Albspirit

Media/News/Publishing

Të lësh duhanin dhe Shqipërinë nuk është kurrë vonë?

Mirilda Tili Kobatake

Të lësh duhanin dhe Shqipërinë nuk është kurrë vonë?

Kjo verë ishte njësoj e përgjakur dhe e dhunshme sa ka qenë edhe dimri që lamë pas, sa ka qenë edhe vera e shkuar, sa kanë qenë të dhunshëm të gjithë 20 vitet e fundit që unë kam kujtesën time personale.

Nuk e di nëse mund të të thonë të njëjtën gjë edhe ata banorë të këtij vendi që kanë mbi supe më shumë vite se unë.

Megjithëse, tashmë duhet të ishim “mësuar” dhimbjen në zemër e ndjejmë më shumë se kurrë. Jo se jemi bërë më të ndjeshëm dhe më të matur, pra më të mirë, por sepse tani i mësojmë gjërat më shpejt dhe më shumë.

Por ajo që po na “çmend” më shumë se cdo gjë është lehtësia me të cilën i trajtojmë rastet, njëri pas tjetrit. Sigurisht, ne tronditemi, fajësojmë dhe ankohemi me zë të lartë që në këtë vend nuk jetohet, se duhet ikur sa më parë; dhe ndoshta kush e mendon mjaftueshëm seriozisht këtë çështje, ka të drejtë.

Por nëse do të mendonim më seriozisht do të kuptonim se ky vend nuk është as më shumë e as më pak aq sa ne investojmë dhe kontribojmë. Është e lehtë të gjykosh të tjerët e t’ju veshësh gjithfarëlloj epitetesh. Sigurisht, shenjë aftësie dhe kapaciteti është edhe kjo; por nëse përballë çdo rasti dhune, të çfarëdo forme, do të reflektonim shumë më gjatë dhe do të kërkonim të jepnim kontributin tonë, ne rrjedhimisht do kishim më shumë buzëqeshje. Dhe pas kësaj më pak arsye për të prodhuar ligësi.

Nuk e di nëse përveç frikës që përcjell dhuna, i frikshëm është edhe reagimi ynë “qytetar”. Ky reagimi ynë vetëm në rrjetet sociale, ku nuk përzgjedhim as gjuhën dhe as audiencën, a na bën njerëz më të mirë?!

Është shumë e trishtueshme që reagojmë vetëm kur skandalet dhe tmerret mediatizohen. Është shumë e dhimbshme që reflektimi pas asaj që ndodh është thuajse zero. Nëse shqetësimi ynë ndaj dhunës së fëmijëve do të ishte aq i thellë sa mallkojmë në rrjetet sociale, do të kishte shumë më pak fëmijë të dhunuar. Nëse do të na kishte dhembur zemra aq fort për dhunën ndaj femrave, sigurisht dora ndaj tyre do të ngrihej shumë më pak dhe mbrojtja më e madhe.

Sikur të na acaronte aq korrupsioni i lartë, nuk do të zgidhnim çdo hall tonin me lekë në dorë. Nuk do të ishim të parët që do të dhunonim pronën publike, sa herë na jepej mundësia dhe na e donte interesi. Dhe nëse do të kishim një vetëndërgjegjësim për ta dashur më shumë këtë vend, me siguri edhe dikush tjetër do ta pëlqente stilin tonë të të menduarit dhe dashurisë ndaj këtij vendi.

Kështu, pra, dalëngadalë do të bëheshim shumë dhe do të ndikonim më shumë që ky vend të ishte më i mirë dhe më pak i dhunshëm nga sa është.

Dhe nuk do të thonim me cinizëm ekstrem se “të lësh cigaren dhe Shqipërinë nuk është kurrë vonë”.

Please follow and like us: