Albspirit

Media/News/Publishing

Si do të ndryshojë Teatri i Operas dhe Baletit me 10 miliard lekë

CaptureMinistria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka akorduar plot 10 miliardë lekë të vjetra për restaurimin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Gazeta “Shqip” ka siguruar dokumentet e tenderit, që hedhin dritë mbi projektin e ministrisë së drejtuar nga Mirela Kumbaro. Tenderi vjen disa javë pas dorëheqjes së drejtorit të TOB, Ilir Kerni, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë version për këtë largim.

Megjithatë, nuk përjashtohet as konflikti që mund të ketë pasur Kerni me Kumbaron, pikërisht për këtë megatender, duke qenë se prokurues në këtë rast është ministria dhe jo Teatri i Operas dhe Baletit.
Sipas dokumenteve, TOB i ri duhet të ketë jo vetëm lidhje me qytetin por dhe me pjesën tjetër të botes. Duhet të funksionojë dhe të jetë i organizuar në mënyrë të tillë që të jetë modern, i pasur me ndriçim, i hapur, si dhe më e rëndësishmja, ë ketë një mirëfunksionim të gjithë objektit, e kundërta e gjendjes së sotme.
“Në këtë projekt jemi munduar të gjejmë një balancë midis elementeve që janë prezent në ditët e sotme: arkitekturën e vjetër, të shkuarën dhe materialet e veçanta që janë përdorur, midis ndryshimeve dhe transformimeve. Mund të themi që me konceptin dhe dizajnin e ri të përdorur Opera është kthyer në një objekt dinamik. Komunikimi ndërmjet hapësirave të shumëllojshme të eventve, atelieve dhe zyrave është qëllimi kyç. Hyrja kryesore, që bëhet duke ardhur nga sheshi Skëndërbej në hapësirën e kolonadave, është e pasur me ndriçim natyral, ku dhe përjetohet një eksperiencë e veçantë për spektatorët. Elementët strukturorë duket sikur zhduken, mobiljet të ngritura nga dyshemeja prej mermeri duket sikur qëndrojnë në ajër dhe ftojnë vizitorët të qëndrojnë aty, ndërkohë që drita depërton në kënde të ndryshme” thuhet në këto dokumente. Sipas tyre, tre hapësirat lidhëse manifestohen me një identitet të qartë: një garderobë e madhe dhe e mirë organizuar, bari i artistëve si dhe hyrja për në auditor me ndriçim elegant, ku një membranë betoni ngjyrë roze i jep hollit një tjetër karakter jo vetëm nga pikëpamja vizuale. Foyer‐i në katin e parë mund të shërbejë në të njëjtën kohë si një bar por dhe holl për koncerte dhe evente. Lidhja me hollin e hyrjes dhe me katin e dytë i jep operës goxha hapësirë. Në të njëjtin kat ndodhet dhoma VIP, e kufizuar nga panele xhami, ose e fshehur prapa një perde të trashë në raste të veçanta. Sipas projektit, projekti ka marrë në konsiderate statusin e ndërtesës së Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor si “Monument kulture i kategorisë së II”, dhe si e tillë fasada e objektit është trajtuar duke respektur fasadën origjinale. Ndërhyrjet që do të bëhen në fasada kanë të bëjnë me: zëvendësim i dritareve ekzistuese me dritare të reja akustike/ termike me të njëjtën formë, ngjyrë dhe dimensione si dritaret origjinale.
Larje totale e fasadës me ujë me presion, pastrim i grafiteve në fasadë me metode mekanike duke përdorur si fillim ujë dhe më pas pastrim me bisturi. Pastrim i pllakave të veshura me shtresë myku me metodë mekanike duke përdorur spray me dylyent. Lënda që do të përdoret për pastrimin e këtyre pllakave do të përcaktohet pas disa provave. Zëvendësim i pllakave të dëmtuara ose të thyera me pllaka të të njëjës natyre forme dhe ngjyrë. Nëse nuk gjendet në ditët e sotme pllaka të njëjta me origjinalen do të përdoret tip pllake e ngjashme me ekzistueset. Do të zëvendësohen kangjellat e ballkonit, tipi i të cilave do të jetë i njëjtë si në formë, ngjyrë dhe përmasa me kangjellat origjinale. Vendosja e rampave për PAK në hyrjen kryesore të personelit administrativ dhe në hyrjet jugore të objektit. Projekti propozon ndërhyrje në pjesën e oborrit të brendshëm të objektit. Kjo ndërhyrje vjen si domosdoshmëri e zhvillimit të ambientit teknik mekanik nëntokë, e cila do të mbulohet në pjesën e sipërme me zgarë metalike, për të bërë të mundur depërtimin e ajrit. Mbi këtë zgarë do të vendosen disa elementë dekorativ guri. Pranë hyrjes së ambientit teknik elektrik (nëntoke) niveli i terrenit ulet në mënyrë që fasada kryesore e këtij ambienti të jetë në dukje dhe të marrë ajër. Arritshmëria për e kësaj kuote do të bëhet nëpërmjet shkalleve të cilat shpërndajnë si në ambientin teknik elektrik edhe në ambientin elektrik të gjeneratorit. Në projekt propozohet spostimi me shumë kujdes i pemëve ekzistuese, pa i dëmtuar ato dhe zgjerimi i hapësirës së gjelbër. Në këtë mënyrë oborri nuk do të shërbejë më si një zonë parkimi, por një zonë rekreacioni, i cili nuk do të shërbejë vetëm për TOB por edhe për Bibliotekën Kombëtare dhe Pallatin e Kulturës.

Please follow and like us: