Albspirit

Media/News/Publishing

Qeveritarët shqiptarë maskojnë pushimet e tyre!

Ja se si qeveritarët shqiptarë maskojnë pushimet e tyre!

Nga Drini Zeqo

Qeveritarët shqiptarë kanë një kompleks të theksuar për mënyrën si dhe ku pushojnë. Ky është një fakt i cili mund të vihet re shumë lehtë. Por arsyet pse ndodh kjo, janë jo të qarta. Përpara se të vijmë tek arsyet, le të ndalojmë tek faktet.

I pari është edhe kryqeveritari i cili nuk harroi asnje çast të postonte në rrjetet sociale se kur i filloi pushimet, kur i mbaroi, ku pushoi dhe me kë pushoi. Mua si qytetar (dhe votues) kjo më intereson shumë pak apo aspak. Por duket se i intereson Kryeministrit Rama dhe shpurës qeveritare në mënyrë që të mbyllin “gojët e liga” se ata shpenzojnë tej të ardhurave publike zyrtare.

Mirëpo ndërsa vetë kryeministri pushoi në Dhërmi tek vila qeveritare, u mësua jo zyrtarisht se për ministrat nuk kishte pushime këtë vit. Kërkesë kjo e bërë jo zyrtarisht nga Edi Rama ministrave të tij në mënyrë që performanca të ishtë më e lartë. Pak paradoksale po të mendosh që shefi të pushojë dhe vartësit jo.

Ndonëse dihet se “vjedhurazi” të gjithë i kanë berë nga pak apo shumë pushime këtu e të tjerë jashtë vendit. Madje po të kujtosh një ditë pushimi që Kryeminstri i dhuroi administratës për votimin e reformës në drejtësi e që iku kot e më kot kushedi ku “do kish arritur” performanca e administratës.

Faktet na tregojnë se qeveritarët në Shqipëri bëjnë pushimet dhe jetën më të shtrenjtë në balancë me rrogën që marrin si punonjës të administratës. Këtu nuk habitet njeri se në Shqipëri jemi mësuar të jetojmë me këtë fakt, e habitshme është mënyra meskine dhe duhet thënë provinciale si përpiqen ta maskojnë këtë gjë. Media ka raportuar edhe për manovra të kryetarit të LSI-së Ilir Meta që ndërsa zbarkon tek një nga hotelet luksozë të Jugut fotot i poston nga Gjiri I Lalzit. Të njëjtin truk Meta po sipas raportimeve te mediave ende të papërgënjeshtruara e përdori edhe kur publikoi foto duke pushuar mes pushuesve të zakonshëm në Shëngjin.

Pra ndihet një tendencë e politikanëve për të treguar sa të thjeshta dhe modeste janë pushimet e tyre.

Në anën tjetër dihet si vazhdojnë të përdoren makinat qeveritare për udhëtime personale. Dihet edhe sa herë udhëtojnë përmes Rinasit apo pikave të tjera kufitare ministrat dhe drejtorët sepse ky vend është shumë i vogël për ta berë “vezën shumë të madhe”.

Kur i pyet për pushimet këta qeveritarë apo “drejtues të lartë”, shumica, gjëja e parë qëfillojnë të bëjnë, ankohen me shprehjen “Po çfarë pushimesh aman, kush të lë këtu të pushosh”. Pastaj fillojnë tregojnë se këtë vit zgjodhën bregdetin tonë se me gjasa sipas tyre këtu na qënka më mirë se jashtë dhe se ne duhet të promovojmë Shqipërinë.

E vërteta është se ju mund të bëni pushimet që doni dhe ku të doni. Nëse punoni gjatë verës dhe në gusht prapë kjo është diçka shumë normale, paguheni për këtë. Puna juaj është e matshme shumë thjeshtë. Sa të mire e bëni jetën e qytetarëve të këtj vendi? Por të paktën evitoni teatrin.

Please follow and like us: