Albspirit

Media/News/Publishing

“Ermonela Jaho i bëri yjet të shkëlqejnë e të qajnë njëkohësisht”

 

Paris, 12 gusht 2016 –  “Zot, çfarë vdekje e bukur! Një Traviata që i bëri yjet të shkëlqejnë dhe të qajnë në të njëjtën kohë, falë sopranos Ermonela Jaho që e përjetoi rolin me aq pasion …”. Këto janë komente të mediave francezë për interpretimin e shkëlqyer të sopranos shqiptare. “Artsandspectacles.com” shkruan se teatri ka qenë plot me audienca të ndryshme, nga njohësit e vjetër të Operas e deri tek moshat e reja e fëmijët, çka nuk është fort e zakonshme. Në fund, theksohet se nuk kanë munguar duartrokitjet. Pas këtij komenti nga “Artsandspectacles.com”, një tjetër vlerësim vjen për Ermonela Jahon. “Le Figaro” e cilëson Traviattën e saj “një Traviatë karizmatike” që të bën të vuash si Krishti… Në të, shkruhet se ajo mundi ta zëvendësojë si duhet në “Chorégies d’Orange” këngëtaren Diana Damrau që u sëmur. Duket se Jaho ia ka dalë të jetë Mbretëresha e “Chorégies d’Orange” këtë vit. Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho u rikthy në skenën e ‘’Orange’’ në Francë për të interpretuar “La Traviatan” dhe “Madame Butterfly”, përkrah mjeshtrit Domingo. Pak ditë para “Traviattës” në një postim në Facebook, Ermonela Jaho, shkruante: “Faleminderit maestro për thjeshtësinë dhe fjalët vlerësuese në konferencën e shtypit, ato kanë një domethënie të madhe për mua sidomos kur shprehen nga një legjendë siç jeni ju. është shumë e rrallë të gjesh një përputhje mendimesh midis dy gjeneratave kaq të ndryshme… ‘Nuk është e lehtë të bëhesh i madh, por merr një jetë të terë të bëhesh human!”. /Koha.net/

Please follow and like us: