Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i të birit: Naim Frashëri, Hamleti që nuk iu dorëzua regjimit

naimfrasheri1Në një rrëfim ekskluziv, të rrallë aktori Anil Frashëri flet për babain e tij, Naim Frashërin, një nga aktorët më të talentuar të teatrit që u nda nga jeta më 15 gusht 1975, në moshën 53 vjeçare; la në skenë Hamletin, Gjeneralin, Jonuzin e “peshkatarëve” etj, që ruhen në arkivat e familjes, bashkë me fotot dhe shënimet, por jo në tempullin e Teatrit Kombëtar prej të cilit u largua, duke lëshuar gjak nga goja, nga lodhja dhe ngarkesa psikologjike që shkaktonte regjimi…

Intervistoi: Violeta Murati

-Një ditë më parë aktori Naim Frashëri, pothuaj një imazh emblemë i teatrit shënoi ditën e lindjes së tij, duke kaluar në heshtje. Nuk është heshtja vetëm për këtë aktor, por në përgjithësi duket se ndjeshmëria për historinë, për krijuesin mungon…Kemi ç’të kujtojmë?

Po është e vërtet që babai më 15 gusht kishte ditëlindjen, por dhe kësaj radhe figura e tij dhe emri  – që janë imazhi, emblema e teatrit në veçanti dhe i kinematografisë shqiptare – u lanë në heshtje totale. Kjo ka ndodhur dhe ndodh dhe me artistë të tjerë të shquar, të kombit tonë. Unë mendoj se, ka me vite një mendje djallëzore për t’i harruar këta korifej të artit shqiptar dhe që t’i mbuloje pluhuri i kohës, për t’i fshirë këtij vendi kujtesën dhe dashurinë për artin nga shpirti i tij. Harresa e këtyre figurave ka dhe një objektiv tjetër nga këta keqdashës dhe injorantë që drejtojnë artin dhe kulturën shqiptare duke promovuar  antivlerat artistike që kanë mbushur metropolin dhe këdo qytet në vendin tonë. Pra, kam bindjen e plotë se, si Naimi dhe çdo figurë tjetër kështu do mbeten nga shteti i tyre, të harruar, të injoruar që shkon deri në përbuzje. Juve ju falenderoj si një nga mediat e pakta që po shkruani për këtë fenomen.

-Ndryshe nga sa kujtohen aktorët e socrealizmit, që luajtën në teatër dhe film, jeta e Naim Frashërit duket sikur nuk i takon kësaj rryme. Në këtë rast është portreti  i tij, si dëshmi që bënte përjashtim. Ju jeni i biri, me formim po artistik, dhe në këtë distancë mund të na jepni këtë përshkrim se çfarë përmase ishte?

Sigurisht që babai jetoi dhe punoi në një sistem diktatorial, siç di që edhe shumë artistë të rangut botëror jetuan dhe punuan nëpër sisteme të tjera si, ai nazist dhe fashist ndërsa nderohen dhe respektohen jo për sistemin ku kanë jetuar dhe punuar, por për vlerat e tyre universale. Ndaj dhe babai pavarësisht se jetoi dhe punoi në atë sistem të egër interpretoi figura të tilla që mbeten emblema të interpretimit skenik dhe kinematografik. Sigurisht që im atë u rrit në një nga familjet më patriotike dhe me një kulturë universale. Ndaj përmasa dhe figurat e krijuara prej tij kanë atë peshë, e aromë patriotike që nuk e gjen në asnjë aktor tjetër shqiptar.

Ishte ajo dashuri për vendin e tij dhe popullin e tij që figurat më të mëdha të krijuar nga babai kanë aromën dhe temperamentin unik shqiptar, që nga Hamleti dhe deri tek shfaqja e tij e fundit – me figurën e Jonuz Brugës tek “Familja e peshkatarit”. Edhe në kinematografi figura e kasapit gjerman Han Van Shtolcit tek filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” është sa gjerman po aq shqiptar. Pse pak shohim tani figura kaq të ngjashme si figura e Han Van Shtolcit që prej ardhjes së “demokracisë” e deri sot në krye të institucioneve dhe shtetit shqiptar? Do gaboni nëse mendoni ndryshe! Ndaj figurat e krijuara nga babai janë reale si nga forma por dhe karakteri i tyre. Për këtë them se Naim Frashëri ishte dhe do mbetet unik në krijimin e karaktereve.

– A keni arkivë foto apo letra, momente pune, ditarë…? Po në teatër keni kërkuar, çfarë ruhet për aktorin?

Naimi ka një arkiv të pasur të të gjithë jetës së tij si fotografi, letërkëmbime me mamanë kur ishte jashtë sidomos gjatë xhirimeve të filmit “Skëndërbeun”, dhe shënime për role të ndryshme, për opinionet e kolegëve të tij si dhe shënime ku duket qartë pesha e rëndë e atij sistemi. Sa për arkivën pranë Teatrit Kombëtar nuk gjen pothuajse asgjë rreth kësaj figure sidomos viteve të fundit. Dhe një bust allçie i blerë dikur nga teatri në Galerine e Arteve, ka vite e vite që qëndron në atë ahur, në mos ndoshta nuk ekziston më, pra qëllimi për të cilën u mor si bust: për t’u vendosur në sallë apo në oborr, nuk u bë kurrë.

– Artistët kanë një proces artistik deri në realizimin në skenë, si ka qenë kjo te Naimi, kur merrte rolin? Ka ndonjë situatë a moment që e mbani mend, për shembull kur luajti Hamletin, Gjeneralin…rolet që donte më shumë, apo që e kanë munduar, çfarë ndante me ju?

Babai ka në biografinë e tij artistike mbi 84 role që të gjitha role kryesore dhe kryerole por rolet më të dashura të tij kanë qenë ose duhet të kenë qenë sigurisht Hamleti, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Jonuz Bruga tek “Familja e peshkatarit” dhe shume role të tjera që unë si kam arritur. Babai të gjitha rolet i ka dashur me dashurinë e një prindi të dhembshur që në embrionet e figurës deri sa ato merrnin jetë dhe bukuri skenike…Ndaj punonte me to me shumë përkujdesje, derisa edhe ne fëmijët realë të tij bëheshim interpretues ose lexuesit më të mire të personazheve të tjerë, sidomos kur babai kishte dialogje me ta. Ai këtë e bënte sipas mendimit tim për të parë evoluimin e personazhit që do të interpretonte, gjatë procesit të punës me të për të parë efektin që linte te ne interpretimi i tij. Me një fjalë familja jone ishte spektatorja e parë që shikonte shfaqjen që do interpretonte babai.

– Pavarësisht regjimit duket se shqiptarët në fshehtësi i ruanin ndieshmëritë për njerëzit që donin. Nga sa është thënë deri tani, ka pasur një përcjellje mbarëpopullore për këtë aktor. Ndarë në një  moshë relativisht të re, a mund të na sillni ndër mend se si kanë qenë  momentet e fundit të jetës, çfarë kujtoni nga përcjellja e tij?

Pavarësisht nga regjimi atij iu bë një përcjellje dinjitoze por madhështia e përcjelljes për në banesën e fundit ishte populli i Tiranës dhe qindra të tjerë që kishin ardhur nga qytetet e Shqipërisë. Mund të ishin me mijëra që e qanin dhe e përcillnin në heshtje. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Babai ishte një nga bijtë më të devotshëm i këtij populli, ishte Artist i Popullit dhe populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, të cilin e nderuan dhe lëshuan lot duke e përcjellë me dinjitet si një nga bijtë më të mirë të tij.

-Ka qenë një plejadë e ‘60-70-ës të cilët përmenden se nuk i vijnë më teatrit shqiptar, ku përfshihet dhe babai juaj. A mund të na thoni çfarë ju kujtoni nga marrëdhënia e tyre, si e shihte Naimi teatrin?

Marrëdhëniet e babait me kolegët kanë qenë sa shoqërore po aq dhe profesionale gjë që sot as mund ta mendosh një marrëdhënie mes kolegësh. Ata ndihmonin njëri-tjetrin për role të ndryshme sa dhe kur iknim me pushime shkonim bashkë,  dhe bisedat për artin dhe teatrin zinin vendin kryesor. Kjo ndodhte sepse babai e shihte teatrin jo si një vend ku punonte për të nxjerrë një rrogë por ai e shikonte dhe e vlerësonte si një tempull të dijes dhe të kulturës shqiptare.

-A ka ndonjë rast nga regjimi që të mund të ketë refuzuar ndonjë rol, meqë në film kanë mbetur në kujtesë disa role negative …sa qëndron kjo?

Naimi nuk ka refuzuar role, por sigurisht duke qenë gjithnjë një njeri selektiv ai merrte atë rol që i pëlqente…

-E kishte domethënë këtë liri, ose le ta themi autoritet në atë kohë për të marrë rolet që donte? Flasim për nga potenca artistike, për një talent si Naimi ishte e lehtë kjo?

S’kishte të bënte me autoritetin sepse ai shumë pak role negative ka pasur tre ose katër. Të tjerat kanë qenë  role dashnorësh si Hamleti, Ferdinanti etj., si dhe heronj. Por ishte e pamohueshme aftësia e tij, ndoshta për këtë arsye mund të konsiderohej liri fakti që i zgjidhte rolet i pari, dhe atij i caktohej në fillim roli…por do të thoja se, këtë potencë artistike në të shumtën e rasteve e mbytën Naimin sepse ekzistonte dhe një ego e tmerrshme ndaj tij, i cili iku nga ai teatër duke pështyrë gjak nga goja, për shkak të mbingarkesës, lodhjes. Pse iku Naimi 3 vjet para se të vdiste… Unë them se klima mbytëse e regjimit dhe egoja e kolegëve e detyruan të largohej, sepse Naimi s’do të pranonte të ikte kurrë nga Teatri.

-Paska qenë i trishtueshëm ky fakt, largimi nga Teatri?

Po, prandaj ai shkoi pedagog në Arte, pasi nuk rrinte dot pa skenën, duke u kthyer më fuqishëm se kurrë me Jonuz Brugën, dhe me atë rol nga “Familja e peshkatarit”, mbylli sytë përgjithmonë. Ai e ndjente se i kishte mbetur dhe një gjë pa e bërë ajo shfaqje, vepër në variantin e parë ku ka luajtur Selimin dhe Kadriun, duke dashur të kthehej, siç u kthye për të luajtur në rolin e Jonuzit, njeriun patriot dhe të thjeshtë.

-Ishte pengu i tij roli i Jonuzit?

Ky siç duket ishte pengu që më në fund e luajti dhe vdiq. Mund ta quash një vdekje të paralajmëruar që me ikjen e tij nga teatri. Ndaj u kthye vetëm për të lojtur Jonuzin dhe iku përgjithmonë…

-Së fundi, ju keni pasur fatin të keni në familje emblemën e teatrit, e dini së brendshmi çfarë do të thotë e si krijohet përmasa e një aktori, a ka të krahasuar me ç’bëhet sot, sipas jush?

Për këtë pyetje, desha të isha pak i rezervuar sepse që të bëhesh aktor në radhë të parë është kultura që ke marrë dhe ke trashëguar; e dyta është pasioni për t’u bërë aktor; e treta ka të bëjë me të qenit një lexues shumë i mire i kulturave të tjera.

Please follow and like us: