Albspirit

Media/News/Publishing

Natë e ngjizur me thëngjij dashurie…

Elida Rusta*

Asnjëherë nuk pata mbrojtur ndonjë “dobësi” të atyre që unë i quaja kosovarë. Askund e në asnjë rrethanë.Madje shpesh kur flitej për ta,gjegjesha ftohtë.(dhe sot të më pyesësh,nuk e di arsyen.)
Nuk e kisha vizituar Pejën e aspak nuk kisha dëshirë. Pas lutjesh të shumta,u nisa duke u “zvarritur” këmbësh si çdokush,për të parë diçka së pari.Arritëm…
Lulet e Pejës sikur më pëshpërisnin në veshë:
-Elidë do na duash a si e ke hallin? Fillova të shoh ndryshe. Banesat në një prerje të sapo ndërtuara,më çuan në mend ato të shkatërruarat nga lufta.
Shetitores, Metë Bajraktarit, hotel Dukagjinit, lumëbardhit, ish urës së gurit, bustit të Haxhi Zekës derdhur krejt ne bronz, qarshisë së vjetër tashmë e re, iu dhashë një përqafim hamendësor, si degë kulpre….
Askund në gjeografinë shqiptare, nuk kisha parë me sy djem e vajza më të bukura se në Pejë, të veshur hijshëm, të civilizuar. Në çdo dyqan që hynim dhe për çfarëdo që blinim ose jo, pejanët na thonin:
-Shkodra?
-Merre më lirë meqë jeni prej Shkodre!
Menduam të shkonim në Rugovë. Ishte afër mbi qytet.Dija se përbehej prej 13 fshatrash Bogë, Shtupeq, Haxhaj, Pepaj, Leqinat, Drelaj, Kelmend, Koshutan e të tjerët që nuk më kujtohen.Në të dalë të qytetit, majtas ishte kisha ortodokse, tashmë nën protektoratin e UNESCOS, pasi e kishin marrë në mbarim të luftës forcat serbe.
Objekti ishte ndër të vetmit që dëshmonte origjinën e hershme të shqiptarit ortodoks në atë trevë. Muralet brenda ende flisnin me gjuhë plisash. Tek ngjiteshim rrugës në të djathtë të lumit,një piktori dikur me emër i kishte ikur mendja dhe jetonte poshtë në breg të lumit,duke kthyer në art çmendurinë e tij. Pamë dhe shpellën e mbretëreshës ndër shkëmbinjtë që të çonin lart afër bjeshkëve ku qielli puthet me re e ushtojnë mrizesh këngët e zanave. Si drutë në zjarr që bëhen hi, u kthye opinioni im për kosovarët,- i thashë pejano-amerikanit që na shoqëronte në kafen “Al Ponte” ku ndaluam të soditnim bukurinë e magjishme që kishim para syve.
Thjeshtë, nuk i ke parë me sytë e zemrës,-më tha. Nga tavolina ngjitur foli një burrë.
-Më falni që ndërhyj,-tha ai. Quhem Jusuf Loshaj shok i klasës së Ibrahim Rugovës,jetoj prej vitesh në Këln të Gjermanisë.
-Pse na queni kosovarë? Kufini u nda moti, u bá çka u bá,por na jena shqiptarë. Unë jam shqiptar i Pejës.
U bëmë një! Folëm gjatë, mes tjerash përmendi mësuesin e tij të parë Selim Kelmendi dhe mbante mend hartimin e parë me temë “Dëshiroj”. Ai e kish dashur shumë Shqipërinë me kufinjtë e mbyllur të kohës së Enverit, e do edhe sot. Vjen shpesh në Shirokë për të ngrënë peshk e për të kënduar buzëmbrëmjeve dhe ritregon se si e kanë pritur kur kanë marrë vesh se ishte pejan.Zemra m’u bë mal.
E përqafova si tim atë.Bënte fresk në Pejë,mot i zakontë për atë vend që nuk quhet Kosovë por krah i Shqipërisë. Ujëvara që dimrit rrihet nga erërat, shiu e stuhitë, u nxe hijshëm para syve të mi atë muzg gushti. Ajo mori ngjyrat e shpirtit tim dhe më dha paqen e munguar. Peja qytetare, plot lëng e pasion kishte brenda eksperienca, por më shumë ëndrra që mbeten  gjithmonë një hap para realitetit. E ndjeva, më erdhi mirë, heshta dhe u shkëputa. Peja e pejanët më afruan me kalkun e tyre. dhe shiu pushon kur hyn brenda dikujt që është ngrohtë.
Padurim paskam pritur ditën të kem kaq shumë fjalë me të. Më paskan dhe mua hije gabimet me të. Tani më qeshin sytë, kam shijen e saj. E nxjerr nga koka me gëzimin e zemrës. Çfarë ndjeva ishte më lart se unë.10 gushti do mbetet dita e dy shqiptarëve që i kanë premtuar njëri-tjetrit. Dita e dy shqiptarëve që nuk kanë lindur në kohë të gabuar.

 

*Pedagoge, zëvendëspresidente e Shoqatës së Grave Shqiptare në Botë.

Please follow and like us: