Albspirit

Media/News/Publishing

Viktimizmi

Nga Tzvetan Todorov

Forma e parë e dorëheqjes nga autonomia i përket individit dhe konsiston në të menduarit sistematikisht si të papërgjegjshëm për fatin vetjak, thënë ndryshe si viktimë. Europianët që shkojnë në SHBA mbesin të habitur nga ky aspekt i jetës amerikane, ku është përherë e mundur të kërkohet përgjegjësia e të tjerëve për atë që nuk funksionon në jetën tonë. Nëse im bir rrëzohet në rrugë është faji i bashkisë që nuk i ka bërë siç duhet trotuaret; nëse plagosem duke prerë barin, është faji i prodhuesve të kositëses. Të jesh viktimizuar në të shkuarën, keqtrajtuar nga prindërit etj., duket se është shndërruar në mbrojtjen më të mirë në proceset penale.

Statusi i ish-viktimës shpjegon gjithçka: pikërisht për këtë kam të drejtë sot t’i masakroj ose, variant, t’i shpie në gjyq për gjithë të keqen që më kanë bërë; jam keqtrajtuar nga im shoq dhe për këtë e kam tredhur; nëse sot nuk jam i lumtur, faji është i prindërve të mi në të shkuarën dhe i shoqërisë së sotme, sepse nuk kanë bërë asgjë për realizimin tim. I vetmi hezitim që mund të kem është nëse për të arritur zhdëmtimin duhet t’i drejtohem avokatit apo psikoterapistit, por në të dyja rastet janë vetëm një viktimë, nuk kam përgjegjësi.

Askush nuk do që të jetë viktimë, sepse nuk ka asgjë të pëlqyeshme në atë rol, por të gjithë dëshirojnë të kenë qenë: aspirojnë statusin e viktimës. Një tablo e jetës private e njohur prej kohësh: pjesëtari i familjes përvetëson rolin e viktimës sepse në atë mënyrë mund t’u atribuojë atyre që e rrethojnë rolin më pak komod të fajtorit. Të qenurit viktimë i jep të drejtën e ankesës, kundërshtimit dhe protestimit gjatë gjithë kohës, ndërsa të tjerët, nëse nuk ndërpresin çdo marrëdhënie, janë të detyruar t’i përgjigjen kërkesave. Është më i favorshëm qëndrimi në rolin e viktimës sesa përfitimi i ndonjë dëmshpërblimi: në vend të përmbushjes specifike të dëshirës, përftohet një privilegj permanent, gjë e cila siguron vëmendjen dhe njohjen nga të tjerët.

E reja e ditëve tona qëndron në faktin se roli i viktimës individuale kërkohet publikisht. Konfigurimi viktimist u leverdis shumëve, është e vërtetë, sepse ofron role komode: në radhë të parë ish-viktimës e pastaj avokatit të saj. Njerëz të politikës dhe yjet e spektaklit e kanë kuptuar se nuk mjafton më imazhi i fituesit, ndaj nevojitet ndërlidhja, në ndonjë mënyrë, edhe me kauzat e viktimës. Dhe ky është sigurisht njëri prej ndryshmeve më interesante të verifikuara në shoqërinë amerikane të viteve të shkuara: zëvendësimi i figurës ideale të heroit me atë të viktimës. Më përpara të gjithë krenoheshin nga të qenurit më të fortët, kurse sot më të shtypurit; më përpara lavdërohej self-made man, ndërsa sot personazhi që i është dashur përherë të pësojë. Heronjtë nuk kanë qenë kurrë të shumtë në asnjë epokë, por ideali heroik ka pasur gjithmonë prestigjin e tij. Përse e ka humbur? Nga buron ky “vullnet pafuqie”? Çështja mbetet e hapur, por njëra prej arsyeve duket se është pozita më fitimprurëse e viktimës sesa ajo e heroit.

Jo të gjitha ankesat janë imagjinare, sigurisht dhe viktimat e vërteta kanë të drejtën e dëmshpërblimit, por kjo duhet vendosur me analizën e çdo rasti. Ajo që më bën përshtypje është pozicioni i spikatur në debatin publik që merr aspirata e të qenurit viktimë. Asnjëri prej nesh nuk është përherë i vendosur: të gjithë manovrohemi nga forca të cilat nuk jemi në gjendje t’i influencojmë, mirëpo mund të veprojmë edhe si subjekte autonome.

Njëri nga leksionet morale të kampeve të përqendrimit në totalitarizëm është pikërisht sepse deri në çastin e fundit njeriu mund të zgjidhte mes dorëzimit të plotë apo konservimit të një thërrmije dinjitet, dorëzimit ndaj egoizmit apo shqetësimit për të tjerët. Në kushte pafundësisht më pak shtrënguese të jetës sonë të përditshme, determinizmi dhe liria përzihen në mënyrë shumë të ekuilibruar. Nëse duke u rrëzuar thyej këmbën, që të dyja, unë dhe hyjnorja, jemi përgjegjës, dhe dëmshpërblimi nga qyteti do të nënkuptonte që uni im ka hequr dorë nga çdolloj formë autonomie, por jo nga lakmia. Askush nuk është vetëm viktimë në marrëdhënien me të ngjashmit e tij.

Kush ka qenë viktimë e një paragjykimi ka të drejtën e kompensimeve. Po ja që kompensimi merr djallëzisht vendin e drejtësisë, duke sugjeruar, gabimisht, se mjafton të qenurit të dobët për të pasur të drejtë. Në një moment të dytë e drejta për të qenë si gjithë të tjerët shndërrohet në rivendikim privilegjesh, që do të riekuilibronin padrejtësinë. Nuk është e nevojshme që ai kompensim të përkthehet në formë legale apo materiale, përfitimet simbolike janë më të kërkuarat. “Dëshira imituese”, për ta thënë si René Girard, është po aq shumë e paevitueshme saç edhe injorohet nga kush e bart.

*antropolog

Ekstrakt i përpunuar nga L’Homme dépaysé (Seuil 1996) e Tzvetan Todorov.

Please follow and like us: