Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Erdogan ka zgjedhur Putin?

 

Çfarë ndryshimi mund të sjellin vetëm pak muaj.

Nëntorin e kaluar, një ditë pasi aeroplanët e Turqisë e rrëzuan një aeroplan luftarak rus afër kufirit me Sirinë, Presidenti i zemëruar rus, Vladimir Putin, kishte thënë se incidenti është “thikë pas shpine nga bashkëpunëtorët e terroristëve”.

Homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, është përgjigjur gjithashtu me akuza: “Unë mendoj që nëse ka një palë që duhet të kërkojë falje, ne nuk jemi ajo palë. Ata që e shkelën hapësirën tonë ajrore duhet të kërkojnë falje”.

E gjithë kjo do të ndryshojë më 9 gusht, kur Erdogani do të takohet në Shën Petersburg me homologun e tij rus, që tani e quan “miku im Vladimir”, gjatë një interviste dhënë agjencisë ruse të lajmeve, “TASS”, pak para se të niset për Rusi.

“Kjo do të jetë vizitë historike, një fillim i ri”, ka thënë Erdogan.

Pas disa javësh të sinjaleve të tilla të pendesës nga Ankaraja, Kremlini është i sigurt se Erdogani dëshiron t’i tejkalojë telashet dhe rikthejë lidhjet tregtare që më parë ishin tejet të mira në mes të dy vendeve fqinjë në Detin e Zi.

“Kjo dëshmon se partnerët turq janë vërtet të interesuar në ripërtëritjen e bashkëpunimit shumëdimensional me vendin tonë”, ka thënë këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, duke përdorur kështu një gjuhë miqësore që tregon se edhe Rusia është e interesuar për përmirësim marrëdhëniesh.

Në aspektin ekonomik, Turqia ka qenë ajo që ka shënuar humbje të mëdha gjatë kësaj periudhe jo miqësore me Rusinë, e cila krahas masave të ndryshme, iu kishte ndaluar qytetarëve të saj që të kalojnë pushimet në plazhet turke në Detin Mesdhe.

Rusët kanë qenë grupi i dytë më i madh i turistëve, pas gjermanëve që kanë shpenzuar rreth 3 miliardë euro gjatë vitit 2014 apo që i bie rreth 0.4% e Prodhimit Vendor Bruto të Turqisë.

Këto të dhëna janë të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, të cilat thonë se rusët ishin kontribues të mëdhenj të industrisë vitale turke të turizmit.

Rusia gjithashtu kishte ndaluar ushqimet dhe mallrat e konsumit nga Turqia, duke e hequr lejen për kamionët e Turqisë dhe ndërkohë kishte marrë masa të tjera që sipas vlerësimeve të BERZH-it, nëse bëhen bashkë kanë zvogëluar prej 0.3 deri më 0.7% të ekonomisë turke gjatë vitit 2016.

Krejt ndryshe nga këto të dhëna, Rusia është përballur me shumë pak ndikim nga kjo situatë, vlerëson më tej BERZH. Liderët turq “me të vërtetë i kanë nënvlerësuar rusët vitin e kaluar”, thotë Halil Karaveli, analist në Stokholm që udhëheq iniciativën e Turqisë, një program që ka lidhje me Universitetin “John Hopkins”.

Për shumë vëzhgues të situatës në Turqi, ajo që do të ketë rëndësi më së shumti do të jenë deklarimet gjeopolitike nën sipërfaqen e takimit Putin-Erdogan, përgjatë përpjekjes për grushtshtet në Turqi që aleatët e Erdoganit arritën ta shtypin muajin e kaluar.

Të dy, edhe Putin, edhe Erdogan shpresojnë të avancojnë interesat e tyre, me ndihmën e tjetrit.

“Kjo nuk ka të bëjë me atë se kush do të jetë në epërsi; ata në fakt po punojnë së bashku”, thotë Anna Borshçevskaja, shkencëtare e Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

“Grushtshteti është duke e ndihmuar Erdoganin që të konsolidojë pushtetin, derisa ai po e shantazhon Perëndimin duke u afruar me Putinin. E tërë kjo i shkon për shtati Putinit”, thotë ajo.

Propozimi i Turqisë për Rusinë nxit faktorë të rinj në llogaritjet komplekse në politikat e Lindjes së Mesme, vlerëson Karaveli, në veçanti kur është në pyetje çështja e Sirisë.

Erdogani, për një kohë të gjatë ka qenë armik i zeshëm i Presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilin Rusia e ka përkrahur gjatë luftës pesëvjeçare civile duke e shpëtuar nga mundja potenciale përmes sulmeve ajrore që Rusia i filloi në shtator të vitit 2015.

Kundërshtimi i Ankarasë ndaj Assadit, shtuar edhe faktin që Turqia është anëtare e NATO-s, e kanë motivuar përfshirjen e saj në luftën që e udhëheqin amerikanët kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik dhe përkrahjen e saj për rebelët që luftojnë kundër Assadit.

Por, Erdogani dhe pjesa më e madhe e establishmentit të sigurisë në Turqi, gjithashtu e kundërshtojnë fuqinë në rritje të milicëve kurdë, në të cilët Shtetet e Bashkuara kanë gjetur mbështetje të madhe për të zhvilluar luftën në terren në Siri.

Kjo i shkon për shtat Kremlinit, që deri më tash ndonëse i ka dhënë mbështetje së paku një grupi kurd, ata janë në gjendje ta ndalojnë këtë gjë derisa kjo do e ndihmonte Assadin të rrijë në pushtet.

Rusia e ka shtuar përkrahjen për Assadin në fushëbetejë duke e bërë mbajtjen e regjimit të tij në pushtet më të sigurtë se sa kjo gjë ishte një vit më parë. Kjo padyshim e ka fuqizuar pozicionin rus kundrejt dobësimit të atij turk. Gjatë intervistës së publikuar më 8 gusht për agjencinë ruse të lajmeve, “TASS”, Erdogan është cituar duke thënë:

“Pa pjesëmarrjen e Rusisë është e pamundshme të gjejmë zgjidhje për problemin sirian”.

Njëjtë sikur Erdogani, edhe Assadi ia ka frikën një pranie më të fuqishme kurde që do të mund të rezultojë në krijimin e një shteti për ta duke marrë territore nga Siria, krahas atyre nga Turqia dhe Iraku.

Ndërkohë, grushtshteti i dështuar e ka krijuar një boshllëk potencial që Rusia do të mund ta përdorte kundër Shteteve të Bashkuara.

Krahas një mori konspiracionesh, disa pjesëtarë të qeverisë së Erdoganit kanë sugjeruar se SHBA-të kanë dorë në grushtshtet, duke përmendur faktin se disa aeroplanë nga baza e Incirlikut, ku janë të vendosur mijëra trupa ushatarake amerikane, kanë ndihmuar duke furnizuar me naftë aeroplanët ushtarakë të Turqisë që kanë sulmuar caqet në Ankara, gjatë grushtshtetit.

Erdogani ka shkuar aq larg sa tani akuzon se pilotët që e kanë rrëzuar aeroplanin rus më 24 nëntor kanë qenë të përfshirë në përpjekjen për grushtshtet.

Kryeministri turk, Binali Yildirim javën e kaluar ka shtuar zërat konspirativë që thonë se monedhat një dollarëshe amerikane kanë luajtur rol për organizatorët e grushtshtetit, duke iu referuar edhe rolit të klerikut Fetullah Gylen që jeton në SHBA.

“Me monedha një dollarëshe amerikane, kjo organizatë i ka kthyer fëmijët e këtij shteti në monstra”, ka thënë Yildirim më 4 gusht.

Edhe komentet e udhëheqësit të Komandës Qendrore amerikane, i cili publikisht kishte thënë se spastrimet masive në ushtrinë turke mund të dobësojnë fushatën në Siri, kanë zemëruar tejmase zyrtarët e qeverisë turke.

Si zakonisht që nuk e humbet asnjë shans për të kthyer një krizë ndërkombëtare në favor të shtetit të tij, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i kishte ofruar përkrahje të fuqishme Erdoganit menjëherë pas përpjekjes për grushtshtet.

Ai kishte thënë se ky ishte një veprim i njëjtë me “Euromaidanin” apo protestat në Ukrainë që e larguan ish-Presidentin ukrainas, Viktor Janukoviç nga pushteti dhe më pas nga vendi në vitin 2014. Janukoviçi konsiderohej aleat nga Kremlini.

Ajo që ia shton dhembjet Turqisë është kleriku, Fetullah Gylen që jeton në Pensilvani të SHBA-ve dhe të cilin Ankaraja konsideron se qëndron prapa grushshtetit. SHBA-të rregullisht kanë hedhur poshtë kërkesat turke për ekstradim të tij.

Të shqetësuar për përkeqësim të mëtejmë të marrëdhënieve me qeverinë e Erdoganit ka nxitur edhe vizitën e komandantit kryesor të ushtrisë amerikane, Gjeneralit Joseph Dunford ta vizitojë Turqinë më 1 gusht.

“Ky është nënkuptimi… i takimit në mes të Putinit dhe Erdoganit”, vlerëson Karaveli dhe shton: “Duke ia demonstruar Uashingtonit në formën që thotë, ‘hej, ne mund të bisedojmë edhe me të tjerët, ju nuk jeni i vetmi opsion për ne’”.

Kjo i shërben një qëllimi të ngjashëm edhe sa i përket Evropës, thotë Lilya Shevcova, analiste në Moskë me “Carnegie Endowment for International Peace”.

Të përballur me mundësinë e ardhjes së miliona refugjatëve nga Siria dhe vendet e tjera në luftë, liderët evropianë gjatë këtij viti kanë nënshkruar marrëveshje që Turqisë ia paguan rreth 6.8 miliardë dollarë për akomodimin e refugjatëve, fillimisht atyre nga Siria.

Erdogani e “kupton se Perëndimi varet prej tij dhe nuk mund të luftojë me të. Amerika ka nevojë për bazat e NATO-s në Turqi dhe anëtarësimin e saj në aleancë”, ka shkruar ajo në komentin që e ka publikuar në faqen e saj në Facebook.

“Europa ka varësi më të madhe pasi është Erdogani ai që e ka ndërtuar murin që shpëton europianët nga miliona refugjatë”.

“Nëse ai vendos të hapë kurifin, atëherë çfarë do të bënte Evropa?”, pyet ajo.

Please follow and like us: