Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Gaçi: Demode se flas për çështjen kombëtare? TVSH dhe brekët e Kardashian… 

 

 

Deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaçi ka shpërthyer ndaj asaj që e quan “elita e Tiranës”, të cilëve u duket e dalë jashtë mode të flasësh dhe debatosh për çështjen kombëtare, kurse RTSH që e ka detyrim të transmetojë rreth kësaj çështje, jep tallave dhe Kim Kardashianin.

Shkrimi i deputetit të PS Artan Gaçi:

100 VJET përpara, elitat ose më të ndriturit flisnin për çështje të mëdha kombëtare, ndarjen e kufijve, përçarjen e futur nga sllavët, grekët, otomanët dhe feja, flisnin për rilindjen, flisnin për gjuhën, flisnin për bashkimin e trojeve.

Shqetësimi i tyre më i madh ishte ringjallja e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.

Të ndriturit nuk flisnin të ndarë brenda vilajeteve, por diskutonin sëbashku, shqiptarët e Amerikës, Arbëreshët, shqiptarët e Turqise, ata të Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë së veriut e jugut, Çamërisë, Janines e Manastirit.

Nuk kishte zyrë të diplomacisë kombëtare ku shqiptarët nuk bërtisnin më të madhe për ceshtjen kombëtare.

Njerëzit e thjeshtë dallonin, ata flisnin për hallet e të përditshmes  të detyruar nga problemet e mbijetesës, dhe me vështirësi arrinin të perceptonin e të përvetësonin teza si çështja kombëtare, bashkimi apo ringjallja e kombit.

Ata flisnin për problemet e vogla të ditës, si të shisnin ndonjë gjë të gjallë, të blenin një thes misër, të shtonin ndonjë dhomë a të çonin fëmijët në kurbet.  Kuptohet edhe garat e xhelozitë e vogla mes tyre, kush kishte 2 dimiqe më shumë, kush e kishte gomarin më të ri, kush varte ndonjë monedhë floriri më tepër se tjetri në qafë etj.

Të huajt, izolimi, injoranca dhe padija ia kishin dalë t’i shkëpusnin nga çështjet e mëdha.

100 VJET më pas, sot, po ndodh e kundërta. Njerëzit e thjeshtë kudo në Amerikë, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri e Çamëri nuk kanë temë më të rëndësishme se çështjet kombëtare.

Kudo në çdo blog, në çdo koment, në çdo sebep qoftë familjar, festë në qytet a ndonjë ndeshje të kombëtares, shqiptarët nuk ngrihen më në këmbë kur luhet napoloni por vetëm kur diskutohet etnia, kombësia e kur i këndohet flamurit të shqiptarëve.

Një etje e jashtëzakonshme vërehet ngado, njerëz që hulumtojne e propogandojnë ngjarje e fakte nga historia e shqiptarëve duke marrë rolin e të ndriturve të kombit e duke rrezikuar që të bëjnë edhe dëm nga amplifikimi i ngarjeve të pavërtetuara e me frymë populiste.

Përveç Kosovës që prej pak vitesh është një shtet i lirë e i pavarur, shqiptarët vazhdojnë të kenë të njëjtat probleme ndoshta edhe më keq nga 100 vjet më parë përresh kufijve administrativë të Shqipërise.

Ka vazhduar asimilimi i shqiptarëve të krishterë në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri dhe Greqinë e veriut. Vazhdojnë investimet nga vendet arabe për islamin radikal si edhe ato “ndihma” që kanë për qëllim ridefinimin e kufijve famëkeqë të perandorisë osmane.

Janë shtuar përpjekjet dhe investimet për të të asocuar etninë me fenë islame, gjë që u shkon përshtat edhe qarqeve antishqiptare sllave e greke, tezë që e kaneë kalë beteje dhe argumentin kryesor për të sulmuar shqiptarët në çdo tavolinë të Europës së krishterë. Kjo është fatkeqësisht shumë evidente kryesisht në Maqedoni dhe në Kosovë por edhe në disa zona të Shqipërisë.

Po të ndriturit e sotëm çfarë konsiderojnë çështje të rëndësishme?

Në elitën e sotme të Tiranës, të merresh me çështjen mbarëkombetare je demode e provincial.

Duket sikur elitat e sotme kanë ndërruar vendin me të “pandritur” e para 100 vjetëve duke u preokupuar kryesisht me çështje të dites e interesa të vogla vetjake në kurriz të çdo gjëje që është e përbashkët apo publike. Për ta e rëndësishme është sa metra është shtëpia, sa lekë nga paratë publike vunë mënjane, cili zyrtar apo tenderaxhi ka makinën më të madhe e më të shtrenjtë, sa ju vlejne bizhuteritë e orat, e sa shumë para nxjerrin jashtë Shqipërisë me fshehje, blerje e shpërdorime.

Të jesh elite sot në Tiranë do të thotë të jesh i pangopur, të jesh i pari në përfitimin e parave publike, një modë e përhapur mbarë e kënd Shqipërisë ku hajduti nderohet si i zoti; Madje edhe mburren dyerve të Europës sa shumë janë pasuar e sa shumë janë emancipuar në vendin më të varfër të Europës. Harrojnë qe kush vjedh e mburret vetëm në Shqipëri nderohet. Edhe për pak..

Sot të ndriturit e atëhershëm do dukeshin si budallenj, kurse ata që sakrifikonin akoma më keq. Sot moda është që parimori dhe patrioti nuk bëhet për idealizëm, por vetëm për të vënë ndonjë gjobë kur s’ti plotesojnë interesat.

Kuptohet që duhet dhe ca kohë që të riciklohet kjo lloj “elite” falë edhe reformës në drejtësi, por deri atëherë shumë media private, qofshin televizione, radio, gazeta e portale online mund t’i hapin nga një dritare a rubrikë periodike zërit të shumicës së shqiptarëve të zakonshëm dhe çështjes së shqiptarëve ku nuk ka asgjë për t’u ndjerë inferiorë ndaj askujt, përkundrazi është historia e njerëzve që do bënte të ndihej krenar çdo popull të botës.

Ps.Kemi harruar fare që kemi dhe TVSH-në që e ka detyrim primar çështjen mbarëkombëtare e ato me interes publik, të cilin për të mos transmetuar tallava e historitë e brekëve të Kardashianit e paguajmë të gjithë me dhjetëra miliona euro në vit./SYRI.net/

Please follow and like us: