Albspirit

Media/News/Publishing

TË BURGOSURIT POLITIKË TË BURRELIT: SI REFUZUAN PETICIONIN NGUSHËLLUES PËR NEXHMIJEN, NË VDEKJEN E ENVERIT

burguHistoria e peticionit që shkoi në burgun e Burrelit për t’u firmosur, përmes të cilit, të burgosurit politikë duhej të ngushëllonin gruan e diktatorit, Nexhmijen. Provokimi me të burgosurit politikë nga komisarët e sigurimit. Rrëfimi vjen në vëllimin e dytë të botimit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “Zërat e kujtesës”, me cikël intervistash, shënimesh memuaristike, me të mbijetuarit e diktaturës komuniste në Shqipëri, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta LleshanakuLavdosh Beqo, nga Vlora, të cilin kur e dënuan qe përfshirë në “Grupin e gjimnazit Ali Demi”, ishte 17 vjeç dhe bëhet fjalë për vitin 1950. Atë vit të arrestimit të tij, ishin lëshuar provokacionet greke apo hedhjet e bandave të diversantëve, kështu dhe këta djem të rinj krijuan “aktivitetin” e tyre, duke shpërndarë trakte derisa u zbuluan, u arrestuan dhe më pas u dënuan. Beqo u dënua me 18 vjet heqje lirie.Në ciklin “Zërat e kujtesës” me intervista, shënime memuaristike me të mbijetuarit e diktaturës, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, Beqo kujton torturat në burg, jetën në kampet e punët e rënda. Fillimisht i dënuar në kampin e punës në Maliq, Beqo pas një varg vuajtjesh përfundon në burgun e Burrelit, ku ka një situatë kujtese mjaft komplekse, jo vetëm në njohjen me personalitetet politike të dënuar, që kishin refuzuar regjimin e Enverit, por edhe njohja dhe sjellja e dëshmive tronditëse të disa emrave të priftërinjve të dënuar. Është një rrëfim i gjatë, që përshkruan me detaje gjithë kalvarin e 20 viteve burg, ndërsa jemi ndalur në disa momente që lidhen me ngjarje të panjohura, anë të errëta dhe dëshmi të drejtpërdrejta, që Beqo ka jetuar vetë. Një nga këto raste është peticioni që u erdhi në burgun e Burrelit për t’u firmosur, përmes së cilës të burgosurit politikë duhej të ngushëllonin gruan e diktatorit, Nexhmijen. Kundërshtimi pati kosto në dënimin e të burgosurve të Burrelit, ndonëse për çudi kaloi pa shumë reprezalje. (Këtë histori e japim më poshtë, të plotë të rrëfyer nga Lavdosh Beqo). Por në veçanti, Beqo na tërheq vëmendjen për rastin kur Visarion Xhuvanin, prift ortodoks, e kanë torturuar në burg. Vetëm pse ishte një nga themeluesit e Kishës Autoqefale shqiptare, kryetari i degës së atëhershme, me emrin Dhosi Progri nga Korça, kujton Beqo, e ka torturuar në mënyrë çnjerëzore: Ia kanë shkulur me pincë një nga një qimet e mjekrës, ose e vinin mbi tarracë në mes të korrikut, dhe i vinin rreth e rrotull copa letrash, mbeturina e shkresa zyrtare, të cilave u vinin flakën më pas. “Nga zjarrmia e tarracës i nxehti i korrikut, dhe letrat e ndezura përqark, atij i binte herë pas here të fikët dhe binte mbi zjarr”.

Ndërsa ka rrëfyer torturat në hetuesi, si ishte afër vdekjes kur duart e tij ishin lidhur jo vetëm me pranga, por edhe me tela. “Kur më merrnin në pyetje, natën më mbanin në këmbë të lidhur dhe hetuesi pyeste e unë s’përgjigjesha se më merrte gjumi e bija top në shesh, në çimento. Edhe në hetuesinë e dytë kështu më ka ndodhur, ndërkohë që hetuesi lexonte libra. Më merrnin natën sepse hetuesit i paguanin orë jashtë orarit kur punonin në orë të vona”.

I vendosur fillimisht në kampin e Maliqit, ja çfarë kujton Beqo: “Ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: Të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund. Një mëngjes na zgjonte që në katër të mëngjesit, kur ishim të vdekur, dhe ai na qëllonte me të sa mundej. E ka qëlluar aq fort në kupë të gjurit Balto Vlashin nga Durrësi, aq sa e la sakat. Polici i brendshëm që quhej Njazi Sala, ishte i çmendur. I çmendur me plot kuptimin e fjalës. Mendoje që një i çmendur trajtonte 1500 të burgosur. Një polic tjetër i binte bilbilit që të zgjoheshim…kur ky Njaziu futej në kazermë e na qëllonte barbarisht. Më ka qëlluar njëherë në këmbën e djathtë, sa nuk u thye, prej saj edhe sot unë mezi eci.”

Lavdoshi tregon se i ka provuar pothuaj të gjitha kampet e Shqipërisë. Nga Maliqi në Gosë të Kavajës, Ura Vajgurore e me radhë në burgun e Burrelit…..

Në këtë burg ai ka rrëfimet më të gjata, duke kujtuar personalitetet shqiptare të persekutuar, intelektualë e priftërinj.

Në këtë rast ai kujton dënimin e Dom Shtjefën Kurtit, duke treguar nga rastet e rralla se si u vinte vdekja atyre që kishin marrë dënimin kapital, me heqjen e jetës. Ja si sjell në memorie këtë personazh: “Komunistët ndiqnin një taktikë, pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshin: Na thuaj fjalën e fundit. Ç’ishte kjo fjalë e fundit? Sigurisht të dënuarve me vdekje u dhimbsej jeta. Por, ata e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe kërkoj mëshirë, ti e kishe pranuar automatikisht fajin. Disa nganjëherë tregoheshin të dobët, dhe e kërkonin mëshirën. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin – I kërkuan fjalën e fundit. Ai u ngrit e tha: “Zotëri, unë e falënderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer” Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë… Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij…”

***

Historia e peticionit ngushëllues, si dhe vitet e fundit të ’90-s, si arritën të burgosurit të arratiseshin dhe cilët ishin të parët që “shpërthyen” dyert e ambasadave? Lavdosh Beqo rrëfen një anë tjetër të historisë së errët nga diktatura, në momentet më delikate të saj:

“Kur vdiq Mehmet Shehu, na hoqën prej andej, komplet kampin dhe një pjesë i çuan në Zadrimë, dhe një pjesë në minierën e Qafë Barit. Qafë Bari ishte një tmerr i vërtetë. Ishte një gropë tamam si pus i madh, ku ishin ndërtuar godinat e kampit, dhe rreth e rrotull, kishte vetëm male dhe borë. Ne na shoqëruan edhe rojet e kampit që kishim në Ballsh. Njëri prej tyre quhej Qatip nga Mallakastra; njeri i rregullt, bënte punën e vet dhe nuk trazonte njeri e ishte korrekt me oraret e të gjitha. Ditën e parë që na çuan në Qafë Bari, u sistemuam në kazerma. Të nesërmen na nxorën në punë, në minierë të shoqëruar nga rojet e Ballshit, ndër ta edhe Qatipi. Pasi hymë nja 50 metra, thellë në galeri, Qatipi më tha: “Kthehu, kthehu”! sepse uji vërshonte si lumë brenda….

Kishin kaluar saktësisht njëqind ditë, kur një natë, dëgjuam një zhurmë dhe pamë një autobus që kishte ardhur në kamp. Të nesërmen në mëngjes, na vënë në rresht dhe filluan të na lexojnë emrat. Ishte një listë prej 20 vetash, me në krye emrin tim. Ne të njëzetë na hoqën prej aty dhe na dërguan në Spaç, si një kamp më i sigurt, meqenëse Qafë Bari ishte më afër kufirit dhe mendohej se mund të iknim.

Në Spaç na ndanë nëpër kazerma, me nga një dyshek prej kashte. Aty u grupuam me kujdes, sepse pamë që i gjithë kampi ishte pothuajse me të burgosur politikë, por që ishin edhe për faje të ndryshme, si për ikje ose krime ordinere dhe që i kishin futur edhe një nen politik në dënim, dhe i kishin sjellë tektë burgosurit politikë.

Aty, në Spaç kam qenë, kur ndodhi vdekja e Enver Hoxhës. Ato ditë, gjendja ishte një tmerr i vërtetë, sepse policët ishin tërbuar dhe ruanin me kujdes çdo person. Në kamp u shtua shumë numri i forcave. Por, na bënë edhe një provokim; kërkuan nga të burgosurit politikë të firmosnin një tip peticioni, një ngushëllim për Nexhmije Hoxhën, për vdekjen e Enverit.

Mendoje: të burgosurit politikë të ngushëllonin Nexhmijen për Enverin, për diktatorin. Filluan të merrnin firmat nga kazermat sipër, dhe në një moment, peticioni u kundërshtua. U alarmuan.

Lajmëruan komisarin e kampit, dhe komisari i kampit erdhi dhe zbuti disi çështjen.

“Pra komisari vendosi ta linin peticionin te zyra teknike dhe kush donte ta firmoste, mund të shkonte ta firmoste aty. Me sa di unë, pak vetë e firmosën atë peticion.

Mbaj mend mirë një situatë: unë isha duke fjetur se ndodhesha në kazermën e fundit afër tarracës. Erdhi Sami Kupi, dhe më shkundi. Ishte skuqur krejt në fytyrë. “Çohu”, -më tha. U çova. More vesh se çfarë ka ndodhur? -më tha, jo – i thashë.

Prej Samiut mora vesh atë punën e peticionit.

“Këtë nuk po e provokojmë ne…Pastaj ne s’kemi si futemi, andej nga kemi dalë. Pra nuk do të firmosim. Po çfarë do të ndodhë? Tani për tani, nuk do të ndodhë gjë. Por, pasi të jenë qetësuar gjërat, nuk është çudi që këta të bëjnë një reprezalje të madhe” -thashë unë. Për fat të mirë nuk ndodhi gjë, sepse shumë prej nesh që kishin përvojë se kishin qenë edhe më parë në burg, u këshilluan me njëri-tjetrin që të ishim të kujdesshëm, që nuk duhet të ndiheshim, sepse një provokacion i vogël nga ana jonë, një qeshje, një këngë, mund të shkaktonte katastrofë. Dhe kështu që dalëngadalë kampi u qetësua. Iu kthyem rutinës së përditshme.

Pastaj një pjesë prej nesh, i hoqën prapë prej aty; na çuan në Bulqizë për të bërë një grup ndërtesash. Prej andej, na hoqën prapë e na çuan në Durrës. Në atë grup ku isha unë, ishte edhe Bardh Kupi e shumë të tjerë. Pastaj na hoqën prapë prej Durrësit dhe na sollën në kompleksin “Dinamo”, në Tiranë, prej ku unë edhe jam liruar.

Përgjithësisht duke e krahasuar me burgun e parë, pjesa e burgut të dytë, ishte më e lehtë, sigurisht krahasuar me Maliqin, Vloçishtin ishte ku e ku më e lehtë.

Kur u lirova prej aty, jam kthyer në Vlorë. Por në vendimin e Gjykatës, thuhej, që kur të mbarojë burgun e dytë, duhet të bëja edhe 5 vjet internim. Në fillim, internimi ekzekutohej vetëm me një copë pusullë, ndërsa tani me vendim gjykate. Mirëpo kishte filluar çoroditja dhe një lloj ndjesie që komunizmi kishte filluar të binte, dhe mua nuk më ngacmuan kur u ktheva në shtëpi. Të njëjtën gjë bënë edhe me disa shokë të tjerë. Pra, nuk na çuan në internim.

Punova ca kohë deri në ngjarjen e ambasadave, në vitin 1990. Kur u hapën ambasadat, unë erdha, menjëherë në Tiranë, se kisha dy motra të martuara, këtu. Dhe mora vesh që kishin hyrë më shumë ata të Torovicës, të kampit të Torovicës që ishte një kamp i tmerrshëm ordinerësh, ku të burgosurit janë trajtuar mizorisht. Aty në kamp mbaheshin kryesisht minorenët, që kishin bërë vjedhje. Në kampin e Torovicës kishin çuar policët më të këqij dhe brigadier; njerëzit më të degjeneruar. Futja e tyre në ambasadë më bëri të hezitoj për të hyrë vetë, sepse mendova që trupi diplomatik nuk do t’i merrte seriozisht. Dhe pjesa më e madhe prej nesh nuk hymë në ambasadë, sepse gjykuam që do t’i nxirrnin me forcë, dhe pastaj do të na bënin ne, si organizatorë, e do të na dënonin për herë të tretë. Por, pasi pashë që ata i morën, fillova të interesohem. Dhe gjeta një rrugë tjetër që të ikja; andej nga kishte ikur nipi im, nga Kalaja e Dodës.

Por çfarë ndodhi? Për fat të mirë, duke bredhur nëpër Tiranë, pashë që ne na mungonin dy nga shokët tanë, që kishin ardhur edhe ata nga Vlora. Pyeta për ta dhe më treguan që “kanë ikur me aeroplan”, Si kanë ikur”? –pyeta unë i habitur. Po shesin bileta pa vizë, -më thanë.

Unë njihja një kameriere që punonte në një ëmbëltore që quhej “Besa” më dukej, që ndodhej m’u afër vendit ku shiteshin biletat, dhe shkova e takova, me një shokun tim. Ajo shkoi e foli me drejtorin, dhe drejtori më tha: “Rrini në rresht që të prisni biletën” Ne ndenjëm në radhë dhe premë biletën. Por kishte një kusht: që po të kthenin, këta nuk mbanin përgjegjësi. Dhe pas dy orëve duhet të niseshim prej aty e të shkonim në Rinas. Ika me vrap të takoja nënën…Këtë herë e kisha lejen e nënës dhe të motrës për të ikur, sepse kam pasur edhe raste të tjera të sigurta, por, që ato të dyja nuk donin, sepse e dinin që do t’i kthenin prapë në internim.

Shkuam me autobus në aeroport, dhe bashkë me në erdhën edhe dy djem tiranas, me të cilët kisha shumë muhabet dhe të cilët më kishin kërkuar që t’i ndihmoja kur të mbërrinin atje, në Francë….

Në kamp me Jusuf Vrionin

Si na zhdëpnim në dru, ne që shtynim vagonët e parë

“Kur vajtëm në Rinas, nuk e ruajtën më ndarjen e brigadave sipas burgjeve, por i përzien të burgosurit. Në fillim krijuan një brigadë speciale, me njerëz të fortë e të shëndetshëm. Në atë brigadë speciale, ishte Isuf Vrioni, unë, dhe shumë të tjerë. Midis tyre ishte edhe një djalë kroat, që kishte qenë përgjegjësi i studentëve në universitet, në Zagreb. Ai ishte komunist me bindje, por meqenëse nuk ishte dakord me komunistët kroatë, kishte ardhur në Shqipëri, ku sipas tij, sundonte komunizmi. Djalë simpatik! E mbajtën nja një muaj këta dhe e dënuan dhe e prunë në kamp me ne. Ka hequr pikën e zezë ai, e di, se ne kishim filluar të mësoheshim, por atij iu desh kohë. Aty kam punuar në një vagon me Isuf Vrionin dhe flinim edhe ngjitur. Lodhja ishte e tmerrshme, aq sa edhe bukën e haja shtrirë, se nuk rrija dot. Shokët e mi, që punonin në brigada të tjera, gatuanin makarona dhe më sillnin nga racioni i tyre.

Meqenëse ne e mbushnim shpejt vagonin dhe e transportonim, një ditë, oficeri na thotë: “Ju të dy, nxirreni vagonin në fillim!” Dhe dihet, i pari në rresht, vagoni ynë. Po të ishte vagoni i parë, ata të vdisnin në dru, se të urdhëronin “mbushe shpejt dhe nisu”. Kështu mua dhe Isufin, na nxjerrin përpara. “Po tani, o xhan i vëllait, si do vejë halli ynë”, -më thotë Isufi.

“Mos u mërzit, -i thashë, -unë sonte nuk fle më afër teje, se do të vete në birucë”. E mbushëm vagonin dhe 5-6 policë, me hunj e kamxhikë në dorë, bërtisnin. Në një vend, shinat ishin me kthesë. Unë i them Isufit: “Hidhu”, dhe i jap fort vagonit e ai doli nga shinat e u rrëzua e shkatërroi edhe shinat. U mblodhën oficerët dhe që aty m’i vunë hekurat, “ se e bëtë me qëllim”. Në fakt me qëllim e bëmë. Më morën e më futën në birucë, e vagonin tonë e kthyen prapë në fund. Isufi e kujtonte gjithmonë këtë histori, edhe kur ishim në Paris…”.

Please follow and like us: