Albspirit

Media/News/Publishing

A do të përfshijë Rama në kabinetin qeveritar kundërshtarët e Ilir Metës?

Ekskluzive/A do të përfshijë Rama në kabinetin qeveritar kundërshtarët e Ilir Metës?

Nga Gjergji Koja

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta për më shumë se 3 vite përdorte shprehjen “me qetësi dhe dashuri” e cila në jo pak raste u kthye në një batutë politike, por jo vetëm. Pak javë më parë, kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, gjatë një debati me Metën, nuk do të nguronte t’i drejtohej duke i thënë: dashuria të ka humbur me kohë, të paktën ruaj qetësinë.

Në momentet kur Xhafaj i tha Metës këtë frazë gjithçka u lidh me reformën në drejtësi, dhe angazhimin e Kreut të Kuvendit për miratimin e draftit përmes konsensusit, duke hyrë si pykë në mes PS dhe PD-së.

Por duket se humbja e qetësisë nga Meta ka një tjetër shkak. Edi Rama ka pranuar deri diku riformatimin e kabinetit qeveritar, një kërkesë kjo e LSI, e cila pritet të marrë udhë në vjeshtën e këtij viti.

Citynews ka mësuar nga burime shumë të afërta me Kryeministrin  se në Qeverinë e re, Rama mund të propozojë për ministra, emra të cilët konsiderohen ndër kundërshtarët më të fortë të Ilir Metës në politikë.

Në këtë mënyrë duket se Rama do të luajë me nervat e Metës, ashtu sikundër ky i fundit luajti me nervat e Kryeministrit, kur tërhoqi Nasip Naçon si ministër Drejtësie dhe në vend të tij emëroi Ylli Manjanin.

Në marrëveshjen e 1 Prillit 2013, mes Ramës dhe Metës, një nga pikat e saj ishte që Ylli Manjani dhe Vangjel Tavo të mos ishin pjesë e Qeverisë, ndërsa veto e Metës kishte të bënte me emrin e Dritan Priftit.

Duket se rradha i ka ardhur Ramës për të shkelur marrëveshjen, e cila u shpërfill nga Meta në momentin që përfshiu në Qeveri, pikërisht Ylli Manjanin, një nga politikanët që ka akuzuar më ashpër publikisht Edi Ramën, gjatë kohës që ky ishte në krye të opozitës dhe LSI pjesë e koalicionit me PD-në.

Në muajt që kanë mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Rama mund të eksperimentojë me Ilir Metën, duke e detyruar atë të votojë pikërisht një apo dy nga ato politikanë që e akuzojnë dhe e sulmojnë direkt dhe indirekt.

Kjo nuk do të thotë që domosdoshmërisht një post qeveritar mund ta marrë Dritan Prifti, por Rama se ka të vështirë të gjejë sot brenda rradhëve të PS ose jashtë saj, kundërshtarë të Ilir Metës.

Please follow and like us: