Albspirit

Media/News/Publishing

Biden riafirmon angazhimin ndaj NATO-s


Nënpresidenti amerikan Joe Biden riafirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s për të mbrojtur vendet e Balltikut kundër çdo agresioni nga Rusia fqinje.

Duke folur të martën me gazetarët në kryeqytetin Rigë, të Letonisë zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten të angazhuara për të mbrojtur të gjithë anëtarët e aleancës së Natos.

“Dua ta bëj të qartë për të gjithë njerëzit në shtetet balltike; ne kemi premtuar nderin e shenjtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në traktatin e Natos dhe Nenin 5. Ne bëjmë atë që themi dhe asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga angazhimet që kemi bërë”, tha nënpresidenti Biden.

Duke iu referuar komenteve të kandidatit presidencial republikan Donald Trump për Natos, i cili sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të mos mbrojnë automatikisht aleatët e Natos në se ata nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës, zoti Biden i kundërshtoi këto deklarata dhe tha se ka një marrëveshje të fuqishme dypartiake në Shtetet e Bashkuara ndaj parimeve kyçe të aleancës që bëjnë thirrje për mbrojtje kolektive.

“Shqetësimi se Shtetet e Bashkuara po tërhiqet apo po largohet, nuk është i vërtetë. Në fakt, prania jonë do të fuqizohet dhe fakti është se do të ketë më shumë partnerë të Natos në kufirin me Rusinë. Ne jemi absolutisht 100 përqind të vendosur në angazhimet tona të Natos përfshi veçanërisht Nenin 5.”

Në takimin e nivelit të lartë të Natos në korrik, udhëheqësit ranë dakort për të dislokuar forcat ushtarake në shtetet e Balltikut dhe lindje të Polonisë për here të pare dhe rritjen e patrullimeve ajrore dhe detare për të siguruar aleatët në rajon dhe për të ulur shqetësime e tyre rreth kërcënimit nga Rusia.

Të mërkurën, zoti Biden shkon në Turqi ku ai do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e vendit para se të vizitojë Suedinë të enjten për të diskutuar krizën e azilkërkuesve në Evropë.

Please follow and like us: