Albspirit

Media/News/Publishing

Diana BUNJAKU: Biden, apel për shkatërrimtarët e Kosovës

 

“Biden vjen për të parë nga afër se çfarë po ndodh në Kosovë dhe për të kuptuar, janë apo nuk janë shqiptarët e sotëm të Kosovës ata që para 17 vitesh shtireshin, duke thënë se Serbia nuk po i lë shqiptarët që të tregojnë vlerat e tyre të një tradite të lashtë dhe të pastër liridashëse për tu vetëqeverisur dhe të standardeve të demokracisë “hyjnore”. Biden vjen në Kosovë për të thënë: ” Ç’keni o të mjerë, që u ka marrë koka erë, e bëtë Kosovën pleh!” Sigurisht që Biden nuk do të takojë opozitarët, sepse opozita e Kosovës i ka treguar të gjitha faqezezëllëqet dhe nuk e vlen që të merret me ta”, ka thënë Skënder Zogaj.

Vizita e Nënkryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, është një moment i veçantë, gjithsesi edhe shumë emocional për popullin shqiptarë të Kosovës. Analistët politikë vlerësojnë, se kjo vizitë po vjen në një nga momentet më delikate të zhvillimeve politike në Kosovë.  Sipas tyre, Biden vjen për të parë nga afër se çfarë po ndodh në Kosovë dhe për të kuptuar, a janë apo nuk janë shqiptarët e sotëm të Kosovës ata që para 17 vitesh shtirreshin duke thënë, se Serbia nuk po i lë i lenë shqiptarët që të tregojnë vlerat e tyre të një tradite të lashtë dhe të pastër liridashëse për tu vetëqeverisur dhe të standardeve të demokracisë “hyjnore”.  Arbër Gashi, njohës i çështjeve politike ka thënë, se vizita e Nënkryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një moment i veçantë, gjithsesi edhe shumë emocional për popullin shqiptar të Kosovës.  Ai ka thënë, se kjo vizitë po vjen në një nga momentet më delikate të zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Paralajmërimi se z. Biden nuk do t’i takojë liderët e opozitës nuk paraqet ndonjë risi.  “Realisht, në vendet evropiane, një sjellje e tillë ndaj opozitës së një shteti nikoqir, nuk do të mirëpritej fare dhe do të kritikohej shumë ashpër, sepse ky gjest, në Zvicër, Gjermani, Suedi etj. do të interpretohej si ofendim kolektiv i një shoqërie demokratike dhe jo vetëm anashkalim i opozitës. Prandaj, nëse z. Biden nuk i takon liderët e opozitës, kjo nuk do të thotë automatikisht se opozita jonë është e paragjykuar nga zyrtarët e SHBA”, ka thënë Gashi.  Sipas tij, zyrtarët amerikanë përkundrazi e dinë se në Kosovë përkrahja e shqiptarëve për SHBA-të, është e pathyeshme, ndjenjë kjo e kultivuar edhe falë opozitës.  “Ne jemi të vetëdijshëm, se ekzistojnë tendencat e disa qarqeve fetare ekstreme që t’i minojnë këto ndjenja dhe të ndikojnë në ftohjen e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht vështirësive dhe sfidave që sjell në tryezë realiteti politik, marrëdhëniet e shqiptarëve me SHBA-të i lidhë liria e Kosovës dhe pavarësia e saj. Gjithsesi, në të ardhmen presim mbështetjen e SHBA-ve, për bashkimin kombëtar dhe inkuadrimin e shqiptarëve të bashkuar në Aleancën Veri atlantike”, ka thënë Gashi.  Duke folur për çështjet aktuale, Gashi ka thënë, se nuk pret ndonjë ndryshim të qëndrimit opozitar karshi marrëveshjeve të Brukselit. “Nuk pres ndonjë presion të SHBA-ve në drejtim të opozitës për të hequr dorë nga kërkesat e saj”, ka thënë Gashi.

Skënder Zogaj analist politik ka thënë, se Biden nuk vjen në Kosovë për të zgjidhur problemet e bashibozukëve të ndërkryer, të cilët qëllimisht i kanë ngatërruar punët, për të krijuar mjegulla, me shpresën se kështu do të mund të fshihen dhe t’i fshehin mëkatet e jashtëzakonshme që ia kanë bërë popullit të shumëvuajtur shqiptarë. Ai ka thënë,  se Biden vjen si mik për të sinjalizuar se miqësia amerikane ende vlen për shqiptarët e Kosovës, të cilët duhet të kthjellen dhe të gjykojnë më drejtë se çfarë duan nga vetvetja e tyre dhe pas kësaj të mobilizohen për ta pastruar Kosovën nga kriminelët të cilët e kanë kapur shtetin dhe po e ngulfasin.

Please follow and like us: