Albspirit

Media/News/Publishing

Oda Haliti: Gjithmonë qëndroj në stilin tim

Oda Haliti

Është bërë e njohur për performancën e saj si DJ, dhe festivalet më në zë në Kosovë dhe Shqipëri, tashmë konsiderojnë se performanca e saj në festival, është qershia mbi tortë e këtyre ngjarjeve kulturore . Edhe vetë Oda Haliti shprehet të jetë e vlerësuar për këto ftesa, sidomos nga festivalet të cilat nuk kanë të bëjnë edhe shumë me muzikën. Ajo në një intervistë për KultPlus ka treguar për rrugëtimin e saj si DJ. Edhe pse, akoma nuk e konsideron si profesion, por vetëm si hobi, ajo tashmë ka arritur një marrëveshje me një këngëtare të njohur gjermane, me të cilën së shpejti do të nisin edhe turin evropian.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ka shumë kohë që jeni duke performuar si DJ në evente të ndryshme, si ndjeheni përgjatë performancës kur shihni gjithë ata njerëz që i nënshtrohen tingujve tu?
Oda Haliti:
Janë bërë disa vite në fakt që luaj muzikë, kam filluar diku në vitin 2010, kur e kisha lokalin tim të parë “gegë”. Aty fillova të mësoj miximin tamam, dhe filloi të më duket mjaftueshëm interesant të luaj për audiencë më të madhe.
Ndjehem me shumë përgjegjësi, gjithmonë kur luaj muzikë kudo, por në të njëjtën kohë e shijoj pafund edhe vet. Muzikën e kam hobi, luaj rrallë, luaj në kohën e lirë, dhe prandaj më kënaq sa herë që luaj, e sidomos kur e kam publikun që e përqafon muzikën të cilën e luaj prej zemre, dhe e kupton e vlerëson duke ju përgjigjur me energji pozitive. Ky komunikim i ndërsjellë është ajo që e kompleton performancën time si rezultat.

KultPlus: Është një stil brenda jush që adhuruesit e tu mund të ndjenjë se kjo muzikë është e Oda Halitit, apo ka edhe shumë punë për tu bërë deri të identifikimi i punës suaj nëpërmjet muzikës?
Oda Haliti:
Mendoj se po, kështu të paktën më thonë të gjithë ata që më dëgjojnë, që identifikohem me stilin tim, më shumë eksperimental si: nu disco, disco, house dhe techno me raste. Varet shumë ku luaj, dhe muzika dallon, por gjithmonë qëndroj pak a shume në stilin tim, alla Ode, kështu më thonë të tjerët. Ndër komentet e shumta që i marr për muzikë, njëri koment ka qenë: muzika jote është “HAPPY”. Kënaqësi për mua me ditë që një muzikë dhe performancë e imja i lumturon të tjerët.
Me muzikë jam shumë e lidhur, dhe qysh prej fëmijërisë kam qenë. Motra ime që është më e madhe se unë, ma ka kujtuar vonë që në kohën e kasetave, kam pas nerva që me laps ti shtyj këngët e preferuara. Më ka thënë se kam mbet me orë të tëra në kasetat e vjetra të kasetofonave. Dhe kur erdhi koha e kompjuterit, varësisht nga disponimi i motrës, unë gjithmonë bëja ‘playlista’ të ndryshme muzikore, që sot mbetet për mua një kujtim shumë i bukur.

KultPlus: Duke pas parasysh se zhanri të cilin bëni, është pa tekst dhe shkon përtej universales, ka raste kur kombinoni edhe muzikë shqiptare nëpër këto mbrëmje?
Oda Haliti:
Jo doemos është pa tekst muzika që e luaj, shumë shpesh përmban dhe tekst … Në fakt tamam, tamam kombinimet me muzikë shqiptare deri tani nuk kam bërë. I kam disa këngë shqiptare që i luaj ndonjëherë, por fatkeqësisht, s`kam dhe aq opsione për të kombinuar me atë që unë luaj në përgjithësi.

KultPlus: Keni synim që të bëni më shumë në këtë drejtim, duke përdorë muzikën shqiptare për ta ndërlidhë me rrymën të cilën edhe e përdorni?
Oda Haliti:
Si përfundim, nuk e kam synim muzikën shqiptare apo te çfarëdo vendi-nacionaliteti partikular, synim e kam thjesht muzikën e mirë universale. Kur ka materiale muzikore të mira, prej çfarë do lloj vendi, i përdori pa rezerva. Muzika për mua nuk njeh kufi. Mjafton që të më pëlqej dhe të më provokoj si tingull.

KultPlus: Pastaj vazhdoni të mbeteni si DJ e preferuar edhe për ngjarjet e mëdha kulturore në Kosovë, pothuajse shumica e festivaleve po synojnë që mysafirët të argëtohen me muzikën të cilën edhe e prezantoni, si po e përjetoni këtë vlerësim?
Oda Haliti:
Ndihem vërtetë e nderuar për çdo ftesë kur e marr, dhe e pranoj me shumë përgjegjësi që ta kënaqi publikun me muzikë, dhe të ju përshtatem sa më shumë që mundem platformës ku performoj. Me vjen mire qe organizatoret e festivaleve kane filluar të jenë më të hapur për lloje të muzikave të ndryshme. Gjë që është shumë pozitive dhe definitivisht ndikon në pasurimin e skenës, muzikës.

KultPlus: Ka ndonjë performancë, pikërisht nga këto festivale që mund ta veçonit më shumë?
Oda Haliti:
Hmmm, e kam pak vështirë ti veçoj, secila performancë e ka të vetën, vërtetë. Por nëse duhet ta veçoj ndonjërën, atëherë e kisha përmend njërën që pata tash së voni në Jug të Shqipërisë, në Turtle Fest, në Drymades. Ishte vërtetë bukur të luash në plazh, në perëndim të diellit, me at lloj pamje para vetes. U kënaqa shume. Dhe definitivisht e përgëzojë stafin e Turtle Fest për lokacionin super të gjetur, për organizimin dhe investimin në festival gjithashtu.

KultPlus: Sa janë ambiciet e juaja që performancat e juaja të mos mbyllen vetëm me rajonin?
Oda Haliti:
Tashmë jam duke punuar me një projekt të ri, një DUO që e kemi nisur me një këngëtare të njohur nga Gjermania, e cila është dhe DJ poashtu (s’po ja zbuloj emrin, së shpejti do ta bëjmë publike). Do fillojmë shume shpejt një turne, nëpër Evrope fillimisht.

KultPlus: Jo pak DJ vijnë edhe në Kosovë, nëse do të bëje një krahasim me punën e DJ kosovarë dhe atyre ndërkombëtar, sheh ndonjë pikë të përbashkët, apo vijën që ju ndajnë nga ta?
Oda Haliti:
Ka pika të ngjashme, por ka edhe shumë dallime mes DJ-ve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë… ka shume DJ-a të llojeve të ndryshme gjithandej, sa është vështirë të bëhen krahasime. Megjithatë tek ne DJ-at, në përgjithësi janë pak a shumë të njëjtë, ka vite që po më mundon kjo gjë. Nuk eksperimentojnë shumë në muzikë, mbeten me përsëritje, që krijon një lloj komoditeti të vazhdueshëm dhe jo sfidues, për dallim me shumicën e DJ-ve të mirë ndërkombëtarë, që dinë me qenë super eksperimental e shumë të guximshëm në mixe me zhanre të ndryshme muzikore.
Por mos të harrojmë, kemi dhe ne disa DJ të mirë me shumë potencial, që lirisht mund të performojnë në skena me premisa të larta ndërkombëtare.

KultPlus: Dhe për fund, a është krijuar audiencë e spikatur për këtë rrymë muzikore të cilën edhe e bëni?
Oda Haliti:
Mendoj se po, ne e kemi një rini fantastike në Kosovë. Rini e cila është gjithmonë e uritur për gjëra të reja. Mjafton ti servosh gjëra të bukura, audienca e përqafon gjithmonë. Deri më tani, kudo që kam luajtur, audienca nuk ka munguar asnjëherë, gjithmonë ka qenë plot. Përveç asaj janë gjithmonë aktiv në kërcim dhe në pozitivitet, në relacion me muzikën time. I falënderoj e përulur, përherë. /KultPlus.com

Please follow and like us: