Albspirit

Media/News/Publishing

Kolonat e Putinizmit

Bledi LamiNga Blendi Lami

Presidenti Putin e ka quajtur shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”. Me të marrë pushtetin, ai ndërmori reforma të rrepta, duke zhvilluar ekonominë brenda vendit dhe duke restauruar fuqinë gjeopolitike të Rusisë në botë. Por sot ai gjendet nën breshëri të madhe kritikash, kryesisht nga jashtë, dhe me pak nga brenda, për shkak të një qeverisjeje autokratike, dhe për shkak të mënyrës se si vepron në politikën e jashtme. E gjithë kjo “ngrehinë” është etiketuar tashmë si Putinizëm.

Sot ka debate të mëdha në lidhje me përcaktimin e Putinizmit, pasi, duke qenë se është një grupim idesh dhe qëllimesh që karakterizojnë regjimin e sotëm autokratik të udhëhequr nga Vladimir Putini, kjo frymë po kristalizohet gjithnjë e më shumë si një ideologji. Kolonat thelbësore të Putinizmit janë nacionalizmi, religjioni, konservatorizmi social, kapitalizmi shtetëror dhe kontrolli qeveritar mbi mediat – parime që bien ndesh me vlerat perëndimore. Këto kolona i shërbejnë Putinit për të mbajtur në këmbë makinerinë shtetërore ruse. Le t’i analizojmë shkurtimisht një e nga një për ta kuptuar më së miri se si funksionon kjo makineri.

Elementi thelbësor i Putinizmit është nacionalizmi. Nacionalizmi rus synon unitetin kulturor të Rusisë, dhe lidhet ngushtë me pansllavizmin, i shfrytëzuar gjithashtu nga Perandoria Ruse dhe Bashkimi Sovjetik. Në tentativën për të ringjallur të kaluarën e artë, Rusia tenton gjithnjë e më shumë për të institucionalizuar nacionalizmin,  teksa, në vitin 2012 u themelua një agjenci e re qeveritare për të promovuar “patriotizmin” rus. Sipas faqes zyrtare të Kremlinit, kjo agjenci u bë pjesë e administratës presidenciale dhe ka për detyrë forcimin “themeleve morale dhe shpirtërore të shoqërisë ruse” dhe përmirësimin e “politikave qeveritare në fushën e edukimit patriotik”. Duket si vijim i së kaluarës sovjetike, një lidhje me epokën sovjetike, që ka të bëjë me krenarinë kombëtare. Ideatorët e kësaj agjencie synojnë që të mbushin vakuumin ideologjik të krijuar nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe që të ripërtërijnë nocionin e patriotizmit, pjesë e ideologjisë sovjetike.

Pjesë e kësaj ideologjie shtetërore është gjithashtu ortodoksia. Në fakt, që në vitet e perandorisë dhe komunizmit, nacionalizmi dhe interpretimet e ortodoksisë kanë qenë parimet themelore të ideologjisë shtetërore të Rusisë, ndërsa kjo e fundit e ka shpallur veten si mbrojtëse e fesë ortodokse në rajonet rreth saj, ku synon influencë. Në këtë mënyrë, ortodoksia përdoret si fuqi e butë nga ana e Rusisë në përmbushjen e objektivave gjeopolitike, kryesisht në nivel rajonal, por edhe më gjerë deri në Ballkan. Për shumë analistë, hapësira ortodokse mishëron ekspansionizmin dhe ruajtjen e interesave të shtetit rus. Në këtë mënyrë, marrëdhënia mes kishës ortodokse dhe shtetit rus krijon një kornizë morale për zbatimin e politikës së jashtme ruse.

Kolona e tretë e Putinizmit është konservatorizmi social, që, teorikisht, është një grup konceptesh politike që kanë qëllim ruajtjen e qëndrimeve tradicionale. Në manifestin e partisë “Rusia e Bashkuar”, i titulluar “Rruga drejt suksesit kombëtar”, qëllimi i partisë është “bashkimi i forcave politike të vendit, duke synuar minimizimin e dallimeve mes të pasurve dhe të varfërve . . .  Ekonomia duhet të kombinojë rregulloret shtetërore me liritë e tregut, për përfitimin e shtresave të varfra . . .  Partia hedh poshtë ideologjitë e krahut të majtë e të djathtë, duke krijuar një centrizëm politik, për të bashkuar të gjitha seksionet e shoqërisë”. Në këtë kontekst, kjo parti e konsideron veten trashëgimtare të traditës ruse shtetformuese, si cariste ashtu edhe komuniste. Pavarësisht retorikës së theksuar, bazuar në votimet e viteve të fundit, zhvillimin ekonomik rusët ia atribuojnë “Rusisë së Bashkuar”.

Kapitalizmi shtetëror përshkruhet zakonisht si një sistem ekonomik, në të cilin aktiviteti ekonomik tregtar ndërmerret nga shteti. Pas gjashtëmbëdhjetë viteve të drejtimit të Putinit, në ditët e sotme, kontrolli shtetëror mbi ekonominë është më i madh sesa në vitet e para të periudhës postkomuniste. Përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik në duart e një njeriu ka sjellë një politikë të jashtme aktive, duke përdorur kryesisht energjinë si mjet diplomatik. Sanksionet e Perëndimit në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë, kanë shkaktuar stanjacion ekonomik. Megjithatë, sipas të dhënave të “Institutit për Ekonominë Ndërkombëtare”, ndërsa Europa Perëndimore ka probleme me rritjen ekonomike, Rusia nuk do të devijojë nga kapitalizmi shtetëror, pa pasur siguri se një model të ndryshëm ekomomik do të jetë i suksesshëm.

Së fundmi, kontrolli i medias nga shteti. Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul (deri më 2014) ka deklaruar se rritja ekonomike afatshkurtër “mbresëlënëse” e Rusisë ka ndodhur njëkohësisht me shkatërrimin e medias së lirë, kërcënimeve ndaj shoqërisë civile dhe korrupsionit në drejtësi. Në “Treguesin e Lirisë së Shtypit” (“Freedom Press Index”), më 2013, Rusia renditej në vend të 148-të nga 179 vende. Më 2015, “Freedom House” raportoi se situata e lirisë së medias në Rusi është përkeqësuar për shkak të miratimit të ligjeve të reja që kanë shtrirë tentakulat e kontrollit shtetëror.

* * *

Tani, Putinizmi nuk duket se është vetëm problem për demokracinë ruse. Ai ka infektuar vende të tjera me demokraci të brishta, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ku “putinët e vegjël” shfrytëzojnë kolonat e Putinzimit për kapital politik dhe ekonomik. Por edhe në rajone të tjera janë shfaqur forma të ngjashme të Putinizmit. Erdogani në Turqi, për shembull, ka devijuar nga axhenda reformuese drejt një frymë konservatore, islamike dhe nacionaliste. Shumë nga liderët e së djathtës ekstreme në Europë, Marie le Pen në Francë, Geert Wilders në Holandë apo Nigel Farage në Britani, kanë shfaqur haptas admirimin për Putinin dhe frymën që ai përfaqëson./Pedagog, UET/

 

Please follow and like us: