Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria, fuqi nukleare me bomba atomike amerikane!

Në vitin 1974 Sami Mecollari shefi i Shtabit të Përjithshëm të Ushtrisë Popullore i propozoi me shkrim Enver Hoxhës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Mbrojtes, që t’i kërkohej Kinës së madhe popullore, që në kuadrin e miqësisë së pathyeshme midis dy popujve tanë të mbështetur në parimet e M-L,  t’i jepte Shqipërisë një sasi prej 4-5 bombash atomike me fuqi të vogël. Nuk kemi ndeshur në dokumente të shkruara nëse Dulla ju drejtua shokëve kinezë me një kërkesë të tillë apo jo. Po ashtu për shkak të mos transparencës proverbiale të shtetit komunist kinez nuk dimë se si mund t’u jetë përgjigjur një kërkese të tillë Mareshali Je Jianying apo kryeministr Cu En lai (Zhou Enlai). Theksojmë se që në 1973 anëtari influent i Politbyrosë kineze Kan Shen ka qenë paraprakisht dakord, që Kina të pajiste me armë të dëmtimit në masë (WMD) ushtrinë shqiptare.

Armët atomike në Incirlik të Turqisë

Pas  rreth 42 vjetësh ka të ngjarë, që historia të përsëritet duke mundësuar vendosjen e armëve bërthamore në tokën shqiptare. Gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi, u rrezikua rënia në duart të padëshiruara të një sasie prej 20 deri më shumë se 50 bomba atomike tip B 61-12 të magazinuara në bazën ushtarako ajrore të Incirlikut. Gjatë tentativës për grusht shteti bazës iu pre furnizimi me energji elektrike nga rrjeti duke kompromentuar sigurinë e saj. Avionëve amerikanë ju ndalua ngritja dhe ulja në bazë. Pak ditë pas dështimit të grushtit të shtetit gjenerali komandues i kësaj baze Beqir Ercan Van (me origjinë shqiptare) u arrestua si pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti, sepse me urdhër të tij aviocisternat e bazës kishin furnizuar me karburant në ajër avionët e pucistëve, që ndër të tjera bombarduan edhe selinë e Parlamentit turk.  Deri te rrethimi me tel me gjemba i bazës u zhvilluan demostrata masive të zhurmshme nga militantët e Presidentit Erdogan. Të tilla demostrata, nëse nga të zhurmshme shndërrohen në të dhunshme, mund të kompromentojnë sigurinë e bazës dhe të bombave atomike të magazinuara në të.Akoma më shqetësuese bëhet situata, për faktin që baza e Incirlikut është vetëm rreth 100 km larg kufirit turko-sirian, gjë që shton rrezikun për kompromentimin e kësaj sasie bombash atomike. Për më shumë mund të konsultohet artikulli i “The Guardian”: https://ëëë.theguardian.com/us-neës/2016/jul/17/turkey-coup-attempt-raises-fears-over-safety-of-us-nuclear-stockpile

Në rast të një grushti shteti bis apo të turbullirave të rënda civile në Turqi kontigjenti i vogël ushtarak amerikan, në përbërje të të cilit më shumë se gjysma janë trupa teknike me vlerë të ulët luftarake, do ta ketë shumë të vështirë të mos lejojë rënien e këtij arsrnali bërthamor në duar të padëshiruara. Pikërisht për të shmangur një rrezik të tillë thuajse me përmasa apokaliptike amerikanët po marrin masa të përshpejtuara për transferimin e armëve të tilla jashtë Turqisë, por sa më afërt kufijve të ish Bashkimit Sovjetik, me qëllim që të tilla armë bërthamore të vazhdojnë të ruajnë kapcitetin e tyre frikësues kundrejt Rusisë putiniane me ambicje perandorake cariste.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të jashtme të Rumanisë e ka përgënjeshtruar lajmin, që ky arsenal bërthamor amerikan do të zhvendosej në bazën ushtarake ajrore të Deveselu-s (aeroport ushtarak, që në kohën e Causheskut), besohet se bisedime të tilla bilaterale janë kryer tashmë. Influenca ruse në Ruamani me sa duket vazhdon të jetë e qënësishme, kështu që destinacioni rumun për këto armë bërthamore është i pamundur.  Vwrejmë këtu se për Rusinë putiniane vendosja e armëve bërthamore amerikane në tokën e një ish sateliti sovjetik, qoftë edhe tekanjoz si Rumania e Causheskut të kujton vendosjen e raketave bërthamore të Krushovit në Kubë dhe përgjigjen me bllokadë detare të Presidentit Kenedi.  Për më shumë mund të konsultohet artikulli në: http://www.euractiv.com/section/global-europe/neës/us-moves-nuclear-ëeapons-from-turkey-to-romania/Meqenëse Bullgaria vend anëtar i NATO-s ka lidhje shumë të forta shpirtërore e njerëzore me Rusinë, vendosja e këtyre bombave atomike në Bullgari përjashtohet a priori.

Mbetet opsioni shqiptar.

Gazetarë perëndimorë të specializuar në cështjet e sigurisë me kontakte të gjera për sa i përket përhapjes së WMD-ve (Armëve të dëmtimit në masë) besojnë se tashmë kanë filluar bisedimet bilaterale në nivele të larta të administratës shqiptare me atë amerikane. Një ish aeroport ushtarak i ndërtuar gjatë periudhës së miqësisë shqiptaro-kineze, tashmë në gjendje konservimi (mothballed) mund të jetë mëse i përshtatshëm për magazinimin e këtyrë bombave bërthamore amerikane.

Dëgjimi i dy këmbanave

Me qëllimin e mirë për të zbatuar ‘kanunet’ e gazetarisë sidomos rregullin e dëgjimit të të dyja këmbanave ju drejtuam me shkrim Ambasadës Amerikane në Tiranë, për të pohuar, mohuar apo për të marrë një përgjigje të tipit “No Comment” përsa i përket mundësisë së transferimit të bombave atomike amerikane nga Turqia në Shqipëri. Që nga data 18 gusht, kur dërguam kërkesën e në vazhdim nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje. Nuk ju drejtuam për komente të mundshme përfaqësuesve të  Qeverisë Rama, sepse pas përvojës së hidhur të aferës së armëve kimike të Assadit, tashmë është “modus operandi” i kësaj qeverie për të punuar sipas parimit të faktit të kryer dhe fshehjes nga opinion publik sa më shumë të jetë e mundur të temave të tilla delikate.

Papërgjegjshëmria e administratës Rama.

Për Shqipërinë do të ishte fat i madh jo vetëm nga pikëpamja ushtarake por edhe nga ajo ekonomike (kujtojmë këtu përfitimet e jashtëzakonshme të Greqisë nga bazat amerikane në territorin grek), nëse këto armë bërthamore amerikane pakëz të vjetëruara (obsoleshente) do të vendoseshin në territorin shqiptar.

Fatkeqësisht meseleja e armëve kimike të Asadit tregoi se Qeveria Rama është si të thuash qeveri pa të ndenjura (më saktë i ka për të tjera punë ato të uruarat).Një qeveri e tillë premton pa doganë dhe e ha fjalën e dhënë pa pikë turpi. Pikërisht kësaj duhet t’i ndruhemi ne shqiptarët. Bombat atomike amerikane në territorin shqiptar do të jenë për Rusinë e Putinit dhe hyzmeqaren e saj ballkanike Serbinë si bezja e kuqe  për demin e ndërkryer. Normalisht që Rusia, Serbia e ndonjë shtet problematik i NATO-s do bëjnë cmos, që Amerika të dështojë në transferimin e këtij arsenali bërthamor në truallin shqiptar. Putini e di mirë edhe nga përvoja personale si Junior officer i KGB-së sesi në vitet 80-të GRU-ja dhe KGB-ja me mjeshtëri dhe eficencë organizuan kryesisht me llumin e vendeve të NATO-s protesta masive, të zhurmshme e të dhunshme kundra vendosjes së raketave bërthamore amerikane “Pershing II” në Europën Perëndimore. Ka shumë të ngjarë që “rezidentura” ruse dhe shqiptarë këlyshë denbabaden të BIA-s serbe të bëjnë demostrata të tilla të ngjashme në Tiranë. Fatkeqësisht, kur në Tiranë e në gjithë Shqipërinë fillojnë demostrata të tilla, qeveria Rama me “geisha” dhe “Samurajtë” e saj me syckat e lyera me rimel, thjesht zbythet dhe e lë në baltë partnerin, aleatin, mikun amerikan.

Le të shpresojmë, që Shqipëria e vogël anëtare e NATO-s të bëhet vend bërthamor duke magazinuar bujarisht këtë arsenal amerikan bombash atomike B 61-12. Një arsenal i tillë në truallin shqiptar është bekim për shqiptarët dhe cështjen e tyre kombëtare  në Ballkan. Le të shpresojmë, që SH.T. Kryeministri Rama krahas ekspozitave personale të pikturës dhe promovimit të “Kurbanit” të vet në Beograd, kësaj rradhe mos t’i bëjë “kurban” interesat e Shqipërisë për shkak të frikës së vet endemike nga protestat. Burrat e shtetit quhen të tillë se duhet të jenë më së pari vërtet burra. Le të lusim Zotin, që burrëria e SH.T. Kryeministrit Rama kësaj rradhe të mos jetë mision i pamundur!/GJERGJ THANASI

Please follow and like us: