Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria, pronë private e Edi Ramës

1 stadiumi ok

Gavrosh Levonja/

 

Ende dita nuk ka ague/

T’ndërtojmë na muzej n’Shqipni/

Me kuletë t’shpueme n’gji/

Se për tash muzeu do lane/

Kur ne jemi bark pa ngranë/

Këto vargje nga “Gomari i Babatasit” më vijnë nëpër mend sa herë që Edi Rama flet për të ashtuquajturën “Rilindje urbane” ose kur paralajmëron ndërtime apo shembje objektesh. Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ai paralajmëroi ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet. Jo vetëm kaq, po shpalli se do të ndërtohet mbi “rrënojat e Institutit të Hidrologjisë” diku në njërën nga rrugët që të cojnë në parkun e liqenit, madje bëri të njiohur dhe emrin e tij “Turbina”. Që nga mënyra, me të cilën publikut i bëhet i njohur ndërtimi i një objekti të rëndësishëm në kryeqytet cdo njeri normal arrin në përfundimin se në Shqipëri shteti nuk funksionon. Ashtu si të gjitha punët e projektet “Rama” as mund të bëht fjalë qoftë dhe për një minimum transparence. Normalisht, publiku duhej të ishte njohur prej kohësh me zhvillimet përsa i përket idesë së shndërrimit të godinës së institutit në fjalë në një teatër “modern”, duke filluar nga diskutimet në aspektin urbanistik, për të vazhduar më tej me fizibilitetin, sa e rëndon buxhetin e shtetit, kur dihet se ky nuk është në gjendje të plotësojë nevojat minimale të një pjese të popullsisë e mbi të gjitha a ka nevojë Tirana për një teatër të ri në raport me aktivitetin artistik që zhvillohet aktualisht. Kështu, para kryeministrit duhej të kishim dëgjuar zërin e ndonjë përfaqsuesi të Këshillit të Rregullimit të Teritorit, kryebashkiakun e Tiranës, ministrin e Financave apo ndonjë zyrtar të këtij, ministren e Kulturës etj. Por, duke dëgjuar gjithcka nga goja e kryeministrit nuk ka si të mos krijohet përshtypja se ky sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale a thua se i ka të trashëguara nga familja e tij. I teket të ndërtojë ose të shkatërrojë një objekt, teatër, stadium, pallat, rrugë duke përcaktuar dhe kompanitë private qo të ekzekutojnë projektet e tij apo do t’i marrin në koncesion pasi të jenë ndërtuar dhe, të gjitha i bën pa e carë kokën për askënd. Ndërkohë Himara është bërë shembulli i asaj që kryeministri aktual po sillet dhe si zot edhe i pronave private të himariotëve duke u rrekur t’u shembë shtëpitë e ngritura nga paraardhësit dhjetra vite më parë. Gjitmonë, pa pyetur askënd duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen e ndonjë sejmeni në funksionin e amplifikatorit të fjalëve të tij. Por më shume se trillet e kryministrit shqetësues është fakti që si nuk i del ndonjë zyrtar me dy para mend në kokë dhe me një minimum ndershmërie që t’i thotë: “ndal, kjo nuk ka logjikë…” në kohën që të tjerë të cilët nuk varen prej tij mund t’i a thonë më copë: “mjaft më o i cmendur”. Por, duket se dhe Edi Rama e ka njohur mirë karakterin e shqiptarit që nuk e can kokën fare për atë që është publike, pos hapsirës që ndodhet nën catinë e tij. Po të vazhdojë të jetë kryeministër dhe për disa vite, jam i sigurt se jo shumë vonë mund të asistojmë në shembjen e pallateve “Agimi”, Shallvareve etj per t’i zevendësuar me ndërtesa të reja, sic predikonte muaj më parë një arkitekt italian i lidhur me Ramën & Co. Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për të vazhduar me ndërtime tashmë kur nuk ka më hapsira boshe. Nuk jam kundër ndërtimit të objekteve social kulturore, por ai vend ka nevojë për gjëra të tjera jetike. Para stadiumeve e teatrove që në fund të fundit janë objekte “qejfi”, ku njerzit shkojnë për t’u argëtuar, duke kaluar kohën e lirë, paratë e buxhetit duhen shpenzuar për objekte që krijojnë punë ose që kthejnë shpenzimet e bëra brenda një kohe sa më të shkurtër duke krijuar mundësi financiar për investime të tjera, pa pasur nevojë që të përdoret koncesioni si gomë shpetimi. Ka ca kohë që po flitet për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” më duket për nja tridhjetë vjet. Koncesioni është një mekanizëm i cili përdoret përgjithsisht në situata kur shteti nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar apo menaxhuar me efikasitet një objekt të caktuar. Por dhënia apo marrja me koncesion kërkon eksperience dhe aftësi në një nivel të lartë ekonomike, financiare dhe në specialitetin përkatës të objektit të caktuar për t’u dhënë me koncesion. Nuk mund të japësh dicka me koncesion si të japësh një kothere bukë. Një koncesion i pastudiuar, i bërë në bazë llogaritjesh të përcipta, pa përmendur aspektin korruptiv i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit dhe pasojat bien mbi xhepin e qytetarëve. Konkretisht koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare duke filluar që nga Rinasi për të përfunduar tek koncesionet qesharake të viteve të fundit në shëndetësi kanë rezultuar me pasoja për shqiptarët. Duke i u kthyer koncesionit të “Rrugës së Kombit” mendoj se po të mos i conte paratë për stadiume, për shembje objektesh, për mobilim zyrash etj do t’i kishte fondet që I duheshin për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që do të mundësonte mbledhjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit”. Në këtë mënyrë, ato para që do t’i mblidhte koncesionari do të shkonin në arkën e shtetit për t’i shpenzuar pastaj në mirëmbajtjen e përmirësimin e saj. Logjikisht koncesionari llogarit fitimin përndryshe nuk ka pse i hyn një ndërmarrjeje të tillë, a thua se ka para tepër për të humbur. Duke devijuar fitimin e koncesionarit në drejtim të arkës së shtetit Edi Rama mund të kënaqë trillet e tij për të ndërtuar stadiume e teatro si dhe të zbukurojë zyrat. Nuk ka dyshim, se shteti me mjetet që nevojiten i ka të gjitha mundësitë që t’i a dalë mbanë menaxhimit të “Rrugës së Kombit” dhe shumë gjërave të tjera për të cilat ka në majë të gjuhës koncesionin tashmë të maskuar nën “partneritet publik privat”. Në kohën e komunizmi një ndërmarrje si “Rruga-Ura” mirëmbante gjithë rrugët e vendit, vallë kaq i pafuqishëm të jetë shteti i sotëm sa të mos ketë mundësi e mjete për t’u kujdesur për 60 km rrugë, apo për ndërtimin e tetë sporteleve ku drejyuesit e mjeteve të paguajnë taksën e kalimit?

Please follow and like us: