Albspirit

Media/News/Publishing

Mungesa e Vetting-ut për Gjykatën e Strasburgut, qeveria jep arsyet

Qeveria ka reaguar ndaj një deklarate të Partisë Demokratike se kryeministri Rama po shmang vetting-un për gjyqtarin që Shqipëria do të dërgojë pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për t’ia lënë këtë detyrë një personi të afërm me të. Në një reagim në faqen transparenca.al, që është në shërbim të përgënjeshtrimit të akuzave, qeveria sqaron se procedura për këtë rast ka qenë transparente. Sipas saj, ajo nuk mund ta bëjë vetting-un për këtë rast, pasi afati përfundon më 26 gusht, ndërkohë që ligji i vetting-ut nuk ka hyrë ende në fuqi.

“Këshilli i Europës ka ftuar qeverinë shqiptare të paraqesë brenda datës 26.8.2016, listën me propozime për tre kandidaturat më të përshtatshme për gjyqtarin e ri të Shqipërisë në GJEDNJ, për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual më datë 31.1.2017.

Duhet theksuar se në rastin e përzgjedhjes së kandidaturave të mëparshme për të njëjtin pozicion, si në rastin e gjyqtarit Ledi Bianku, qeveria e zotit Berisha nuk ndoqi asnjë procedurë dhe nuk vendosi asnjë standard transparence për përzgjedhjen që bëri. Çdo gjë u mbajt në fshehtësi dhe procesi i përzgjedhjes nuk shmangu ndikimin politik. Ky fakt është lehtësisht i provueshëm nga kushdo.

Ndryshe nga kjo praktikë, me qëllim ndjekjen e procedurave sa më demokratike dhe transparente në këtë proces përzgjedhjeje, bazuar, gjithashtu, në standardet e vendosura në Udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Qeveria Shqiptare publikoi më datë 18 korrik 2016 thirrjen për aplikim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, Nr.23, (Botim i Qendrës së Botimeve Zyrtare), në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe në media.

Për sa i përket procesit të vetting-ut, të ndërgjegjshëm për rëndësinë e integritetit dhe pastërtisë së figurës së gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtare gjyqësore, si dhe të gjendur në rrethanat e mosmiratimit deri në këto momente të projektligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (Projektligji “Për vetting-un”), Komisioni, gjatë kryerjes së procedurave përzgjedhëse për kandidatët për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, po zbaton dhe po vlerëson kandidaturat në përputhje jo vetëm me kriteret e thirrjes për aplikim, por edhe me parimet që qëndrojnë në themel të procesit të vetting-ut, të cilat lidhen me çështje të kompetencave profesionale, verifikimin e deklarimit të pasurisë dhe integritetin”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Nëpërmjet faqes online të përgënjeshtrimeve, qeveria sqaron edhe se si i ka përzgjedhur kandidatët dhe cilët janë ata. Në listë bëjnë pjesë dy përfaqësues aktualë të qeverisë, si Elira Kokoka dhe Plarent Ndreca, e para sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Pjesë e saj është edhe ish –kryeprokurorja Ina Rama.

Emrat e aplikantëve të cilët po shqyrtohen prej Komisionit janë:

Xhezair Zaganjori

 Altina Xhoxhaj

 Dariel Sina

 Elira Kokona

 Ina Rama

 Sokol Berberi

 Gent Ibrahim

 Plarent Ndreca

 Ledia Mirakaj

 Sokol Puto

 Ornela Rrumbullaku

“Gjithashtu, për përzgjedhjen e kandidatëve sa më të përshtatshëm, profesionalë, me integritet, apolitike dhe në mënyrë transparente, u ngrit një komision konsultativ ad-hoc (Komisioni) me anëtarë që gëzojnë përvojë të konsiderueshme profesionale, janë përfaqësues të institucioneve të pavarura apo akademikë të shquar, duke shmangur kështu çdo mundësi për ndikim politik në këtë proces.

Ky Komision përbëhet nga:

 Kryetar i Komisionit:

 -Z. Luan Omari, konstitucionalist, ish-anëtar i Komisionit të Venecias.

 Anëtarë të Komisionit:

 -Z. Kristaq Traja, ish-gjyqtar në GJEDNJ.

 -Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

 -Z. Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

 -Z. Artur Metani, Drejtor i Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit, Kryeministria.

Qeveria shpjegon se për të garantuar profilin e kandidatëve për gjyqtarë, në përputhje me standardet më të larta, jo vetëm profesionale, por edhe morale, Komisioni, i ka kërkuar aplikantëve vërtetimin e dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike ose plotësimin e tij, si dhe ka kërkuar në rrugë zyrtare pranë ILDKPKI-së informacion mbi verifikimin e deklarimit të pasurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Please follow and like us: