Albspirit

Media/News/Publishing

NËNË TEREZA NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

Nga Dalip Greca/

 Emri dhe vepra e Nënës Terezë në gazetën Dielli është përmendur shpesh. Herë ajo shfaqet me fotografi, herë me kronika dhe komente. Në shumë nga kronikat e kohës shprehet krenaria se ajo ishte bijë e gjakut shqiptar. Deri në vitin ‘1970 kemi pak informacion, ndërsa më pas ajo është e pranishme përherë e më shumë. Në numrin e 3 shkurtit 1971, botohet artikulli me titull: « Një motër nga gjaku ynë », që ka për  nëntitull : « Motër Gonxhe Bojaxhiu paraqit fisnikërinë e gruas shqiptare… »Ky artikull, me autor Dr. Athanas Gegaj, ish editorin e Diellit, që nis që në faqen 1 të gazetës Dielli, përshkruan Misionin e Bamirësisë së Nënës Terezë, ku ajo ishte themelonjëse dhe udhëheqëse. Autori informonte me emocion”Çudia është se Misioni po rritet dita-ditës. Është një shoqëri pa kuvende, pa mjete të sigurta; fillimisht një shoqëri grashë nga çdo Kombësi, që kanë zgjedhur që të jetojnë për të tjerët; më keq se të tjerët. »Artikulli është i gjatë dhe përshkrues, merr përsipër që të informojë në detaje. Në një nga mestitujt,”Kjo motër e vogël shqiptare », përshkruhet rruga që ndoqi ajo grua me shtat të vogël deri në Kalkutë- “Kjo motër e vogël shqiptare shkoi në Indi dhe u bë motër dhe nënë e të gjithëve; duke filluar nga të varfërit, nga ata që s’kishin asgjë ose që kishin humbur gjithçka… vetëm në Kalkuta kjo motër mbledh mijëra vetë…që janë duke vdekur dhe ajo me buzëqeshje e dhembshuri i kthen në jetë…Nënë Tereza ka shpirt të madh. Ajo ka dhe pushtet të fuqishëm moral. Askush nuk e kthen bosh, kur ajo shkon dhe kërkon diçka për të varfërit e saj…

Në një artikull tjetër që botohet në numrin e 10 nëntorit 1971, autori Eduard Liço, që në vitet ’80 do të ishte editor i Diellit, sillen të dhëna për famën që ka marrë Nënë Tereza ne Bote. Autori merr shkas nga një libër i botuar atë kohë në Londër. Autori i librit me titull”Something Beautiful For God” me nëntitull:” Motdher Theresa of Kalkuta”, ishte anglezi Malkolm Mëgrixh. Duke iu referuar subjektit të librit, Liço gjen momentin të përshkruaj jetën e Nënë Terezës dhe hulumtojë në origjinën e saj shqiptare. Ai sjell edhe citimet e një diplomati amerikan të asaj kohe,ambasadorit Shriver,  të cilin e  perifrazon kur thotë”Sa nder do të ishet që kjo grua e devotshme të ishte amerikane” dhe shtonte: ”Kjo është një grua revolucionare, por revolucioni i saj nuk del nga grykat e armëve; as nga iderat e ndryshme utopike të disa shkencëtarëve, ideologëve, apo studiuesëve të psikikës njerëzore, revolucioni i saj del nga dashuria e vërtetë për njerëzimin  e përvujtur.Në fund të artikullit, autori arrin në përfundimin:” Ndonëse dashuria që Nënë Tereza, tregon për njerëzimin i ka kapërcyer kufijtë e ndarjeve midis njerëzëve, që vetë njerëzit kanë krijuar, ne prapë jemi krenar që një grua e tillë ka dalë nga gjiri i popullit tonë.” Herë pas herë, gazeta Dielli sjell lutje dhe fjalë të urta të Nënë Terezës, që në esencë përbëjnë filozofinë e saj të durimit dhe vullnetit. Të tilla gjejmë në numrin e shtatorit 1997, ku urëtsia e saj shoqërohet me një fotografi që shpërndanë buzëqeshje.

  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie

 Duke shfletuar koleksionin e gazetes 102 vjeçare te Federates Vatra, Në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin”Festat e të vetmuemëve” . Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:”Urija shpirtnore asht ma e zorshme se urija për bukë.Me e ndi veheten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu.Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka , as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.

Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit Nënë Tereza, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit ne New York, ku, siç shkruan ajo , njeriu andej pari; sidomos kur të zen nata, nuk ëset i sigurtë nëse ka me u kthye gjallë në shtepi: Vorfni, violencë, shpija të shkatërrume, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendi, që të bën me harrue se jeton në Nju Jork, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.” Nanë Tereza thotë”N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë buke, por vuejnë prej urije shpirtërore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasun.”

Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit, ndjejnë dritën e jetës edhe në çaste e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues te vete Lumes me femijet amerikane:

  • A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok?-më pyeti nji djal.

Menjiherë ia diftova shënimet.

  • “Po unë, po unë?-si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje:
  • -Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?
  • Shqip…
  • Ç’ka don me thanë shqip?
  • Asht gjuha që ka folë Nana Terezë kur ka kenë fmi.
  • Po ju ku e keni mësue?
  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.
  • Oh!-Jeni prej vendit të Nanë Terezës?-më shikuen me habi e me admirim.
  • Si i thonë në shqip”God”?
  • Zot!
  • O God
  • O Zot!
  • O God Help Us? O zot na ndihmo! Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:
  • “O Zot na ndihmo…O Zot na ndihmo!…

Nënë Tereza : Mos bëni luftra, m’i jepni mua fondet e armatimeve… !

“Dielli” vijon ta ndjekë Nënën Terezë hap pas hapi. Në një shkrim të botuar me 16 prill 1979, përcillej kronika e marrjes së një çmimi në Itali, ku ishin të pranishëm, që nga presidentit e kryeministri deri tek diplomatët e akademikët. Korrespondenti i Diellit nga Roma jepte me detaje atmosferën e ceremonisë dhe madhështinë e Nënës Terezë, tek qëndronte përkrah presidentit Sandro Pertini dhe kryeministrit Xhulio Andreotti. Çmimi “Balzan” që iu dorëzua Nënës Terezë, konvertohej me një vlerë prej 325 mijë dollarësh.

Korrespondenti shqiptar me krenari raporton se ajo i sfidoi gazetarët tek e pyesin:

–  Ç’mendon për luftën, e pyet njeri gazetar :

Pergjigjet Nene Tereza : -Nuk e kuptoj këtë mëni e këtë luft, m’i jepni mue fondet e armatimeve që të luftoj mjerimin dhe t’u kthej dinjitein të vobegtëve…Përfundimi i korrespondencës të gazetarit shqiptar nga Roma, vjen natyrshëm:”Ne shqiptarët, edhe këtë rradhë, kemi të drejtë me u krenue e me i urue kësaj motrës sonë”Jetë të gjatë e të lumtun! E të mos harrojë të lutet edhe për Atdheun e vet, për Shqipninë e martirizueme. »

Kur Nëna Terezë u kandidua për çmimin Nobel për Paqen,më 1979, Dielli boton shkrime speciale, të shoqëruar me fotografi. Në numrin e 1 nëntorit 1979, Dielli botonte në Faqe të parë në gjuhën angleze shkrimin special, që komentonte me krenari se me fitimin e Nobelit, Nënë Tereza, do t’u kthente lavdinë shqiptarëve, lavdi të humbur 500 vite të shkuara me vdekjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.Ndërsa në numrin e dhjetorit, përveç speciales në shqip, Gazeta boton edhe urimet e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Krahas kronikave dhe reportazheve, botohen dhe letra indinjuse që kritikojnë pasaktësitë e shtypit amerikan, një pjesë e të cilit e paraqitën Nënën Terezë si sllave. Një letër e tillë ka për autor Mahmud Cungun, që sqaron se Nëna Terezë është shqiptare, ajo lindi në Shkupin shqiptar, në kohën që nuk egzistonte shteti sllav, por Perandoria Otomane. Nënë Tereza është me kombësi shqiptare, përfundonin letra. Nga ana e saj zonja Goldi Karagjozi i dërgoi  letër nga Washingtoni Nënës Terezë në Kalkutë dhe po atë natë, që u shpall dhënia e çmimit nisi grumbullimin e të hollave për Misionin e Nënës Terezë, te holla qe ajo i mblodhi bashke me vatranet. Për një kohë të shkurtër ajo kishte mbledhur 505 dollarë dhe ia kishte nisur Misionit të Nënës Terezë. Në letrën që zonja Goldi i nisi Nënës Terezë në Kalkuta, i shprehu asaj urimin e të gjithë shqipatrëve të Amerikës dhe i premton se do të kishte ndihmën e shqiptarëve të Amerikës.Në po atë numër botohej dhe komenti”Mother Teresa, humanistja shqiptare”.Në numrin e 31 dhjetorit, Dielli sillte një speciale, që kishte botuar për Nënën Terezë  të revistës Time, duke sjellë edhe ballinën me portretin e Nënës Terezë.Nëna Terezë tashmë është si në shtëpinë e vet tek faqet e gazetës Dielli. Në numrin e 16 prillit 1980, që në faqe të parë, niste një kronikë me titull”Nënë Tereza tek Papa”.Pas fitimit të Çmimit Nobel për Paqen , Papa Gjon Pali II ka pritë në audiencë private Nënën Terezë dhe e ka përgëzuar për çfarë ka bërë me misionin e saj. Po në të njëjtën kronikë, jepet dhe një lajm i ri:Nëna Terezë ka fituar çmimin më të lartë që jepej në Indi- Bharat Ratna- ”Xhevahiri i Indisë”. Ky çmim u jepej njerëzve me merita të veçanta.Lajmi i tretë që sjell Dielli në numrin e 16 prillit 1980 është përgatitja e një filmi për Nënë Terezën nga televizoni Italian. Filmi i gazetarit Brunelo Rondi, kishte në qendër Nënë Terzën shqiptare dhe misionin e saj në Indi.

I vëllai i Nënë Terezës: Ne jemi shqiptarë, jo sllavë!

Po në këtë numër(16 prill 1980) botohet një intervistë e vëllait të Nënës Terezë, Lazër Bojaxhiu, i cili ishte intervistuar nga një gazetar Italian. Shkrimi, që zë një faqe gazetë, nis me një notë dhimbjeje:”Një dramë sekrete qëndron në jetën e Nënës Terezë të Kalkutës, dramë të cilën askush deri më sot nuk e ka dijtë e ajo vetë kurrë nuk ka dashtë me e folë:nuk ka mujtë me përqafu nanën përpara se të vdesi….Asht nji dramë që ajo e ka jetue në heshtje, duke e nda këtë vuajtje me të vetmin person që i ka mbetë prej familjes; vëllaut Lazër!.. Lazëri i deklaron gazetarit: E dij se nuk do t’i vijë mirë Nanës Tereza, kur të lexojë këtë ngjarje nëpër revista. Ajo ka qenë përherë e rezervueme, deri dhe e frigshme për me folun për familjen”Ç’ka mund të jenë vuejtjet tona të vogla përkundrejt tragjedisë së miliona njerëzve që vdesin çdo ditë nga urija? E ka respektue këtë dëshirë të saj për sa e sa vjet, e kanë respektue edhe njerëzit e politikës, të cilëve ajo u është drejtue për të ba diçka për nanën tonë, por as Presidenti Kennedy, as De Gaulle nuk mujtën me ba kurrgja.Kësaj murgeshe të vogël e të përvujtë, që ka ba aq shumë për miliona jetë të vobegtish, që u ka lehtësue dhembjet e u ka mjekue plagët; nuk mundi me ba asgjë për nanën e vet në çastin e vdekjes. E ajo grue, vdiq e dëshpërueme, duke shëtrngue në gjoks nji fotografi të vjetër të njomun me lot; kështu vdesin njerëzit në nji vend komunist…

Më pas gazetari sjell dhe dëshminë e Lazrit për kombësinë e nënë Terezës, natyrisht dhe të vetën:”Përpara çdo gjaje, dishroj me sqarue nji pikë; thotë Lazri- Na jemi shqiptarë, e jo jugosllavë, si shkruejnë gati të gjitha gazetat në botë. Keqkuptimi ka lindur nga fakti se Shkupi, qyteti ku kemi lindun, ishte ma përpara nji qytet shqiptar  e pastaj i kaloi Jugosllavisë, por na të gjithë vijojmë me folun shqip e letrat ime motër (që flet edhe anglisht e pak frëngjishten) m’i shkruen  në gjuhën shqipe.”

Në ceremoninë e Çmimit Nobël u lexua telegrami i Vatrës

Interesant është një shkrim me titull”Nana Tereza, motër e vërtetë e popullit shqiptar” botuar në numrin e 15 shtatorit 1980, ku  në krye është vednosur një fotografi me portretin e Nënës Terezë, që ka në sfond shkrimin shqip të këtij teksti”Unë gjithëmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona…Lutem shumë për fukaratë e mij dhe për mua dhe motrart e mija.Unë lutem për juve.Artikulli ka për autor gazetarin Gjekë Gjonlekaj. Në të përcillet mesazhi se Nënë Tereza është aq e njohur sa e nderon popullin shqiptar. Pasi rendit disa nga sukseset dhe çmimet që ka koleksionuar Nëna Terezë, pasi përcjell jehonën e veprës së saj në gazetat më prestixhioze të botës, përfshi dhe ato të Amerikës, NYT,  që botonin të zmadhuar portretin e Nënës Terezë me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, kritikohet ashpër gazeta”Rilindja” e Kosovës që lajmin e Çmimit nobel e botonte diku nga faqja e tretë, me një fotografi të vockël. Ndërkohë që revista Kulturore-fetare në Kosovë”Drita” , shkruante se atë ditë që mori Çmimin Nobel për Paqe, Nëna Terezë, më së tepërmi u gëzua, kur lexuan Telegramin përshëndetës nga Shqiptarët e Amerikës, i cili ishte dërguar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA”. Autori përgëzonte Federatën Vatra, që në traditën e saj, kishte nisë një fushatë ndihme për Misionin e Nënë Terezës.

Çdo vizitë e Nënës Terezë në SHBA përshkruhet me detaje në faqet e Diellit. Kështu në numrin e 16 qershorit 1981, përshkrueht vizita e saj në Washington, tek përcjell mesazhin kundër abortit. Artikulli që përshkruan vizitën në Shtëpinë e Bardhë shoqërohet me një fotografi, ku Nënë Tereza qëndron mes presidnetit Regan dhe zonjës së Parë . Nënë Tereza deklaronte në Simpoziumin e organizuar enkas me 3 qershor 1981 se “Duke shkatërruar fëmijën e pa lindur, ne jemi duke shkatërruar dashurinë, jemi duke shkatërruar vetë Zotin…’. Me 4 qershor ajo ishte e ftuara e presidentit për drekë, dhe Dielli tek përshkruan vizitën dhe respektin që ajo gëzon në Shtëpinë e Bardhë, ndjehet krenar për përkatësinë shqiptare të gjakut të saj.Në numrin e  1 shtatorit 1981 përshkruhet një vizitë e Nënë Terezës në Detroit. Ndërsa në numrin e 16 shtatorit, Tom Mrijaj prezanton një nga miqtë e Nënë Terezës, filozofin dhe historianin Indian Gurudev Shri Citrabhanu. Autori sjell vlerësimet e indianit për Nënë Terezë dhe kombin shqiptar, të cilit ajo i përket, historisë së tij trimërore, bujarisë dhe traditave.

Shqiptarët e kanë shpallur të shenjtë Nënë Terezën që në vitet ’80-të

Petro Vuçani, në faqen e parë të Diellit të 1 gushtit 1983, sjell mbresat e një takimi shumë emocionues me Nënën Terezë në Itali, ku ai së bashku me dy shqiptarë të tjerë, morën pjesë në një ceremoni për shugurimin e disa murgeshave të reja, prej të cilave dhe një vashë shqiptare nga Kosova. U ndala në këtë shkrim për arsye të parashikimit intuitiv të autorit, i cili e ka titulluar shkrimin që zë gati të gjithë faqen e parë të gazetës: ”Një ditë me Shën Terezën Shqiptare”.  I vë këtë titull , që siç thotë vetë, ia vesh emnin me Shejtni. Vuçani shkruan”Në historinë Kombëtare ka pasë shumë zoja ilire, arbnore, e shqiptare, që me flijimet e veta nuk janë ma pak  shejtnesha se mjaft prej shejteve të trevave të tjera, kurse raca shqiptare me Nanë Terezën, asht tue shejtnue gjallnisht bijën e vet, që tash sa mot po habit tokë e qiell! Ndoshta duhet kohë me pritë deri kur Selia e Shenjtë ka me e përkryer këtë dëshirë e nevojë, që zakonisht , jetësohen pas vdekjes…’

Gjitëhsesi Nëna Tereza me 4 Shtator do të jetë Shën Nënë Tereza! Kombi shqiptar ndjehet krenar për Simbolin me famë botërore.

Please follow and like us: