Albspirit

Media/News/Publishing

S’KA PAQE AS NË VARR (PËR JONIDAT)

Vali Qyrfyçi

Vali Qyrfyci

E braktisur, e vetme dhe e pambrojtur këtej e andej vdekjes, Jonida nuk është më. Fati i saj godet me një grusht të fortë moralin e rremë, kornizat e një shoqërie paragjykuese e diskriminuese deri në palcë që na rëndojnë të gjithëve. Vetëm pak njerëz guxuan ta përcjellin për në banesën e fundit. Familja u mposht nga turpi i lakuriqësisë së vajzës së vrarë dhe dashurisë së saj ”të sëmurë”, aq sa arriti të mbysë dhe dhembjen për humbjen e papritur. Komentet në media tingëllonin si shpëtim nga turpi, si një larje duarsh nga Jonida që kërkonte veç paqe e ngrohtësi. Ishin ata të parët e mbase të vetmit që e gjykuan dhe nuk arritën ta dëgjojnë e kuptojnë lidhjen e saj me vrasësin, ta ndihmojnë kur e vënë mes dy zjarresh tentonte t’i jepte fund asaj. Asnjëherë nuk e pranuan, por as e dëgjuan ndonjëherë vajzën, bijën, motrën para se t’i kthenin krahët e ta vinin në konflikt të vazhdueshëm me veten e partnerin. E dërguan drejt një fundi makabër të pambrojtur e të flakur dhe pas vdekjes. Lakuriqësia e historisë së saj dhe gjykimi i të tjerëve i tremb ende. Jetojmë për botën. Gdhihemi e ngrysemi se ç’do të mendojnë të tjerët për jetën tonë, për veprimet tona, duke vrarë dalëngadalë njerëzit që duam dhe mungesa e sigurisë vjen nga brenda.

Konfliktet më të mëdha janë brenda mureve të shtëpisë. Aty ku gjallojnë kontradikta, keqkuptime për shkak të komunikimit të keq, mungesës së mbështetjes, kryerjes së gabuar të rolit prindëror, presionit, ndalimit a kufizimit të lirisë pa shkak. Aty ku zënë fill personalitete të deformuara, karaktere të formuara keq, probleme mendore të papranuara e që më pas prekin jetët e të gjithëve.

Jonida si Aishja e si shumë të tjera mbushin historitë e fundeve të errëta të grave e vajzave të këtij vendi që rriten në familje të mbyllura e ku paragjykimi është i ashpër, agresiv. Ndihen të pambrojtura në familje, pa zë dhe e kërkojnë mbështetjen gjetkë. Te burrat në moshë që duket se plotësojnë dhe figurën e dëshiruar atërore.

Sot vajzat e gratë ndjehen të pambrojtura. Të pasigurta dhe bëjnë thirrje të heshtur përmes keqfatit të atyre që bëhet publik përmes rrethanave ekstreme, krimit. Jonida e lidhur dhe dhunuar, ashtu si Aishja e dekapituar dhe të tjera apelojnë për situatën e rëndë në të cilën jetojnë vajzat e gratë duke nisur që në familje me dhunën e shfrenuar psikologjike që ushtrohet mbi to. Akoma më shumë pasiguri ndjejnë jashtë saj. Ndaj çdo fjalë e dorë e ngrohtë i drejton drejt ikjes nga rrëmeti me shpresë, ndonëse shpesh pakthim.

Siguria e paqja nuk janë thjesht koncepte të vendeve në luftë a pas konfliktit. Janë koncepte të së përditshmes sonë e ku të gjithë duhet të investojmë.

Nuk ka paqe brenda mureve të asaj që duhet të jetë vatra e kujdesit e dashurisë, djepi i mirërritjes dhe ngrohtësisë. Nuk ka paqe e siguri dhe jashtë saj, ndaj sot e gjithë ditën duhet që vajzat e gratë, burrat e djemtë të bashkohen e të përpiqen së bashku për paqen e sigurinë duke nisur nga vetja.

Së fundmi, një projekt i mbështetur nga Ambasada holandeze në vendin tonë dhe UN Women ka nxitur jo pak diskutim në disa qarqe pasi fokusohet në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi këto elementë thelbësorë për një shoqëri të shëndoshë, rolin e gruas në proceset e paqes e sigurisë dhe zbatimin e rezolutës 1325 “Gruaja, Paqja dhe Siguria” të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Edhe këtë herë ndërkombëtarët dinë të na venë dorën mbi plagë e përpiqen të na drejtojnë, drejt lehtësimit te dhimbjes përmes pranimit të situatës dhe përpjekjeve për të përdorur instrumentet shoqërorë dhe ligjore ekzistues e për të ngritur mekanizma të tjerë veprues.

Nuk janë të paktë, as në qeveri, ata që e quajnë të tejkaluar Rezolutën për Shqipërinë. E lidhin atë me vendet në konflikt ose paskonfliktit, a thua se vetëm konfliktet masive të armatosura cenojnë paqen e sigurinë ku gratë janë viktimat më të shumta. Mjafton një reflektim i shkurtër mbi viktimat e regjistruara që nga viti 2000 e në vazhdim. Dhjetëra gra e vajza të vrara në emër te nderit të cenuar, në emër të pronësisë së ndjerë nga partnerët si të ishin plaçkë që kur nuk binden flaken, vriten, zhduken. Gra e vajza të vrara në emër të xhelozisë së sëmurë e pseudoarsyeve mashkullore që dhembin e trishtojnë më shumë kur ndjek komentet mbi secilin rast dhe për të kuptuar diferencën që bëhet kur viktima apo autori është grua a vajzë.

Edhe të vdekura a të zhdukura nëpërkëmben, përbalten, etiketohen. Mjaft të kujtosh dhe ato që u kthyen në autore krimesh për shkak të dhunës së tejskajshme të provuar mbi trupat e shpirtrat e tyre. Gjykohen pafund e braktisen nga familjet si të padenja, si të shenjuara sepse gruaja duhet të jetë e brishtë, të durojë, të pranojë fatin e saj të vendosur që në krye të herës, që në lindje nga normat e pashkruara të shoqërisë. Nëse del jashtë kornizës vritesh ose braktisesh, duke nisur që nga familja nga ku duhet të marrësh mbrojtjen e sigurinë aq të domosdoshme për çdo qenie njerëzore.

Ka ardhur koha të mendojmë seriozisht si shoqëri e shtet për këtë situatë dhe ndërhyrjen emergjente që kërkon për të kthyer sigurinë e paqen në shpirtrat e trupat e trazuar të shoqërisë shqiptare e veçanërisht grave e vajzave. Fati i Jonidës, Aishes, Groshes, Erjetës, Irenës, Rolandës, Limes, Elenit e emrave të tjerë pafund. Sa shumë janë në këto 16 vjet.

Po dhe i Anjezës së dhunshme me fëmijët e të gjitha anjezave të tjera duhet të na vërë në lëvizje për të kuptuar se jemi në konflikt të thellë dhe paqja e siguria janë më se të nevojshme për të jetuar. Shteti duhet të vihet në lëvizje. Të reagojë dhe punojë për të ndryshuar këtë realitet vrasës që mbyt dhe kur jeton. Ka plot viktima në jetë që kërkojnë ndryshimin.

Ndaj shteti dhe strukturat e tij duhet të jenë të hapur dhe të vendosur për t’u përballur me këtë të keqe sociale dhe jo të krenohen veç me kuotat e arritura të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje. E mbështetur nga shoqëria civile me asistencën teknike të ekspertëve të fushës, vendase e të huaj, Qeveria duhet të ndërtojë politika dhe plane kombëtare veprimi për të ndalur revanshin e dhunës në familje, konfliktit brenda saj e në shoqëri për të hedhur hapa të qëndrueshëm dhe pse të ngadaltë drejt paqes e sigurisë.

Please follow and like us: