Sot një javë, më 3 shtator 2016, Nënë Tereza do të jetë e shenjtë! Shenjtja e parë shqiptare, Shenjtja universale e kohëve moderne, që kremtohet në mbarë botën, ku vijon të jetojë dhe të mbrojë gjithë të varfërit! Në këtë datë në Vatikan do të zhvillohet një koncert madhështor në ndër të kësaj gruaje “të vogël”, me emra gjigant shqiptarë dhe botëror si: Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Genc Tukiçi, Rame Lahaj, Gëzim Myshketa, Elbenita Kajtazi. Por nuk do të mungojë edhe filarmonia dhe kori i Kosovës me dirigjentë si Bujar Llapaj, Baki Jashari prof. Rafet Rudi. Producente e këtij koncerti do të jetë Dijana Toska me menaxher Arber Prenaj nën patronazhin e Ipeshkëvisë së Kosovës.

Vlojnë përgatitjet, e jo në një fshat, qytet a komb, por kudo ngrihet një strehë e të mjerëve, vepër e Nënë Terezës. E, sidomos, thënë simbolikisht, në “tri vendlindjet e saj”: në Selinë e Shenjtë, vendlindje e shpirtit; në Indi, vendlindje e misionit; në  Shkup, Tiranë, Prizren, Gjakovë, në të gjitha trojet shqiptare: vendlindje e trupit dhe gjakut. Sa shumë vendlindje e vende misioni pati kjo Grua e Madhe, që rroku, me krahët e saj të brishtë, mbarë botën, duke e bërë kudo të prekshme Mëshirën Hyjnore. Papa Pali VI e quajti “mishërim mistik në të varfërin”; Gjon Pali II “ikonë e misionit në shekullin XX”; Benedikti XVI “dishepulle të vërtetë të Krishtit, shembull që tregon si duhet t’u shërbejmë të varfërve”; Françesku e propozon si model të veprave të mëshirës, në këtë Jubile.

Shtegtarët nga Kosova do të nisen drejt Romës. Ndërsa shqiptarët e diasporës po organizohen nga misionet  shqiptare katolike e do të nisen sipas programeve të tyre të veçanta, për t’u  bashkuar “në një komb” të vetëm, në Vatikan.

Folëm vetëm për kremtimet në Romë e ndër shqiptarë. Por nuk duhet harruar se mbarë bota – nga Lindja e largët – në të afërmën, nga viset më të humbura të Afrikës – në ato të Amerikës Latine, nga polet e ngrira – në ekuadorin e zjarrtë, nga lagjet e gërbulura të Kalkutës – në periferitë e harruara të botës perëndimore, po e kremtojnë shenjtërimin e Nënës sonë Terezë me një mori meshësh, festash, botimesh e veprash arti, ngritur në nderim të asaj që çoi Zotin, atje ku sundonte mjerimi më i zi! S’na mbetet tjetër, veçse të ecim në gjurmët e saj.

“HIMN PËR NËNË TEREZËN”

Vë Vatikan do te interpretohet edhe himni që i kushtohet Nënë Terezes kompozuar nga Genc Tukiçi, titulluar “Vals Hyjnor” në Bazilikën Papnore “San Paolo Fuori le Mura”, në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës. Himni do te interpretohet nga diva Inva Mula së bashku me orkestrën dhe korin e filarmonisë së Kosovës. Ky është një kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur të gazetares Dijana Toska që mundësoi qe Valsi Hyjnor të interpretohet ne Vatikan.