Albspirit

Media/News/Publishing

Rusi, Putin pret Erdogan: Ne jemi kundër çdo grushti shteti

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në St Petersburg në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë në takimin me homologun e tij, Vladimir Putin.

Duket se është gjithnjë e më i fortë aksi Ankara-Moskë, pas tensioneve mes Turqisë dhe BE-së pas grushtit të dështuar të shtetit. “Kam qenë nga të parët që i kam telefonuar për t’i shprehur mbështetjen time pas grushtit të dështuar të shtetit. Dua ta ritheksoj: është një qëndrim parimor, ne jemi kundër çdo përmbysjeje jo ligjore të shtetit të së drejtës”, – ka thënë Vladimir Putin në Shën Pjetërsburg në nisje të bisedës me Recep Tayyip Erdogan.

“Telefonata juaj pas grushtit të shtetit më dha kënaqësi mua dhe popullit turk, – iu përgjigj Erdogan. – Dëshira e popullit turk për të jetuar në një regjim demokratik është treguar të dielën e shkuar nga manifestimi i madh në Stamboll”.

Dy shefat e shteteve, të cilët me takimin e tyre mbyllën fazën më të rëndë të tensionit të nisur me rrëzimin e një avioni luftarak rus në kufirin turk nëntorin e shkuar, i dhanë fjalën njëri-tjetrit “për të vazhduar bashkëpunimin” në shumë sfera të marrëdhënieve dypalëshe ruso-turke dhe për të zgjidhur në këtë rast “shumë çështje rajonale” në një qëndrim të përbashkët për luftën në Siri.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në krizë që nga nëntori i vitit të shkuar kur Turqia rrëzoi një avion luftarak rus në kufirin sirian. Vizita vjen në një moment që marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin janë ftohur pas kritikave të vendeve europiane lidhur me reprezaljen e ndërmarrë nga qeveria turke në të gjithë instancat shtetërore pas grushtit të dështuar të shtetit.

Please follow and like us: