Të tria institucionet janë “pronare” në letra të akseve nacionale e lokale, por nëse merren dy aksidentet e fundit me pasoja të rënda, pak larg me javë nga njëra-tjetra, tregon se këto institucione mbajnë përgjegjësi për vdekjet e ndodhura. Dy fëmijë të mitur, motër e vëlla 3 dhe pesë vjeç do ishin në jetë sot nëse autoriteti rrugor do kishte bërë punën që i takonte, ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Është fjala për ngjarjen fatale të ndodhur në maj të këtij viti në Qerret të Kavajës, ku makina me të cilën udhëtonte nëna e re 24-vjeçare me tre fëmijët e mitur u përplas në trafik ndarësen, e cila ishte shqyer nga një pikë karburanti dhe nuk u mbyll kurrë, deri kur jetën e dy të miturve u shuan.

Policia rend pas gjobave

Periudha e verës, veçanërisht muajt Korrik-Gusht kanë një rritje të numrit të aksidenteve më pasoja të rënda. Sipas specialistëve, kryesisht kjo lidhet me numrin e madh të automjeteve të cilët qarkullojnë në rrugë nga ardhja e emigrantëve për pushime. Gjithashtu përdorimi i pijeve alkoolike, veçanërisht në fundjava dasmash apo daljesh në orë të vona në lokale të ndryshme, shoqërohen me përdorimin e pijeve alkoolike, çka përbën shkakun kryesor të aksidenteve të mundshme. Policia është e pranishme në mjaft akse, por duket se këto masa nuk po sjellin uljen e aksidenteve. “Policia Rrugore del në një qoshe, nxjerr radarët për të vendosur gjobë dhe nuk ka për qëllim parandalimin e aksidenteve, por fatkeqësisht shpesh janë masa që vlejnë më shumë për mbushjen e buxhetit”-komenton Sulçe. Ndërsa zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Gentian Mullai shprehet se strukturat policore të qarkullimit rrugor dhe rendit po zbatojnë një plan masash të detajuara në të gjithë rrugët e vendit, si për parandalimin e aksidenteve rrugore, ashtu edhe për ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që nuk zbatojnë rregullat e përcaktuara. Vëmendja sipas tij është përqendruar kryesisht në zonat turistike bregdetare, por nuk mbesin jashtë kontrollit edhe akset kryesore nacionale. Për specialistin Sulçe bashkëpunimi i policisë me Autoritetin Rrugor është në nivele mjaft të ulëta dhe shpesh moskoordinimi i këtyre dy institucioneve kryesore bëhet shkak i aksidenteve me pasoja të rënda. “Kur ndodh një aksident shpesh ka edhe dëmtime të rrugëve, si barrierat mbrojtëse apo dëmtime të tjera. Menjëherë Policia duhet të informojë Entin e Rrugëve për të kryer ndërhyrjet e nevojshme, por kjo nuk ndodh”-komenton Sulçe, duke shtuar se edhe nëse informohen, riparimet vonohen ose nuk kryhen fare. U pa me shumë interes ndryshimi i Kodit Rrugor, që shtonte masat e ndëshkimit dhe gjithashtu penalizonte drejtuesit e automjeteve që shkelnin rregullat. “Në tremujorin e dytë të 2016 aksidentet u rritën me 13 për qind. Do të thotë që menaxhimi i trafikut dhe masat e ndërhyrjes në Kodin Rrugor, nuk sollën asnjë shenjë pozitive. Masat ishin të pamenduara dhe nuk njohin historikun e aksidenteve, por thjesht rezultuan ndryshime që shtuan më shumë buxhetin nga gjobat”-komenton eksperti. Në ditët e fundit zërin e kanë ngritur kryesisht qytetarët dhe ekspertët, ndërsa drejtuesit e institucioneve, që mbajnë përgjegjësi për atë që ndodh në rrugë janë me pushime. Rrugët po marrin jetë, duke e kthyer vdekjen në normalitet absurd.

BB: Shqipëria normat më të larta të vdekshmërisë në aksidente

Atë që nuk e shohim dot vetë, apo pranojmë vdekjen si pjesë “të jetës” na e kujtojnë të huajt që diçka serioze nuk po shkon. Një raport i fundit i Bankës Botërore tregon se Shqipëria ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë në aksidente rrugore në Europë. Mesatarisht llogaritet 84.7 vdekje në vit për çdo 100 mijë automjete. Sipas Bankës, ky tregues është minimalisht dy herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit, të cilat kanë një normë vdekshmërie nga aksidentet që varion nga 13.8 vdekje për 100 mijë mjete në Greqi, deri në 41.3 vdekje për 100 mijë mjete në Malin e Zi. Jemi më keq edhe se të gjithë vendet e rajonit, por krahasuar me vendet e Europës, shifrat janë mëse alarmante. Vdekjet nga aksidentet për numër mjetesh në Shqipëri janë deri në 10 herë më të larta se shtete perëndimore. Ndër problemet kryesore mbetet humbja e jëtës njërëzore, por aksidentet kanë edhe një kosto të madhe financiare. Sipas studimit të Bankës Botërore, kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore në Shqipëri është mesatarisht 130 milionë euro në vit. Në prill të vitit ta kaluar Banka Botërore dhe qeveria shqiptare nisën një projekt të përbashkët me vlerë 128.5 milionë euro, për të përmirësuar sigurinë rrugore në Shqipëri. Objektivi i projektit është që brenda vitit 2020, numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore të ulet në 250 vdekje në vit. Duke pasur parasysh shifrat e deritanishme mbetet vetëm  “projektime”, pasi të dhënat e aksidenteve janë të frikshme. Rrugët po shuajnë jetët e shqiptarëve.

Please follow and like us: