Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Hushi: TOB kërkon një rivitalizim nga forcat artistike dhe menaxheriale, Ministrisë së Kulturës i takon të kontrollojë, jo të drejtojë

Agim Hushi: TOB kërkon një rivitalizim nga forcat artistike dhe menaxheriale, Ministrisë së Kulturës i takon të kontrollojë, jo të drejtojë

 

Tenori Agim Hushi është një nga kandidatët për drejtor të Teatrit të Operës dhe Baletit. Tregon se ka hyrë në këtë garë për të sjellë ndryshimet në këtë institucion. Në intervistën e tij, tenori flet për platformën e tij për teatrin, duke theksuar se ku do të bazohet menaxhimi i tij. “Mjeshtër i madh” në aktivitetin e tij artistik, tenori Hushi vlerëson artistët në TOB, por sipas tij ajo që ka munguar është menaxhimi. Pedagog i kantos dhe shef i departamentit të Operës së Vjenës, titulli profesor në Çindo të Kinës, artisti i vitit 2000 nga kryeministri australian, si dhe me shumë vlerësime në skenat e huaja dhe shqiptare, tenori Hushi flet për punën që duhet të jetë në TOB për të sjellë ndryshimin. Problem sipas tenorit nuk janë fondet që ka akorduar Ministria e Kulturës, por sipas tij ka pasur ndërhyrje duke sjellë dhe probleme. Sipas tenorit, Ministrisë i takon të kontrollojë, administratës të drejtojë.

Jeni një nga kandidatët që konkurroni për drejtor të TOB, i vlerësuar edhe në aktivitetin tuaj në skenat operistike në botë. Pse e morët këtë vendim?

Ndjehem i privilegjuar që më jepet rasti dhe mundësia të ofroj shërbimin tim, eksperiencën time, përvojën time një teatri për të cilin unë kam jetuar, një teatri ku unë jam rritur, teatër që është emblema e kulturës se kultivuar shqiptare. Por bashkarisht me këtë do të doja të ishte dhe pjesa tjetër urimi për të gjithë kandidatët, secili ka vlerat, zërin dhe eksperiencën e tij. Natyrisht dy prej tyre nuk i njoh, por i uroj shumë sukses të gjithëve, dhe në mënyrë të veçantë falenderoj për pjesëmarrjen e baritonin Ylber Gjini, që është vetëm jo një mik i imi i vjetër, por është dhe një zë që gjithmonë ka qenë qytetar, artist në mendim, që bashkë me artin e tij skenik ka sjellur stuhi me qëndrimet e tij të prera, të sakta dhe shpresoj dhe i uroj të gjithëve bashkë suksese. Uroj të fitojë më i miri, dhe jam i bindur që të gjithë do ti gëzohen më të mirit. Vendimi im për të marrë pjesë në këtë garë e mora për disa arsye. Së pari, duke pasur një bagazh personal kulturor ku unë i atribuoj vetes jo vetëm cilësitë e një këngëtari, të një tenori që natyrisht për të qenë një drejtor duhet të jesh dhe një profesionist i operës, dhe unë besoj këtë që e plotësoj në shkallën maksimale duke qenë Radamesi i parë shqiptar, Kalafi i parë shqiptar, duke qenë një zë i rrallë siç ka përshëndetur dhe kritika shqiptare, qoftë dhe me faktin e pranimit si artisti i parë shqiptar në skenën e TOB pa asnjë ditë arsimi muzikor vetëm thjesht si një talent natyror, po ashtu dhe fakti tjetër duke qenë artisti i parë shqiptar që kam marrë kontratë si artist në një opera kombëtare të huaj, siç ishte rasti im duke u emëruar solist principal tenor në Operën Hungareze. TKOB është një institucion kombëtar, që për fat të keq unë gjatë gjithë këtyre viteve e kam shikuar me keqardhje si një institucion që është përpëlitur në suazën në guaskën e ngushtë të një teatri qyteti, ndërkohë që ka munguar një filozofi kombëtare e teatrit. E dyta, në TOB hiq korifenjtë e kompozicionit të mëdhenjtë e “Mrikës” apo “Toka jonë” që shkruan operat e para shqiptare apo “Lulja e Kujtimit”, ne nuk kemi asnjë kompozitor dhe vepër shqiptare që të luhet. Si mund të jetë një teatër kombëtar pa repertor kombëtar. Por duhet të vëmë theksin, një repertor kombëtar që na përfaqëson ne. Këto kanë qenë disa nga arsyet pse unë vendosa të konkurroj për drejtor të TOB.

Ju keni dorëzuar platformën tuaj në Ministrinë e Kulturës, ku bazohet ajo?

Në radhë të parë unë besoj te forcat krijuese, te artistët tanë të TOB. Për herë të parë TOB është copëzuar në qelizë kush e përbën, për herë të parë unë jam marrë me orkestrën, korin, pianistët, solistët, grimin, skenografinë, regjisurën, dirigjentët, kompozicionin, me të gjitha elementët, sepse pa u fuqizuar secili element në vetvete ne nuk do të kemi kurrë një ansambël të nivelit të lartë. E dyta, elementi ekonomik është kthyer në një ulërimë, në një vajtim, është mjeran i TOB dhe atyre që e kanë drejtuar teatrin. Të kërkosh para do të thotë të marrësh nga buxheti i shtetit, ndërkohë që shteti shqiptar ka halle shumë më sociale se sa opera, që është vërtetë një domosdoshmëri dhe një gur i çmuar të artit dhe kulturës dhe ekzistencës sonë kombëtare, por ama shkollat, spitalet, pensionet, janë po ashtu plagë të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zgjidhje me këtë buxhet. Prandaj është obligative, është përgjegjësi e të gjithë atyre që kanë nderin, privilegjin të marrin në dorë fatet e këtij teatri, por dhe që duhet të menaxhojnë ato. Me sa jam informuar unë fondet që ju jepen institucioneve janë të organizuara me bazë të një skeme që është pothuajse rregullore e qeverisë. Por ajo që unë them është përgjegjësia e administratës, është niveli menaxhues ai që u del zot këtyre fondeve dhe i kthen ato në pozitiv. TOB është një institucion që duhet si në çdo vend të botës të funksionojë duke funksionuar dhe elementet ndihmëse të tij. Ka produksione ku mund të shiten kasetat. Do të kemi një revistë 1 mujore, kontakte dhe lidhje të fuqishme aq sa i ka dhe vetë Ministria e Jashtme. Ne do të merremi kryesisht me ambasadat e vendeve evropiane, vendet e fuqishme për të lidhur kontrata bashkëpunimi, ndihme, për të marrë donacione nga kompani të fuqishme. Për ta kthyer në mos në një plus të madh, të paktën në një motorr që djeg dhe harxhon veten e tij. Në programin tim është dhe repertori. Do të aktivizohet repertori i traditës, ai më nostalgjik për audiencën, por të rivënë në mënyrë të freskët dhe më të fuqishme artistikisht. Repertor i tipit të dytë do të jetë ai që do të marrim ato rrisqe të trimave, unë do të sjell produksionet më të mëdha të botës në Shqipëri. Do të sjellim premiera që nuk janë vënë dhe jam i bindur që ne kemi artistë të mëdhenj, që duke u vënë përballë punëve të mëdha do të mobilizohen dhe stimulohen shumë më tepër. Këto produksione nuk do të ngelin në skenën shqiptare, por do të xhirojnë nëpër botë dhe do të konkurrojnë sa kemi mundësi. Do të hap një zyrë menaxhuese për talentet dhe artistët shqiptarë.

Një zyrë menaxhuese për talentet?

Kjo është në platformën tim për TOB, një zyrë menaxhuese që jo ti kërkohet atyre të vijnë në orën 8.00 në mëngjes për të vegjetuar në korridoret e operës, por secilit artist do ti kërkohet një listë rolesh ku ata e ndjejnë veten më mirë dhe në bazë të kësaj do të kombinohet me planin e programit të përgjithshëm të operës dhe do tu jepet mundësia të gjithëve. Do të ngremë dhe shoqatën “Miqtë e Operës”, me njerëz që do të promovojnë TOB. Një nga pikat kryesore do të jetë dhe afrimi i audiencës. Edhe lulishtja që ndodhet pas operës të shndërrohet në një lulishte të operës me statuja të artistëve të popullit, rrugicën mund ta quajmë p.sh rrugica “Ramiz Kovaçi”, rruga “Opera Mrika” etj, dhe kjo sigurisht dhe me ndihmë të organeve të tjera. Parkingu i shëmtuar që është pas operës duhet ti kthehet operës me bukurinë e saj tradicionale, të kthehet në një skenë verore të bukur. Mendoj që si institucion kombëtar nuk është e drejtë që TOB të funksionojë vetëm 10 muaj, por të jetë në 12 muajt e vitit, në 5 ditët e javës të jetë një kalendar të aprovuar një vit më parë dhe minimumi 2-3 kaste artistësh. Unë mendoj që aktivizimi i të rinjve do të jetë e ardhmja e TOB. Në platformën time është dhe Akademia e Operës, një shkollë sezonale për të rinjtë më të talentuar nga Universiteti i Arteve, por dhe në shkollat e tjera të muzikës do të kërkojmë ku janë talentet, dhe do të kemi programe speciale për tu fuqizuar. Ka dhe një mjerim tjetër opera për të cilën mua më dhemb, ka shumë vite që nuk jepet asnjë titull, nuk ka gala, nuk i dedikohet asgjë. Kjo praktikë do shuhet, do ta kthejmë TOB në tempullin e artit dhe të artistëve.

Ju kandidoni për drejtor të TOB, por keni qenë dhe një nga zërat kritikë ndaj politikave të Ministrisë së Kulturës për operën?

Kjo është e vërtetë dhe nuk tërhiqem nga ato që kam thënë. Kam folur si një qytetar dhe artist dhe nuk e kam pasur personale dhe as politike. Jam i bindur që duke filluar nga vetë ministrja, ka vend për të reflektuar ka për të gjithë pavarësisht pozicionit politik apo qeveritar. Në TOB të vihet dorë njëherë e mirë dhe shpresoj që platforma ime të jetë fituese. Nuk ka qeveri në botë që të mos të dojë të ketë sukses në një nga institucionet më madhore që përfaqësohet kultura. Unë mendoj se të jesh artist i madh nuk mjafton për tu bërë drejtor opere në një institucion kombëtar ku ka mijëra probleme, cilësitë menaxheriale duhet të dominojnë. Ai drejtor që merr frenat e një institucioni duhet ta drejtojë atë në kushtet e motit me diell dhe me shi. Është përgjegjësia e drejtuesit, që duhet të ketë kujdes. TOB nuk e ka gjetur kurrë që kur e njoh unë, flas deri në kohën e komunizmit, nuk e ka gjetur veten asnjëherë si një institucion që matet me botën. Nuk vjen ministria të lyejë korridoret e operës? Të pastrojë plehrat, etj. Nuk vjen ministria të kërkojë sponsorizime. Unë kam rezervat e mia për ministrinë, që i kam bërë publike, gjithmonë nga pozicioni i qytetarit që shikon nga jashtë dhe që dëgjon komentet e artistëve.  Por ama unë e di tashmë që TOB ka probleme financuese. Unë nuk do të shkoj të krijoj një konflikt të ri dhe një zë që bërtet nuk kemi para, unë do të shkoj për të zgjidhur situatën me ato para që janë për TOB. Kjo është përgjegjësia menaxheriale. Nga ministria TOB ka një varësi ligjore. Nuk jam të luftoj me ministren Kumbaro, por do ti kërkoj ministres të respektohet independenca ime vendimmarrëse dhe ekzekutive ashtu siç jam i detyruar ti jap llogari për çdo gjë që unë bëj eprorit tim. Ajo që unë kuptoj, ka pasur mangësi realizimesh dhe atëherë ministria është futur në TOB ndoshta me idenë për të përmirësuar por në fakt i ka prishur ato, sepse kur ngatërrohen kufijtë ka probleme. Kjo ka ndodhur me ministrinë, por dhe me forcat e brendshme administrative. Mbase ministria është munduar të bëjë atë punë që duhet ta bëj drejtori. Ministrisë i takon të kontrollojë, administratës të drejtojë.

Pra me këto që ju përmendët si është sot gjendja e TOB?

Për mendimin tim gjendja sot e TOB kërkon një rivitalizim total që nga forcat artistike, menaxheriale, financiare dhe artistike. Ministria duke parë administrimin ka ndërhyrë dhe krijuar një zhurmë që nuk është. Me sa kuptoj unë kontrolli që ministria ka dashur të ushtrojë në TOB ka rënë në ndesh të administratës, që nuk ka qenë e aftë të ndërtojë një standart për të cilin ka pasur tagrin.

 TOB ka qenë një nga institucionet ku artistët jo pak kanë kundërshtuar politikat e ministrisë?

Këto kanë ndodhur, sepse nuk janë kuptuar artistikisht, profesionalisht. Të fyesh një artist, duke i thënë eja bëj audicion kur ka 20 vjet që këndon, kjo normal që sjell përplasje. Mos harrojmë që artistët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në kushte mjerane, pa ngrohje, pa ftohje, etj. Drama e dini kush është, heshtja e qytetarëve dhe atyre njerëzve të civilizuar para fenomeneve të tilla. TOB kërkon një rivitalizim total, një fizionomi të re. Sot Teatri i Operës dhe Baletit është një teatër qyteti dhe nuk mund të jetë e tillë, mendoj që problemet nuk janë fondet por menaxhimi.

Intervistoi: Julia Vrapi

Please follow and like us: