Albspirit

Media/News/Publishing

“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia nderojnë pilotët dëshmorë në Shqipëri

Para disa ditësh, në Bazën Ajrore Farkë u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave dhe boceteve të Shqiponjës për dy dëshmorët e Atdheut, Kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, me seli në Filadelfia, SHBA. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë Komandanti i Bazës Ajrore Farkë, Kolonel Kuto Hasani, Kryetari i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, zoti Kujtim Serani, Kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, dega Filadelfia, zoti Tajar Domi, Zvëndëskryetari, zoti Haki Kollaku, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë. Fillimisht, Komandanti i Bazës Ajrore, Kolonel Kuto Hasani, falenderoi organizatorët e ceremonisë dhe përfaqësuesit e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, për vëmendjen dhe interesin e kushtuar ndaj dy pilotëve të rënë në krye të detyrës. Më pas zotërinjtë Tajar Domi dhe Haki Kollaku në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan të Filadelfias, shprehën ngushëllimet e tyre për humbjen e pazvëndësueshme të dy bijve të rënë në krye të detyrës. Ata në shenjë respekti, mirënjohje dhe vlerësimi për dy pilotët e rënë gjatë zbatimit të detyrës, i dhanë familjarëve të tyre “Certifikatën e mirënjohjes”,{Pas vdekjes}, shoqëruar me kokën e shqiponjës me motivacionin: “Kryesia e shoqatës Atdhetare –Kulturore, Bijtë e Shqipes, Filadelfia, SHBA. Të gjithë anëtarët e saj dhe bashkëatdhetarët e tjerë, përulen me nderim para jetës dhe rënies në krye të detyrës të dy pilotëve të Forcave të Armatosura Shqiptare. Mirënjohja jonë për veprën e tyre, bashkohet me atë të popopullit shqiptar, të afërmit e tyre, shokëve dhe miqve, kolegëve ushtarakë në trojet shqiptare dhe jashtë tyre. I paharuar qoftë kujtimi i tyre!”, shkruhet në bocetin e dhënë nga kjo shoqatë. {Sh.Kërcelli}

PS: Me këtë rast redaksia e gazetës “Dielli”, përshëndet aktin human dhe atdhedashës të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia dhe i uron atyre punë të mbarë në këtë mision fisnik.

Please follow and like us: