Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshimi i politikës së jashtme të Turqisë shqetëson aleatët perëndimorë

Duke e distancuar veten nga aleatët e vjetër Perëndimorë dhe duke u kthyer nga Moska, presidenti i Turqisë po sinjalizon një ndryshim të madh strategjik, që mund të ketë një impakt të mundshëm përtej kufijve ballkanas.

 BIRN Ankara, Stamboll

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dëgjon fjalimin e presidentit rus Vladimir Putin gjatë takimit të tyre në Rusi më 9 gusht. Foto: Alexander Zemlianichenko/AP

Nga zyrtarët ndërkombëtarë te ekspertët dhe analistë rajonalë, të gjithë sytë këto ditë janë përqendruar mbi Turqinë dhe presidentin e saj, Recep Tayyip Erdogan i cili – pasi i mbijetoi një grushti shteti së fundmi dhe lançoi një kundërpërgjigje të madhe mbi ata që dyshon se fshihen pas tij – duket se po përgatit një hap të ri madhor. Erdogan të martën u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në atë që shihet gjerësisht si një sinjal i një ndryshimi të rëndësishëm gjeostrategjik. Pasi ishte një aleat i besuar i Amerikës dhe NATO-s dhe një vend kandidat për në BE për dekada, Turqia po mendon një kthim të plotë të faqes dhe afrim me Rusinë, la të kuptohej Erdogan përpara vizitës së tij me Putin. “Besoj se do të hyjmë në një fazë krejt të re me hapat që kemi marrë dhe do të marrim,” tha Erdogan para takimit me Putin. Vetëm përmendja e një ndryshimi të tillë të madh po përçon tronditje në rajon dhe më tej. “Pasojat e një përmirësimi marrëdhëniesh mes Rusisë dhe Turqisë janë të rëndësishme për politikën në Siri dhe NATO-n në vetvete… lideri rus ka kapur shansin për të shkaktuar frikë në kryeqytetet e Europës dhe në Uashington,” shkroi Daily Telegraph e Britanisë më 10 gusht në një editorial. Ekspertët theksojnë se ekonomia e Turqisë, bankat dhe ushtria janë të lidhura ngushtë dhe të varura nga aleatët e saj perëndimorë, kështu që ndryshimi i “krahut” nuk do të jetë i lehtë. Megjithatë, ata theksojnë se edhe ideja e një veprimi të tillë tregon se sa janë përkeqësuar marrëdhëniet kohët e fundit. Putin e priti Erdoganin në Pallatin Konstantin, i njohur si Pallati i Carëve, jashtë Shën Petersburgut. Duke folur pas takimit, të dy presidentët thanë se kishin rënë dakord për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara mes dy vendeve dhe thanë se kishin diskutuar për heqjen e sanksioneve ruse, të cilat u  vendosën pas Turqia rrëzoi një avion rus nëntorin e kaluar. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes presidentëve që nga 13 qershori 2015 në bisedimet e mbajtura mbi Lojërat Europiane Baku 2015. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë u përkeqësuan në mënyrë dramatike, pasi Turqia dhe Rusia morën qëndrime të kundërta në luftën civile në Siri dhe pasi Turqia rrëzoi një avion rus Sukhoi Su-24, i cili sipas Turqisë kishte shkelur hapësirën ajrore të saj. Putin shkoi aq larg saqë refuzoi një takim me Erdoganin gjatë takimit botëror të klimës në Paris më 30 nëntor. Pas rrëzimit të avionit të saj, Rusia vendosi viza për vizitorët turq, dhe sanksione ekonomike në fushën e turizmit, ndërtimit, tekstileve, bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Grushti i dështuar dhe kundërpërgjigjja ndryshojnë lojën

Një grua mban foton e presidentit turk Erdogan gjatë protestës anti-grusht shteti të mbajtur në sheshin Taksim më 10 gusht 2016. Foto: Thanassis Stavrakis/AP

Situata ndryshoi, megjithatë, pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në mes të korrikut dhe pasi qeveria e Erdogan lançoi një përgjigje të ashpër ndaj të dyshuarve si përgjegjës. Më shumë se 75.000 njerëz janë pezulluar nga ushtria, policia, gjyqësori, byroja, sistemi i arsimit, OJQ-të dhe mediat. Qeveria turke ka revokuar edhe licencat e mësimdhënies për 30.000 mësues në sektorin privat. Numri i njerëzve të cilët kanë punuar në OJQ-të, mediat dhe kompanitë tashmë të mbyllura është i paqartë, por është vlerësuar të jetë dhjetëra mijëra. Sipas zyrtarëve turq, 16.000 njerëz, përfshirë edhe gjeneralët e oficerët e ushtrisë, gjykatësit, policët, mësuesit, gazetarët dhe punonjësit e OJQ-ve janë arrestuar përveç rreth 6.000 personave që ishin tashmë në paraburgim. Qeveria turke ka anuluar edhe 49,211 pasaporta për të ndaluar personat e dyshuar si pjesë e grushtit të shtetit nga largimi jashtë vendit. Liderët turq po diskutojnë rikthimin e dënimit me vdekje, të paaplikuar në Turqi që nga viti 1984 dhe të nxjerrë nga legjislacioni në vitin 2004. Edhe para përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit të korrikut, Erdogan kishte tentuar një afrim me Moskën, duke i dërguar Putinit një letër më 27 qershor duke shprehur keqardhje për vdekjen e pilotit rus të vrarë nëntorin e kaluar, tha Kremlini. Pasi grushti i shtetit dështoi, Putin ka qenë ndër udhëheqësit e parë që shprehu mbështetje për Erdoganin, njoftuan zyrtarët turq. Më 16 korrik, ai telefonoi Presidentin turk për të shprehur ngushëllimet për viktimat e dhunës. Ndërkohë, lidhjet e Turqisë me Perëndimin janë përkeqësuar pasi SHBA refuzoi të ekstradojë organizatorin e dyshuar të grushtit të shtetit, klerikun mysliman Fethullah Gylen me bazë në SHBA. Uashingtoni tha se kishte nevojë për prova të forta të përfshirjes së tij. Vendet e BE-së kanë shprehur ndërkohë shqetësim në rritje në lidhje me kundërpërgjigjen e qeverisë turke. SHBA, BE dhe NATO i kanë kërkuar Turqisë që të mos e përdorë grushtin e dështuar të shtetit si justifikim për të kryer “gjueti shtrigash” kundër opozitës, dhe të mos braktisë parimet demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, më 25 korrik i tha një televizioni francez se Turqia do të humbë çdo mundësi të anëtarësimit në BE në qoftë se ajo rikthen dënimin me vdekje, ku më pas Turqia paralajmëroi BE-në që të mos e kërcënojë Turqinë. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të martën para takimit të Erdogan me Putin: “Ne duhet të jenë më mbështetës me Turqinë pas grushtit të dështuar të shtetit, por në të njëjtën kohë Turqia duhet të jetë më e kujdesshme me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në masat post-grushtit të shtetit”. “Ne jemi shumë të lumtur që Turqia dhe Rusia po i rregullojnë marrëdhëniet, por ky riafrim nuk është alternativë ndaj NATO-s”, shtoi ai. Në ditën e takimit Erdogan-Putin, zëdhënësi i Partisë Liberale daneze në pushtet, Michael Jensen tha se Turqia kishte kaluar një vijë të kuqe me të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike. “Turqia duhet të hiqet nga lista e kandidatëve për anëtarësim në BE, ndërsa vendi po mendon të rikthejë dënimin me vdekje”, tha ai. Erdogani nuk i ka toleruar kritikat europiane. Ai i tha TV Italian më 2 gusht se besonte se BE-ja kishte marrë anën e komplotuesve të grushtit të shtetit. Le Monde e Francës njoftoi ndërkohë më 7 gusht se presidenti turk kishte kërcënuar edhe anulimin e marrëveshjes së fundit me BE-në për pritjen e refugjatëve të Lindjes së Mesme, e cila shihet si vendimtare për BE-në në ndalimin e valëve masive të emigrantëve nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme. “Perëndimi dhe BE-ja e lanë Turqinë vetëm gjatë dhe pas grushtit të shtetit dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë,” u citua të ketë thënë Erdogan. Disa ekspertë theksojnë se lidhjet midis BE-së dhe Turqisë tashmë po prishen për shkak se BE-ja ka shmangur për vite aspiratat e anëtarësimit të Turqisë. Më e ndjeshme ndaj rëndësisë strategjike të Turqisë për operacionet anti-terroriste dhe ato ushtarake, SHBA ka qenë më pak kritike ndaj veprimeve të fundit të Turqisë, krahasuar me BE-në. Uashingtoni është përpjekur të balancojë përkrahjen për Erdoganin me thirrjet për të qetësuar kundërpërgjigjen. “Ne qëndrojmë në anën e lidershipit të zgjedhur në Turqi”, tha Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në Bruksel pas takimit të ministrave të BE-së më 18 korrik. “Por gjithashtu nxisim fuqimisht qeverinë e Turqisë të ruajë qetësinë dhe stabilitetin në të gjithë vendin”, shtoi Kerry. Megjithatë, refuzimi i Amerikës për të ekstraduar Gylen pa dëshmi të forta të përfshirjes së tij në përpjekjen për grusht shteti, e ka dëmtuar marrëdhënien me SHBA-në. Më 31 korrik, rreth 7000 policë turq bllokuan Bazën Ajrore Incirlik – çelësi i operacioneve ushtarake të NATO-s në rajon, ku ndodhen rreth 50 deri në 90 armë bërthamore taktike – pasi raportet e medias turke lajmëruan se një tjetër kryengritje ushtarake mund të ndodhë atje. Lëvizjet kanë shkaktuar debat të mëtejshëm në SHBA mbi atë që duhet bërë me Turqinë. James G Stavridis, komandant suprem i forcave aleate të NATO-s nga viti 2009 deri në vitin 2013, tha në një artikull të fundit të botuar në revistën Foreign Policy se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më mbështetëse në publik ndaj qeverisë së Erdoganit, për të parandaluar “një ndikim negativ të fortë në aftësinë ushtrisë turke për të kryer detyrat e veta [drejt aleancës së NATO-s]”.

Fushata anti-Gylen shqetëson miqtë e Turqisë

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan i drejtohet mbështetësve të tij gjatë tubimit pro-qeveritar. Foto: Presidenca turke via AP.

Ndërkohë, Erdogan ka dërguar sinjale të qarta se nuk e pranon pendesën. Në një shfaqje masive të forcës më 7 gusht, ai mbajti mitingje masive të mbështetësve të tij në Stamboll dhe qytete të tjera të quajtura “Demokracia dhe Martirët”. Tubimet më të mëdha publike të zhvilluara ndonjëherë në Turqi, panë rreth 5 milionë njerëz vetëm në Stamboll dhe 8 milionë të tjerë të mbledhur në qytete të tjera, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolu. “Operacioni i spastrimit kundër komplotuesve të grushtit të shtetit dhe anëtarëve terroristë të Organizatës Fethullah [FETO] do të vazhdojë derisa edhe i fundit prej tyre të jetë zbuluar,” tha Erdogan në tubimin kryesor, ku ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha partive të pranishme në parlamentin turk – me përjashtim të Partisë Kurde, HDP. Ndërsa Erdogan vazhdon të ndërtojë një bllok të bashkuar kundër komplotuesve të dyshuar, politika e jashtme turke ndërkohë po fokusohet në mbylljen e të gjitha institucioneve Gylen. Birgul Demirtas, një profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Univeristetin TOBB të Ekonomisë dhe Teknologjisë dhe eksperte e Ballkanit, i tha BIRN se si pjesë e masave pas grushtit të shtetit, qeveria turke është përpjekur të bindë të gjitha vendet ku ndodhen institucione të tilla që t’i mbyllë ato. “Pa y thyer aleanca midis Erdoganit dhe lëvizjes Gylen, shkollat e lidhura me Gylen, ashtu si edhe universitetet, nxiteshin dhe mbështeteshin nga qeveria turke pasi perceptoheshin si pjesë e fuqisë së butë të Turqisë. Në vitet e fundit Turqia u përpoq të përmirësojë lidhjet e saj me shoqëritë e Ballkanit nëpërmjet diplomacisë kulturore, ekonomike dhe arsimore përveç mjeteve klasike të politikës së jashtme”, kujton Demirtas. Gjatë dekadës së fundit, e ashtuquajtura lëvizja Gylen ka hapur shkolla dhe kolegje të shumta, që ndjekin islamin e moderuar të Gylenit, duke ndihmuar Turqinë të lidhet më ngushtë me Ballkanin, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Demirtas theksoi se fushata kundër tyre do të “ketë pasoja në marrëdhëniet Turqi-Ballkan”, ku këto shkolla dhe institucione të tjera të ngjashme janë më të pranishme. “Turqia ka gëzuar një vend të privilegjuar në të gjitha vendet e Ballkanit, kryesisht prej demokracisë funksionale dhe lidhjeve të saj me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n”, vuri në dukje ajo. “Megjithatë… vetëm një Turqi demokratike dhe e europianizuar do të jetë një partner i besueshëm për vendet e Ballkanit”, përfundoi ajo. Deri më tani, qeveria e Erdoganit është mbështetur më shumë te presioni sesa dialogu, për të detyruar vendet e tjera që të mbyllin institucionet gyleniste dhe përpjekjet e saj kanë pasur sukses të përzier. Sipas mediave turke, Azerbajxhani ka mbyllur tashmë një stacion mediatik dhe ka konfiskuar disa shkolla të raportuara si të lidhura me lëvizjen Gylen. Megjithatë, në Kirgistan, një prej aleatëve të ngushtë të Turqisë në Azinë Qendrore, presidenti Almazbek Atambajev ka kundërshtuar Ankaranë pasi ministri i jashtëm turk pretendoi më 28 korrik se nëse Kirgistani nuk mbyllet institucionet Gylen, kjo mund të çojë në një përpjekje tjetër për grusht shteti. “Ky pretendim është absurd dhe Kirgistani është një shtet sovran; ne nuk kemi nevojë për këshilla politike”, tha presidenti në deklaratën për shtyp. Ai falenderoi Turqinë për ofrimin e mbështetjes ndaj Kirgistanit në kohë të vështira, por theksoi se “Turqia duhet të na ndihmojnë pa ndonjë imponim politik”. Zyrtarët konfirmuan më pas se shkollat gyleniste do të vazhdojnë të veprojnë në vend. Rajoni Autonom Kurd i Irakut tha gjithashtu se nuk kishte asnjë mundësi që këto institucione, 24 shkolla dhe një universitet, ku studiojnë më shumë se 13,000 nxënës, të mbyllen. Kërkesa e Turqisë për mbylljen e qendrave arsimore Gylen është më tepër një dilemë për vendet e Ballkanit. Bosnja, Maqedonia dhe vende të tjera të Ballkanit ndjejnë se përfitojnë nga këto institucione dhe nuk duan t’i mbyllin. Nga ana tjetër, ato gjithashtu duan ta mbajnë Turqinë në anën e tyre. Ambasadori turk në Bosnjë, Cihad Erginay i tha një stacioni televiziv lokal më 21 korrik se ka kërkuar nga Bosnja që të mbyllë të gjitha institucionet e lidhura me lëvizjen. Të martën,më 9 gusht, kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjës, ‘Reis-ul Ulema’, Husein Kavazoviç, duke marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të lartë islamik nga rajoni në Ankara, u përgjigj me kujdes. Ai tha se lëvizja Gylen ishte e pranishme në Bosnje, ashtu si në pjesë të tjera të Ballkanit dhe shtoi se autoritetet boshnjake do të ndërmarrin veprime kundër lëvizjes në Bosnje brenda “kuadrit ligjor”. Nga ana tjetër, Sudani, Nigeria dhe Somalia, të gjitha vende të varfra që kanë nevojë të madhe për ndihmë turke, kanë mbyllur të institucionet e gylenistëve, përfshirë shkollat, spitalet dhe kompanitë. Megjithatë, viktima më e madhe e konflikteve Erdogan-Gylen duket se janë marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, ku ndodhet ende kleriku islamik në Pensilvani. Kryetari i Shtabeve të Përbashkëta të Shefave të SHBA, gjenerali Joseph Dunford, mesa duket se u përpoq të rregullonte marrëdhëniet gjatë vizitës së tij të fundit në Ankara dhe në Incirlik në fillim të gushtit, por autoritetet turke duket se mbetën të pakënaqura me vizitën e tij, thonë ekspertët. Pas vizitës, ministri i jashtëm Çavusoglu njoftoi se Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry, do të vizitojë Turqinë më 24 gusht, dhe se SHBA do të dërgojë më parë një grup zyrtarësh për të diskutuar të ardhmen e Gylenit para mbërritjes së Kerry në Turqi. Ndërsa është e qartë se SHBA-ja nuk është e gatshme të heqë dorë nga aleati i saj prej disa dekadash, ekstradimi i Gylen për në Turqi pa prova kundër tij do të shkaktojë dëme të mëdha politike në administratën aktuale të demokratëve, përpara garës së ngushtë presidenciale mes Donald Trump të republikanëve dhe demokrates Hillary Clinton. Për sa kohë që BE-ja dhe SHBA vazhdojnë të shtyjnë çështjen e të drejtave të njeriut në Turqi, dhe për sa kohë sa Erdogan vazhdon fushatën e tij represive, marrëdhëniet mes aleatëve të vjetër duket se janë destinuar të përkeqësohen. Nga ana tjetër, në këtë situatë, lidhjet midis Turqisë dhe Rusisë mund të vazhdojnë të lulëzojnë. Kerim Has, një ekspert në marrëdhëniet turko-ruse në Universitetin Shtetëror të Moskës tha për BIRN se afrimi më i fundit midis Turqisë dhe Rusisë nuk duhet të shihet si një ndryshim i menjëhershëm i politikës së jashtme, por si një reflektim i situatës gjeopolitike ku Turqia dhe Rusia gjejnë veten. Me fjalë të tjera, Turqia dëshiron t’i mbajë të hapura mundësitë e saj. “Nuk pres një ndryshim drastik dhe të rëndësishëm në politikën e jashtme turke nën ombrellën e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë”, tha ai për BIRN. “Afrimi me Rusinë duhet të interpretohet më tepër si një diversifikim i dimensioneve gjeopolitike në politikën e jashtme turke”. shtoi ai.

Please follow and like us: