Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi Erdogan – Putin


Zoti Erdogan u prit nga Presidenti rus Putin në Shën Peterburg.

“Megjithëse situata e brendshme në Turqi është shumë e ndërlikuar, vizita juaj këtu do të thotë se të gjithë duam rifillimin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve në favor të popujve të Rusisë dhe Turqisë”, tha presidenti rus.

Vizita e zotit Erdogan bëhet në një kohë kur marrëdhëniet e Turqisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara janë acaruar nga ajo që Ankaraja e sheh si shqetësim të perëndimit për dështimin e grushtit të shtetit.

“Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë kanë hyrë në një fazë shumë pozitive. Të dyja vendet dinë se si të vendosin objektiva të mëdha. Jam i sigurt se hapat që do të marrë secila palë, do të zgjerojnë bashkëpunimin”, tha presidenti turk.

Zoti Erdogan, shprehu indinjatën pas kritikave të perëndimit për shtypjen masive ndaj atyre që i konsideronte kundërshtarë, pas tentativës për grusht shteti. Rusia i dënoi me shpejtësi kryengritësit.

Mbi 270 persona gjetën vdekjen gjatë përpjekjes së dështuar nga disa elementë të ushtrisë. Presidenti Erdogan ka fajësuar klerikun turk Fetullah Gulen me banim në Shtetet e Bashkuara për orkestrimin e grushtit të shtetit.

“Është vizitë e rëndësishme për të dyja palët sepse të dyve u duhet të menaxhojnë marrëdhënie të vështira me Perëndimin: Putinit për sanksionet dhe normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Alexander Baunov i Qendrës Carnegie të Moskës, “ndërsa Erdogani, pas shtypjes së grushtit të shtetit dhe kritikave të ashpra nga politikanët perëndimorë, gazetarët dhe media, do që të tregojë se mund të afrohet me Rusinë dhe të distancohet nga Perëndimi”, shton analisti Baunov.

Preisdenti turk e konsideroi si tradhëti, reagimin e perëndimit, thotë Victor Mizin, i Institutit Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Pra, ai vendosi që të mbante një variant të qëndrimit ‘kthim nga Lindja’, duke nxitur marrëdhëniet me vende si Azerbaixhani, Irani, Kazakistani”, thotë analisti.

Por marrëdhënia me Rusinë është më e rëndësishmja nga ana taktike dhe jo vetëm për Turqinë.

“Tani është shumë e rëndësishme për Rusinë, që ta kthejë nga vetja dhe të përmirësojë marrëdhëniet me këtë vend që ishte në krye të përpjekjeve të NATO-s kundër Bashkimit Sovjetik në të kaluarën, dhe ku ishin vendosur aq shumë objekte zbulimi dhe radarë për të ndjekur aktivitetin ushtarak rus”, thotë analisti Mizin.

Takimi i sotëm ishte i pari mes dy udhëheqësve që kur marrëdhëniet mes dy vendeve u acaruan pas rrëzimit nga Turqia të një avioni ushtarak rus në nëntor përgjatë kufirit me Sirinë.

Bisedimet priteshin të përqendroheshin tek përmirësimi i lidhjeve ekonomike që u ndërprenë pas rrëzimit të avionit rus, ku gjetën vdekjen dy pilotë rusë.

Incidenti solli akuza, sanksione nga ana e Rusisë dhe frikë për një konflikt më të gjerë mes Rusisë dhe një anëtari të NATO-s.

Moska e akuzoi Ankaranë së mbështeste terrorizmin ndërsa Turqia akuzoi Rusinë se kishte shkelur hapësirën e saj ajrore dhe se kishte bombarduar objektiva civilë brenda Sirisë.

Please follow and like us: