Albspirit

Media/News/Publishing

Shtohen thirrjet për mbylljen e Fondacionit Clinton

 

Fondacioni që nisën Hillary dhe Bill Clinton duhet të mbyllet, megjithë punën e mirë që ka bërë, shkruajnë sot dy gazeta të mëdha amerikane në editorialet e tyre.
“Fondacioni pa dyshim që bën një punë me vlerë. Mirëpo, nëse zonja Clinton fiton, atëhere e gjithë ajo punë si dhe pasuritë e fondacionit duhet të transferohen në zotërim të një organizate të re që nuk ka më asnjë lidhje me Familjen e Parë”, shkruan veç të tjerash “Washington Post”; një sentiment që bën jehonë edhe në editorialin e “USA Today” që thotë se vetëm mbyllja e kësaj bamirësie globale mund të fshijë dyshimet për etikën e kandidates presidenciale.
Që kur Hillary Clinton filloi fushatën e saj për presidente, media dhe kërkues të ndryshëm kanë shqyrtuar dokumentet dhe veprimtarinë e Fondacionit Clinton, duke ngritur dyshime të forta se shumë vendime të Departamentit të Shtetit, kur Hillary Clinton ishte Sekretare e Shtetit u ndikuan nga donatorë të huaj të fondacionit, përfshi edhe vende që shkelin të drejtat e njeriut apo që kanë interesa që bien ndesh me ato të Shteteve të Bashkuara.
Hillary Clinton ka qenë nën hetimin e FBI-së sepse ka përdorur një server privat gjatë kohës që ishte në krye të diplomacisë amerikane dhe ndonëse në përfundim nuk u padit për abuzim zyre, shumica e amerikanëve dyshojnë në etikën dhe sinqeritetin e saj.
“E vetmja mënyrë për eliminimin e erës së rëndë që nuhasim nga fondacioni është që ai të mbyllet ngadalë, duke nisur qysh sot, duke ia transferuar punën e tij të rëndësishme të bamirësisë, një organizate tjetër të madhe amerikane si për shembull Fondacionit Bill dhe Melinda Gates”, shkruan “USA Today”. .
Në fakt, ditën e hënë, Fondacioni bëri të ditur se do të ndryshonte emrin, do t’u jepte fund donacioneve nga jashtë vendit si dhe nga korporatat, ndërkohë që ish-Presidenti Bill Clinton do të jepte dorëheqjen nga bordi i tij.
Mirëpo, “The Washington Post” shkruan se këto veprime janë të vonuara dhe nuk mjaftojnë. Gazeta e njohur e kryeqytetit amerikan shkruan se këto masa duheshin marë që kur Hillary Clinton u bë Sekretare e Shtetit, në 2009.
Kuptohet që sulmin për etikën e fondacionit e udhëheq Donald Trump dhe mbështetësit e tij, të cilët shpresojnë se dyshimet për sjelljen e Hillary Clinton do t’i bëjën shumë amerikanë që në mos të votojnë për kandidatin republikan, të paktën të mos dalin fare në votime në 8 nëntor.
Fushata e kandidates Clinton këmbëngul se fondacioni ka pasur vetëm një synim të ndihmojë të varfërit në SHBA e në botë që të kenë një shërbim më të mirë shëndetësor, të shkojnë në shkolla dhe të jetojnë më mirë. Kjo sipas kësaj fushate është ndryshe nga pazaret e manjatit Trump që sipas tyre ka lidhje të dyshimta biznesi me njerëzit e Putinit në Rusi, me Kinën, firmat në Wall Street etj.
Në fakt, asnjëherë në historinë moderne të Amerikës nuk ka ndodhur që opinioni publik të ketë qenë kaq dyshues ndaj të dy kandidatëve presidencialë.
Sipas anketimeve, Clinton vazhdon gjithësesi të udhëheqë ndaj Donald Trump, sidomos në shtetet vendimtare për zgjedhjet presidenciale. Republikanët që mbështesin pronarin e pronave të patundshme nga Neë York-u shpresojnë se kjo mund të përmbyset deri në nëntor. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: