Albspirit

Media/News/Publishing

1978, të burgosurit e kampit të Ballshit

 

 

 

Maksim Rakipaj

Në kampin e Ballshit 1978. Këtu ka shumë të moshuar, të sëmurë, ka njerëz që janë në burg qysh nga viti 1944, ’45 dhe ’46. Këtu është edhe Zef Mala, kryetar i grupit komunist të Shkodrës. E thërrasin profesor dhe është pothuajse krejtësisht i verbër, por është një person që të imponon respekt me dinjitetin dhe kulturën e gjerë. Është edhe një profesor tjetër: Nikollë Daka. Ka qenë profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Një nga nxënësit e tij ka qenë edhe Ramiz Alia. Mbas “çlirimit” ka qenë, si shumica, ose në burg, ose punëtor në fabrikë tullash. Njeri i shkëlqyer, si shumica e shkodranëve. Ruaj shumë kujtime prej tij. Përkthente Petrarkën për mua, por kur më transferojnë nuk mundi të ma japë dot, nuk e lejojnë t’i afrohet grupit tonë që do largohej për në Spaç.

Është edhe kampioni i burgjeve, një i moshuar gjirokastrit i arrestuar e dënuar pa gjyq qysh më tetor ’44. Deri më ’78 ka qenë vetëm 10 ditë jashtë burgut. Pse e kanë future në burg? Cili ka qenë krimi i tij? Shoqëronte trupat gjermane si përkthyes, i marrë si përkthyes me forcë prej gjermanëve më ’43.

Kishte studiuar për farmacist në Vjenë. Ka shpëtuar shumë vetë nga vdekja me shërbimet e tij si përkthyes, por nuk i vlejtën dëshmitë e tyre.

Këtu gjeta edhe një vlonjat, Kastriotin, ose Kaçin, një marinar i anijes Dajti. Kaçi ka rreth një vit këtu dhe I njeh të gjithë të burgosurit dhe historitë e tyre. Ditët e para Kaçi ka qenë ciceroni I burgut për mua. Tregonte me kënaqësi histori të burgosurve të ndryshëm dhe nuk kishe nevojë ta lusje shume, mjaft të të shihte që ia kishe hedhur sytë dikujt me kërshëri dhe Kaçi kurdisej menjëherë…” Uë, nuk e njeh ti këtë? “ça thua ore? Dëgjo, dëgjo vëllain ti…”

Kështu qëlloi që mësova edhe historinë e F., një histori e denjë për film thriller.

Më kish rënë në sy, qysh në ditët e para ky F., i ri, por mosha nuk i kuptohej, mund t’i jepje 25030 ose edhe 40 vjeç. Fytyrën e kish të shtrembëruar nga një paralizë faciale, një dorë e kishte thuajse të paralizuar dhe e mbante para gjoksit me pëllëmbën e hapur me gishtat që i dridheshin dhe njërën këmbë e tërhiqte zvarrë, nuk shoqërohej me njeri, përveçse me një djalë nga Laçi, që e ndihmonte (Kaçi më tha se janë nga një qytet të dy dhe njihen që në jetën e lirë). Kaçi, i kënaqur që po ma zbulonte e pari historinë e këtij tipi më ftoi të dëgjoja dhe tregonte sikur t’i kish jetuar vetë:

Aty nga viti ’75 nga kufitarët pasi e plagosën rëndë, një djalë rreth 20-25 vjeç duke tentuar të arratiset në Greqi. Lajmërohet Ministria dhe vijnë urgjent nga Tirana dhe e marrin. Gjatë torturave tregon ky i shkretë që kishte ndërmend të shkonte tek xhaxhai i tij në Gjermaninë perëndimore. Me vete kishte të gjitha dokumentet dhe fotografitë që provonin se ishte djali i të vëllait i këtij të Gjermanisë, një ish ballist dhe eksponent i emigracionit antikomunist në Gjermani. Kaq dhe nuk dihet ç’u bë me të kapurin në kufi. Do të thuash ti, po ç’punë ka ky F., në këtë histori. Ka, ka sepse kishte një ngjashmëri të madhe me atë që u kap në kufi, ishin edhe nga një krahinë… Një të thirrur këtë në mënyrë sekrete ata të sigurimit, e stërvitën, i mësuan edhe historinë e fisit të atij fatziut që u kap në kufi, i mësuan edhe kodet dhe mënyrat se si do të lidhej me drejtuesit e operacionit dhe e nisën të kalonte kufirin nja dy tre javë pasi nipin e vërtetë e kapën dhe e qëruan ata kasapët. Detyra e tij ishte të takonte “xhaxhanë” në Gjermani, t’i fitonte besimin dhe të priste urdhrat nga Tirana për të vepruar më tej. Pasi ndejti pak kohë në Greqi, këtë na e tërheq “xhaxhai” në Gjermani, i informuar prej autoriteteve greke. Xhaxhai, ishte I moshuar dhe nuk kishte krijuar familje, ardhjen e djalit të vëllait (që kalbej burgjeve në Shqipëri) e mori si dhuratë nga perëndia. Shikonte fotografitë e të afërmeve që kish sjellë nipi dhe lahej në lot. E adaptoi si djalin e tij, e regjistroi dhe në shkollë dhe e donte si sytë e ballit. Kur nipi interesohej për aktivitetet e xhaxhait, ky nuk i tregonte gjë: “Ti gëzo jetën djalin im. Studio, mbaro universitetin dhe jeto si njeri. S’ke pse vret mendjen për gjë, pasuria ime do të jetë jotja një ditë. Mëso, bëhu njeri dhe martohu. Ishalla shoh dhe unë një nip prej teje.

Kaluan disa muaj dhe F. bënte një jetë që as në ëndërr s’e kish parë dhe e harroi pse e kishin sjellë në Gjermani. Sigurimi që e vëzhgonte vazhdimisht vendosi t’i jepte fund lojës duke e sjellë xhaxhanë “pako postale” në Shqipëri. Shfrytëzuan një shëtitje pranë Berlinit lindor, – sipas informacionit të nipit, – e droguan, e paketuan dhe e sollën në Shqipëri bashkë me “nipin”. F. u kthye në qytetin e tij të vogël. Ishte goditje e rëndë për psiqikën e tij. Jeta jashtë shtetit nuk ishte ajo që i kishin mësuar në shkollë. E porositën që të mos hapte gojë me njeri për asgjë, të mos i tregonte kurrkujt, se përndryshe…

Si duket, me dikë foli ky F. dhe e pa veten një ditë të bukur në birucë, të torturuar dhe gjithë gjak. I dhanë 10 vjet dhe e porositën përsëri të mos hapë gojë me njeri. Por, si është katandisur, edhe të dojë, mezi flet tani. Madje edhe kur flet, nuk i kuptohet se çfarë thotë për shkak të një paralize faciale dhe është pak më shumë se 30 vjeç.

*Nga libri me kujtime “Gjallë pas mbytjes së anijes”

Please follow and like us: