Albspirit

Media/News/Publishing

Rinegocimi si interes shtetëror

 Veton Surroi

Kosova, me rinegocim të suksesshëm që çon në marrëveshje me Malin e Zi, mund të tregohet si aktor më serioz në marrëdhënie ndërkombëtare e një pjekuri e këtillë nuk do mend se do të gjente përkrahje të mëtejme të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Përkrahësit e pavarësisë së Kosovës do të jenë më të kënaqur me pjekurinë e vendit, jo me kryerje të vazhdueshme të punëve që do të duhej t’i kryente vetë vendi.

1.
Çfarë humb Kosova nëse nuk votohet demarkacioni më 1 shtator?
Kjo është një pyetje që shtrohet në opinion publik, e së fundmi edhe nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e shohin gabimin (eventual) që e ka bërë Komisioni shtetëror i Kosovës (Komisioni Meha), por kanë frikën eventuale se duke mos votuar pro do të mund t’i bëjnë dëm vendit.

Përgjigja e saktë është se duhet definuar më mirë pyetjen.

Në fakt janë dy pyetje.

E para është se çfarë humb Kosova nëse nuk votohet versioni i demarkacionit i cili është produkt i punës së Komisionit Meha (me nënshkrimet e ish-ministrit Thaçi dhe vartësit të tij, ministrit Hyseni)?

Pyetja e dytë është se çfarë humb Kosova nëse refuzon ta bëjë fare demarkacionin me Malin e Zi, duke ia lënë këtë një pale tjetër (arbitrazhi, qoftë juridik në formën e Gjykatës, qoftë politik në formën e miqve ndërkombëtarë)?

2.
Përgjigjja pyetjes së dytë është e thjeshtë. Interesi i Kosovës do të dëmtohej në dy pika thelbësore. Fillimisht, vendi do të tregonte se nuk është i aftë të merret me çështje themelore siç është definimi i territorit të vet, por këtë duhet ta bëjnë gjithnjë të tjerët. Pastaj, vendi do të tregonte joseriozitet me një shtet fqinj me të cilin nuk ka probleme serioze, përkundrazi ka thellim të përhershëm marrëdhëniesh. Nëse vendi nuk tregon seriozitet me një fqinj me të cilin nuk ka probleme, është e qartë se sa serioz mund të jetë me një shtet me të cilin ka telashe, madje të gjitha telashet e mundshme, duke filluar nga mosnjohja e së drejtës së ekzistencës – siç është rasti me Serbinë.

Nxjerrja e demarkacionit në votim sipas versionit Meha e lë Kuvendin e Kosovës vetëm para një zgjidhje logjike: të votojë kundër ndërgjegjes së vet apo të miratojë një vendim me shpresë se këtë do ta përmirësojë disi Gjykata e Arbitrazhit. Kjo zgjidhje është një refuzim i plotë i idesë së demarkacionit, i cili duhet të jetë një akt i fqinjësisë së mirë, e jo akt imponimi, i perceptuar drejt a jo.
Një votim i këtillë shkon ndesh me interesin shtetëror të Kosovës.

3.
Përgjigjja pyetjes së parë është po ashtu e thjeshtë. Pyetja është se çfarë humb vendi, në interesin e vet shtetëror, nëse nuk e ratifikon versionin Meha?

Nuk humb gjë. Interesi i Kosovës është që Marrëveshja të rinegociohet në mënyrë që të krijohet një konsensus i brendshëm. Interesi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi është që demarkacioni të bëhet me pëlqim të të dy palëve, e pëlqimi i të dy palëve është i pamundshëm nëse brenda njërës palë nuk ekziston njëzëshmëria. Një rinegocim ka gjasa të prodhojë konsensus në Kosovë, pra edhe shndërrimin e demarkacionit në një hap të mëtejmë të thellimit të marrëdhënieve të mira me Malin e Zi.

Kosova, me rinegocim të suksesshëm që çon në marrëveshje me Malin e Zi, mund të tregohet si aktor më serioz në marrëdhënie ndërkombëtare e një pjekuri e këtillë nuk do mend se do të gjente përkrahje të mëtejme të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Përkrahësit e pavarësisë së Kosovës do të jenë më të kënaqur me pjekurinë e vendit, jo me kryerje të vazhdueshme të punëve që do të duhej t’i kryente vetë vendi.

4.
A është i mundur rinegocimi?
Natyrisht që po. Procedurat e miratimit të marrëveshjeve (ligjeve, kontratave) në demokraci janë të atilla që nënkuptojnë arritjen e legjitimitetit dhe legalitetit dhe përderisa të mos arrihet kjo pikë, i nënshtrohen riinterpretimit.

Në marrëdhëniet e Kosovës me Malin e Zi, për më tepër, zgjidhja e rinegocimit është shumëfish më e shëndoshë se sa ajo e refuzimit (duke e nxjerrë në votë, apo duke mbështetur shpresat në arbitrazh).

Dhe, për më tepër, nëse nuk qenka i mundur rinegocimi me Malin e Zi (sepse kështu mendon Qeveria e Kosovës, duke deklaruar se vija kufitare e vizatuar nga Komisioni Meha është e shenjtë), pra me një vend me të cilin kemi marrëdhënie miqësore, fare nuk do të jetë i mundur rinegocimi i Marrëveshjes së Brukselit me Serbinë, me një vend me të cilin ende nuk jemi afruar as te identifikimi i ndërsjellë si palë të barabarta shtetërore.

Rrjedhimisht, Kuvendi do të jetë i obliguar të miratojë çdo gjë, duke përfshirë edhe shkeljet e evidencuara të ligjit suprem, siç është evidencuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me rastin e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë hapa trashanikë të shkeljes së interesit shtetëror të Kosovës, si në procesin e arritjes së demarkacionit, ashtu edhe në tërë Marrëveshjen e Brukselit. Kuvendi i Kosovës nuk ka pse të vazhdojë me shkeljen e interesit shtetëror. Përkundrazi, ka forcën që këto shkelje t’i ndërpresë dhe t’i vërë në një rrugë konsensuale të pajtimit të brendshëm shtetëror.

Please follow and like us: