Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, pas vdekjes së Hoxhës, Ramiz Alia futi në qeveri njerëzit e tij më të besuar, përplasje të forta me Nexhmijen dhe mbështetësit e diktatorit, ja lëvizjet për t’i dhënë fund izolimit

 

Gjatë gjithë periudhës komuniste, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në vendin tonë. Në një dokument të publikuar nga CIA, i 11 marsit 1988, tregohet për marrjen e pushtetit nga Ramiz Alia, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas dokumentit, me të marrë pushtetin, Alia vendosi që të fuste në qeveri njerëzit e tij më të besuar. Në dokument tregohen dhe emrat e disa prej tyre, mes të cilëve kuanti i tij. Po ashtu flitet dhe për një përplasje të fortë mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës. Kjo e fundit kërkonte që të vijonte izolimi i vendit, por që Alia nuk e mbështeste. Sipas CIA, Ramiz Alia kishte nisur lëvizjet për të sjellë lirinë e Shqipërisë dhe krijimin e marrëdhënieve me disa shtete të tjera. Sipas dokumentit, ai po synonte që të vendoste marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe dhe jo me SHBA apo Bashkimin Sovjetik. Gazeta po publikon dhe dy dokumente të tjera ku tregohet situata pas prishjes së marrëdhënieve me Rusinë, si dhe një mesazh sigurie.

11 mars 1988

New York

Departamenti i Drejtësisë

Konsolidimi i pushtetit nga sekretari i parë i partisë, Ramiz Alia, dhe, rrjedhimisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vendet perëndimore. Burimi ynë që është një studiues dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare, ka informacion të dorës së parë mbi liderët politikë shqiptarë, përfshi dhe liderin aktual, Ramiz Alia, me të cilin ka qenë në një shkollë. Në disa raste në të kaluarën, ai i ka dhënë FBI informacione të besueshme, ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë prej tij më 25 shkurt 1988: Ramiz Alia, sekretari i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, President dhe Komandant i Forcave të Armatosura, po konsolidon me sukses pushtetin e tij në Shqipëri. Përveç mbajtjes së postit të parë në vend, ai ka mbushur tre postet e tjera më të rëndësishme me të besuarit e tij. Këta njerëz kanë qenë miq të ngushtë që prej viteve 1944-1945, teksa kanë shërbyer së bashku në Brigadën e Shtatë Partizane gjatë luftës së Dytë Botërore, ku Alia ishte komisar politik.

Njerëzit e Ramiz Alisë

Adil Çarçani, kryeministri shqiptar (posti numër dy në vend) ka qenë komandant i Brigadës së Shtatë Partizane.

Hekuran Isai, ministër i Brendshëm e zëvendës krye-ministër (posti numër tre në vend) ka qenë oficer në Brigadën e Shtatë. Ndër përgjegjësitë e Isait është drejtimi i policisë dhe shërbimeve të inteligjencës, të njohura si Sigurimi.

Prokop Murra, ministri i Drejtësisë (posti numër katër në vend) ka qenë gjithashtu oficer në Brigadën e shtatë partizane.

Të gjithë këta njerëz u ngritën në pushtet nga ish-lideri Enver Hoxha përpara vdekjes së tij. Hoxha dëshironte të mbante këtë klikë për të ruajtur hegjemoninë e tij dhe atë të vesë së tij, Nexhmije Hoxha.

Kuanti i Ramiz Alisë

Pas ardhjes në fuqi, Ramiz Alia ngriti edhe kunatin e tij, Reiz Malile, në postin e fuqishëm të ministrit të Jashtëm. Malile përshkruhej si njeri inteligjent, serioz dhe besnik ndaj Alias, dhe që postin e mori jo vetëm për aftësitë e tij por edhe prej marrëdhënies mes tyre. Diku para vitit 1973, Malile ishte ambasador në Kinë, kur gruaja e tij (motra e Alias) bashkë me dy fëmijët u vranë në një aksident ajror teksa po udhëtonin nga Pekini drejt Moskës. Malile pas kësaj pësoi një tronditje të rëndë psikologjike dhe humbi mendjen për disa kohë. Por megjithëse u rekuperua dhe u rimartua, ende vuan kriza të herëpashershme. Rreth vitit 1981 apo 1982 trupat e familjes së tij erdhën në Shqipëri dhe Malile u izolua për rreth dy javë, duke mos folur e mos takuar askënd.

Me konsolidimin e pushtetit të Alias, kanë nisur zhurmat e një prishjeje mes tij dhe të vesë së Hoxhës. Nexhmija dhe fraksioni i saj kërkojnë të ruajnë politikat izolacioniste të ish-diktatorit, kurse Alia kërkon një hapje më të madhe ndaj Perëndimit. Për momentin, Alia raportohet se nuk kërkon hapje ndaj Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Sovjetik. Në javët e fundit, Ramiz Alia ka bërë disa gjeste pozitive ndaj Britanisë, duke përfshirë dhe një citim në shtypin vendas, ku ka thënë: “Nëse ne dhe Britania e Madhe ulemi për të diskutuar, ne mund të zgjidhim problemet tona”. Alia ka njoftuar gjithashtu se një skuadër futbolli shqiptare do të udhëtojë drejt Britanisë për disa ndeshje në vjeshtën 1988 apo në 1989.

Marrëdhëniet me Britaninë

Burimi ynë mendon se këto zhvillime janë pararendëse të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Gjatë vitit të fundit, Shqipëria ka vendosur marrëdhënie me Kanadanë, Gjermaninë Perëndimore dhe Greqinë. Për arsye të problemeve urgjente të brendshme, burimi ynë mendon se qeveria shqiptare e pranon nevojën e zhvillimit të ekonomisë me anë të tregtisë me Perëndimin, veçanërisht me Gjermaninë Perëndimore. Këta të fundit kanë ngritur gjatë bisedimeve çështjen e të drejtave të njeriut, dhe për herë të parë qeveria shqiptare po pranon njëfarë ndjeshmërie ndaj opinionit botëror për të dhënat e saj mbi të drejtat e njeriut. Në një fjalim të kohëve të fundit të raportuar nga shtypi i brendshëm, Foto Çami, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (një tjetër njeri  zgjedhur nga Ramiz Alia) përmendi faktin se Shqipëria po detyrohet të përmirësojë të dhënat e saj për të drejtat e njeriut. Çami mohoi të kishte probleme për këtë temë, duke përmendur se Shqipëria kishte liri shtypi dhe fjale dhe se Shqipëria i kishte bërë një shërbim të madh popullit të saj, duke e çliruar atë nga paragjykimet e fesë. Megjithëse fjalimi i Çamit mohonte problemet dhe abuzimet e qeverisë, ishte i pari që diskutonte në një nivel të lartë dhe publikisht për punët e të drejtave të njeriut. Përveç ndryshimeve të personelit të rangut të lartë, Ramiz Alia solli gjithashtu njerëz më të rinj, më të arsimuar në të gjitha strukturat e administratës, të cilët rrjedhimisht do të ishin besnikë ndaj tij. Ka pasur rezistencë për këtë nga anëtarët e vjetër të partisë, dhe veçanërisht nga besnikët e Hoxhës, por raportohet se këta janë duke u reduktuar në numër. Burimi ynë parashikon se në tre apo katër vjet të gjithë besnikët e vjetër të regjimit do të kalohen mënjanë, teksa Alia po krahasohet me një figurë të tipit Gorbaçov, pra të moderuar.

Të drejtat e njeriut

Burimi ynë e njeh personalisht Alian, për të cilin thotë se kur ishte i vogël, ishte i dashur dhe i butë, ndryshe nga pararendësi i tij Hoxha. Megjithëse në Shqipëri ka ende abuzime të shumta me të drejtat e njeriut, burimi ynë thotë se arrestimet e natës dhe ekzekutimet janë reduktuar shumë. Kjo duket se ka lidhje dhe me sigurinë e brendshme teksa raportohet se numri i shqiptarëve që largohen nga Shqipëria është rritur ndjeshëm. Në muajt e fundit thuhet se një kolonel i ushtrisë me 17 ushtarë kanë dezertuar, ashtu si dhe një rast i largimit të rreth 35 fshatarëve së bashku. Qeveria i ka mbajtur të fshehta informacionet. Të kapurit e kohëve të fundit që tentojnë largimin nga vendi nuk janë ekzekutuar, dhe burimi ynë beson se kjo ka të bëjë me shqetësimin për opinionin botëror, ashtu si dhe me vetë temperamentin e Ramiz Alisë.

Me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, burimi ynë beson se Shqipëria do të vazhdojë të distancohet nga izolacionizmi i të kaluarës dhe shpejt do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Britaninë. Hapja ndaj Perëndimit po nis të sjellë shqetësime mbi reputacionin e Shqipërisë për të drejtat e njeriut. Abuzimet me të drejtat janë ende të shumta por është duke u bërë progres, edhe pse ai është shumë i ngadaltë.

12 tetor 1967

Mesazh sigurie

Në dosjet tona mundëm të gjenim vetëm informacione të cekëta mbi personat e përmendur në paragrafit 1, por që duket se konfirmojnë përfshirjen e tyre në masa të ndryshme në aktivitetet kundër shtetit të Shqipërisë. Nuk ka informacione se ata punonin me Destan Berishën por, duket se shumica e agjentëve të këtij aktiviteti e njihnin njëri-tjetrin. Nuk ka tregues se këta persona punojnë kundër Jugosllavisë por kanë kaluar aty pas lëshimit me parashutë në Shqipëri, dhe gjatë rrugës për në Greqi. Ata kanë qenë në dorë të autoriteteve jugosllave; prandaj autoritetet janë me siguri në dijeni të misioneve të tyre, dhe gjithashtu të faktit se nuk kanë si objektiv Jugosllavinë.

Dokumentet mbi Berishën tregojnë se ka nivel të ulët inteligjence, dhe ka qenë i interesuar për krijimin e grupeve të rezistencës në Shqipëri. Për një periudhë kohe, ai ka qenë psikiatrisht i papërshtatshëm për t’u pranuar në programin e emigrantëve.

Të dhëna mbi subjektet

Hajredin Vuçiterna, i njohur ndryshe si Qerim Zymeri, ka lindur më 10 gusht 1915 në Beliç, Shqipëri. Është larguar nga Shqipëria në gusht 1946 për të shkuar në Greqi, dhe në 1948-ën për në Itali. Ai është rekrutuar nga CIA dhe është parashutuar në Shqipëri në vitin 1949. Misioni ishte i pasuksesshëm dhe ai u arratis për në Jugosllavi, ku e vendosën në arrestim mbrojtës. Më tej u rekrutua nga UDB dhe pasi arriti në Trieste u bë gjithashtu agjent i CIA-s dhe u drejtua kundër Mihailo Popoviç, në ambasadën jugosllave atje. Pas shtatorit 1954 nuk ka më të dhëna për të.

Shaqir Kabashi, i lindur më 14 maj 1927, në Gjilan të Kosovës. Ai është rekrutuar në kampin grek të refugjatëve shqiptarë në Lavrion në maj 1951. Është trajnuar si operator radio dhe ka marrë pjesë në tre misione tonat në Shqipëri. Ka përfunduar misionin në dhjetor 1952 dhe tani jeton në Nju Jork si shtetas amerikan.

Baqir Bajgora, i lindur në 15 korrik 1915 në Prishtinë të Kosovës. Shkoi në Shqipëri nga Jugosllavia në vitin 1930, për të punuar si fermer në zonën e Fierit. Hyri në Itali si refugjat në vitin 1949. U rekrutua prej nesh në Romë në nëntor 1950 dhe u parashutua në Shqipëri në 25 qershor 1951. Mbaroi misionin në 1952.

Ahmet Kabashi, vëllai i Shaqir Kabashit, i lindur në 1925 në Kosovë. Nuk ka të dhëna të jetë përdorur nga CIA në Shqipëri, por është trajnuar për misione të tilla.

 

18 mars 1953

Raport i përmuajshëm i operacioneve 15 shkurt – 15 mars 1953

Çështja kryesore e kësaj periudhe është sigurisht vdekja e Stalinit dhe zëvendësimi i tij me Malenkovin. Ne i kemi interpretuar këto rrethana me objektivat tanë, duke hedhur dyshime se Stalini është vrarë nga Malenkov dhe klika e tij. Vetë Malenkov përshkruhet si akoma më i ligë e më imperialist sesa Stalini, dhe se pozita e tij është e pasigurtë, çka shpjegohet me mbështetjen e tij te policia sekrete dhe ushtria. Kemi theksuar në materialet e propagandës se edhe spastrimet në Shqipëri vijnë si rezultat i fushatës së Malenkov për të konsoliduar pushtetin e tij, dhe se situata e paqëndrueshme në Shqipëri bie në kontrast me unitetin e vendeve të tjera të Ballkanit, në të cilat ftohet edhe Shqipëria të bëjë pjesë. Tema të tjera të trajtuara gjatë kësaj periudhe ishin nxitjet për dezertime të anëtarëve të Partisë Komuniste, si dhe vënia e theksit negativ ndaj huasë së tretë shtetërore.

Transmetimet radio

Transmetimet klandestine në radio janë kryer çdo ditë me përjashtim të 18 e 25 shkurtit. Transmetimet nga ajri me avion u ndërprenë më 3 mars pasi u bë e qartë nga raportimet e grupit Apple Team që monitoron nga Brindizi, se ato nuk dëgjoheshin në Shqipëri. Inxhinierët e komunikimeve mendonin se transmetuesi 50 vat që përdoret nga avioni, nuk është aq i fuqishëm për të transmetuar në zonat e caktuara. U informuam nga grupet se gjeneratorët me naftë për transmetuesit 2 dhe 3 mijë vat më në fund u lirua nga dogana greke dhe testimet e transmetimeve të nisin pas 2 javësh. Më tej pritet që transmetimet e propagandës të rinisin me një sinjal rreth dhjetë herë më të fuqishëm sa më parë. Ardhja e transmetuesve të rinj përfaqëson një fazë të re të operacionit pasi jo vetëm që do të dëgjohet qartësisht në Shqipëri, por do të ofrojë opsione të reja të radiove klandestine si “transmetimet fantazëm”, duke ndërprerë dhe transmetimet me valë të shkurtra të Radio Tiranës. Grupi i terrenit Apple Team na ka dërguar dy mesazhe për të na informuar se kanë mundur të dëgjojnë dy transmetimet, të mëngjesit dhe të drekës, por jo transmetimin e mbrëmjes. Ata për momentin nuk mund të jepnin informacione nëse popullsia po dëgjon dhe po influencohet nga propaganda jonë, por kanë premtuar të sjellin informacionin sa më shpejt që të jetë e mundur. Agjenti …pritet të largohet për në SHBA këtë muaj, por nuk i erdhi mirë që po zëvendësohej nga dikush tjetër me vizë prioritare. Ai dhe Juka po presin lajme për kuotat e tyre. Agjenti …ka kërkuar që të dërgohet …në Athinë, dhe që të jepen lejet për Niko Papalili dhe Thanas Gegën, duke marrë në konsideratë punën e madhe për projektin e shkrimit e librit mbi komunizmin në Shqipëri.

Please follow and like us: