Albspirit

Media/News/Publishing

DO BËJMË GATI PËRRALLËN E RADHËS

sonaSonila Kapidani

Pjesa më e madhe e të rriturve të sotëm e kanë provuar në fëmijërinë e tyre të flenë gjumë duke dëgjuar përrallat apo tregimet e paragjumit.  Ndërsa në ditët e sotme për shumë prej fëmijëve ka humbur kjo marrëdhënie kaq e ngrohtë dhe njerëzore. Shkaqet janë të ndryshme: ”Sepse fëmijëve u duket shumë e vështirë të imagjinojnë nën tingullin e fjalëve të përrallave…kështu që mbajnë përpara gjumit aparatura që e lehtësojnë procesin e imagjinatës…ipad, iphone, etj etj” apo “Vallai këta tanët duan përralla e ne i tregojmë…po nuk duan nji mi shoqe, duan edhe nji edhe nji… vdiqëm!..”,  “Unë i lexova shumë djalit të madh e tani ai i lexon shumë të vëllait, kështu që misoni vazhdon.”, përgjigjet që kam marrë  nga Genti,  Alma dhe Rovena kur e shtrova pyetjen “A është zbehur aftësia e njerëzve për t’u lexuar/treguar përralla fëmijëve përpara gjumit?”, por edhe shumë përgjigje të tjera që nuk po i rendis të gjitha.

Ky është një episod i thjeshtë ditor i një familjeje me fëmijë, që më bën të mendoj për aftësitë e njerëzve për të prezantuar diçka përpara të tjerëve, që do të nxisë kureshtjen, rrisë dijen, nxisë imagjinatën dhe dëshirën për më shumë. Gjithçka nis me marrëdhëniet e thjeshta, që ndoshta ndikimin e atypëratyshëm e kanë të vogël në raport me marrëdhëniet në punë apo shoqëri, por efektin afatgjatë e kanë shumë të rëndësishëm e të padukshëm në momentin që ndodhin.

Një prind i përkushtuar, e merr vëmendjen e fëmijës dhe së bashku, mes zërit, mimikës dhe gjesteve, bëjnë një udhëtim imagjinar, prej të cilit të dy palët duhet të ndjehen të frymëzuar dhe motivuar. Po kështu duhet të ndodhtë me çdo prezantim në publik, sado i thjeshtë apo i shkurtër të jetë. Që të jetë i kënaqshëm një komunikim ka nevojë për disa pika të thjeshta por të rëndësishme, të cilat duhen pasur parasysh dhe stërvitur me përvojë të ditëpërditshme, nisur që nga tregimi i përrallave për të vënë fëmijët në gjumë, gjë që nga detyra e menjëhershme e të fjeturit, mund të shndërrohet në një aktivitet çlodhës dhe argëtues për të dy palët. Dita e prindit: e rrëmujshme, e lodhshme, me probleme të papritura që shtojnë ankthin dhe përgjegjësinë e nis që me daljen në parkimin e pallatit të cilit nuk i hapet trau pasi roja ka dalë të pijë kafen e mëngjesit, apo ecjes me biçikletë në një qytet ku edhe ato pak udhëza të shtruara për biçikletëdashësit përdoren nga këmbësorët që të shohin me inat kur i bie ziles, sepse janë aq pak sa funksioni i tyre nuk vërehet, deri te lajmet e përditshme “Kush konkuroi e kush fitoi në TOB”; “Frika nga tërmetet dhe përmbytjet pas tragjedisë në Itali”; “Muri i Teatrit të Gjilanit pa drejtor u gdhi me një grafit “Skum kunkuru!”; “A do të gjendet konsensusi me opozitën?”; “ Eksportet bujqësore ngecin me Kosovën, dyfishohen me Serbinë”; “Dështimi i Drejtësisë rikthen Kanunin. 6 të vrarë brenda 7 ditëve”; “Vazhdon lufta për rimbursim të fishave për diabetikët”, e të tjerë plot si këta tituj ankthiozë që veçse shtojnë shtrëngimin në gjoks dhe ngushtojnë ballin.  Rritet pasiguria dhe shqetësimi për të ardhmen çdo ditë, por përsëri në mbrëmje fëmijët kanë nevojë për të ndjerë zërin e prindit e ai zë duhet të përcjellë shpresë për të ardhmen, besim. Kështu, si fillim nevojitet frymëmarrjenxjerrje e paqtë, e cila ka siguruar që të gjitha hallet e ditës janë lënë jashtë dhome. Po kështu duhet të ndodhë edhe në një prezantim në publik. Fokusi duhet të jetë ai çast dhe ajo pikëtakimi.  Zëri që buron nga një frymëmarrje-nxjerrje e plotë duhet të përcjellë dashuri, siguri, maturi, përgjegjësi, pa u përpjekur të ndryshojë artificialisht timbrin, lartësinë, ngjyrimin apo dinamikën ritmike. Këto duhet të shkojnë në varësi të situatës që përcillet. E situata që përcillet qoftë reale apo fantastike duhet të përputhet më qasjen se jeta në botë është e vështirë, por e bukur, plot të papritura që duhen përballuar, pikëpyetje që janë nevojë për përgjigje, vdekjen si diçka natyrale e pakta e sigurt që dihet që në fillim dhe për këtë ia vlen të jetosh e të përpiqesh të krijosh lidhje njerëzore të forta në komunitet me qëllim që bashkëpunimi human të sjellë rezultate të mira jetese. Po, kjo është një sfidë mjaft e fortë, aq sa ndonjëherë të duket si ‘mision i pamundur”, por nëse kujtoj gjyshen e shkrimtarit Joze Saramago (që e quan “Udhëtim i Përkryer” rrugëtimin e tij në jetë), që flinte me derrkucët si të ishin fëmijët e saj, në fund të jetës nguli sytë tek yjet që i vërtiteshin mbi kokë dhe tha” Bota qenka kaq e bukur, sa më vjen keq që më duhet të vdes!” si një ngushëllim prej një bukurie të porsazbuluar, atëherë them se më pëlqen kjo sfidë ashtu siç i pëlqen edhe të tjerëve që jetojnë mbi këtë tokë ashtu si unë.  Nëse një tregim/prezantim/lexim, e paraqet si pamje të botës së përditshme të zakonshme në kontrast me një botë ideale, nëse krahasoni atë që është me atë se si mundet të jetë, atëherë, zëri si mjeti kryesor shprehës duhet të jetë natyral por i fuqishëm, diçka që vjen nga një frymëmarrje-nxjerrje e plotë dhe e përdorur mirë ekonomikisht, e paskëtaj të jetë në harmoni të plotë me gjestet dhe mimikën. Fjalitë duhet të vijnë si bashkime fjalësh që artikulohen të qarta, respektojnë theksat logjikë dhe psikologjikë, të përcillen me intonacionin e duhur, që ka si fillesë qasjen që përmenda më lart, edhe kur lartësia e zërit është e ulët për shkak të rrethanës që përcjell. Të gjitha këto dhe shumë të tjera teknika të përcjelljes së fjalës duhen përdorur që fëmijët në mbrëmje të nxisin imagjinatën e tyre përmes prezencës prindërore e jo mjeteve të teknologjisë e të ndjejnë se nuk janë  vetëm, që prindërit të gjejnë arsyet e përpjekjeve të tyre të përditshme tek trashëgimia duke kaluar çaste bashkimi dhe harmonie familjare, që këto momente të qeshura të jenë si stërvitje për të gjitha përballjet e ditës ku duhet përdorur estetika e komunikimit në mënyrë të atillë që të jetë e suksesshme qoftë për ata që japin mësim, qoftë për ata që shesin ide apo produkte, qoftë për ata që prezantojnë, ata që predikojnë, ata që bëjnë që të zhvillohen çdo ditë e më shumë përvojat  dobishme. Po shkoj edhe unë “të bëj gati përrallën e radhës”, sepse ora e kaloi mesnatën  e dita e re do hyjë fuqishëm me ngjarje të reja e të rëndësishme në qytetin plot të papritura dhe e ardhmja çdo ditë e më shumë nuk do dojë vetëm një….por më shumë se një përralla!Misioni vazhdon!

Please follow and like us: