Albspirit

Media/News/Publishing

Të burgosurit e arsyes 

 

 

“Ky nuk është fundi i Evropës…..” do të deklaronte kryeministri italian Renzi gjatë Mini-Samitit me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Holond, të zhvilluar në Ventotene të Italisë.

Një vend i zgjedhur simbolikisht. Një ishull, që ka shërbyer në kohëra të ndryshme, si edhe gjatë  regjimit fashist, si burg për kundërshtarët politikë. Aty, ku vuajti edhe një pjesë të dënimit militanti komunist dhe gazetari, Altiero Spinelli, i dënuar me 16 vite dhe 8 muaj burg, për shkrimet e tij kritikuese mbi ardhjen në pushtet të Benito Musolinit. Dhjetë vite i kaloi në burg. Gjashtë të tjera  në izolim. Por, nuk pranoi kurrë të hiqte dorë nga idealet e tij dhe të pendohej, edhe kur i duhej të kërkonte mëshirë përpara Gjykatës. Teksa vuante me të burgosurit e tjerë, shndërrohet në mbrojtës të integrimit supranacional, duke përqafuar kauzën federaliste, i bindur se vetëm një lëvizje e gjerë evropiane federaliste mund të ndalte forcën shkatërruese të nacionalizmit. Idealist, por jo utopik. E njihte mirë realitetin dhe kërkonte të ndërtonte një realitet të ndryshëm, bazuar në bashkëpunim dhe paqe mes kombeve. Me ndihmën edhe të burgosurve të tjerë, do të fillonte të shkruante në fshehtësi mbi copëzat e vogla të letrave, që i shërbenin për të dredhur duhanin, Manifestin për Evropën e Lirë dhe të Bashkuar, i konsideruar nga historianët, si një prej teksteve themelorë të Federalizmit Evropian. I fshehur në një kuti me fund të dyfishtë, Manifesti arrin të dalë fshehurazi, duke u shpërndarë në qarqet militante dhe botuar ilegalisht.

Federalisti Spinelli, konsiderohet si një prej Etërve të Evropës, një prej nxitësve të projektit të traktatit për themelimin e Unionit Evropian, të prezantuar nga Parlamenti Evropian dhe i njohur nën emrin “Plani Spinelli”. Një projekt, që u miratua me një shumicë dërrmuese nga PE në vitin 1984 dhe u shndërrua në një burim frymëzimi të thellë për përforcimin e traktateve të BE, në vitet 1980-1990.

Janë një sërë personalitetesh evropiane, të vlerësuar si Etër të Evropës, për shkak të realizimit me sukses të projekteve të tyre, në kuadër të unifikimit evropian, Robert Shuman, Konrad Adenauer, Zhan Mone, Alcide de Gasperi, Pol Henri Spak, Pol Van Zeland, etj.

Por, ajo çka tërheq vëmendjen, në përshkrimin e tyre jetësor, janë një sërë karakteristikash të përbashkëta. Një përzierje racionale e idealizmit me pragmatizmin. Nuk ishin thjesht ëndërrimtarë, por projektonin ndërtimin e një Evrope, që do të mund të shmangte luftën, për të gjetur paqen e përhershme. Nuk ishin nacionalistë, por patriotë që kishin aftësi për të parë përtej kufijve të vendeve të tyre, duke synuar bashkimin e kombeve në Evropë. Robert Shuman, ishte i bindur se, pas luftës duheshin gjetur mënyrat për të unifikuar Evropën, duke kaluar detyrimisht nëpërmjet një pajtimi mes Francës dhe Gjermanisë; Konrad Adenauer, i bindur gjithashtu për integrimin evropian me Francën dhe Italinë, ndonëse me skepticizëm drejt Britanisë. Ëndërrimtar i bashkimit të Gjermanisë, pro që fatkeqësisht nuk arriti ta shikonte, pasi vdekja e mori në vitin 1967; Zhan Mone, një prej kontribuuesve themelorë të projektit evropian, dhe autor i Planit Shuman; Alcide de Gasperi, mbështetës i flaktë i projektit federal të integrimit evropian; Pol Henri Spak dhe Pol Van Zeland, dy personalitete belgë që morën peshë të madhe edhe pse vinin nga një vend shumë i vogël.

Të gjithë me një eksperiencë të fortë ndërkombëtare, ose kombëtare, duke drejtuar Ministritë e Jashtme (me përjashtim të Monesë) ose në krye të kabineteve qeveritare. Por, edhe të “familjarizuar” me anën e errët të regjimeve, burgun. Njohës të sindromës së shkatërrimit dhe të rindërtimit. Me përjashtim të Monesë, të gjithë do të njihnin eksperienca të rënda burgimi.

Robert Shuman, i burgosur tre vite nga Gestapo, duke arritur të arratiset në vitin 1942.

Konrad Adenauer, i arrestuar së bashku me bashkëshorten e tij. Traumat e shkaktuara gjatë periudhës së burgimit, nuk do ta braktisnin më, duke e shoqëruar përgjatë gjithë jetës.

Alice De Gasperi, i arrestuar përgjatë 4 viteve, së bashku me të shoqen, përpara fillimit të luftës nga regjimi fashist.

Pol Henri Spak, i burgosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Duke tentuar të kalonte kufirin belgo-holandez (1916) për t’iu bashkuar ushtrisë belge në Izer, arrestohet nga gjermanët dhe internohet në Gjermani.

Pol Van Zeland, i burgosur gjithashtu përgjatë Luftës së Madhe. I bashkohet frontit të luftimit në vitin 1914, më pas burgoset në kampet e zonës perëndimore të Gjermanisë.

Idealistë, revolucionarë në projektet e tyre, me eksperienca kombëtare dhe ndërkombëtare, rezistentë ndaj përndjekjeve dhe burgimeve, duke arritur të japin kontributet më të spikatur në ndërtimin evropian.

Në kërkim të paqes

Lufta e Dytë Botërore, do të ishte edhe periudha ku një sërë projektesh do të skicoheshin për Evropën e pas luftës. Pavarësisht, paqes që dukej ende e largët në horizont, dhe të një situate ku Gjermania naziste kishte kontrollin e thuajse tërësisë së kontinentit Evropian, një sërë personalitetesh, intelektualë, figura të njohura, anëtarë qeverie në ekzil, apo liderë politikë, aleatë kundër Aksit, ndërmarrin reflektime për Evropën e pas luftës. Një sërë planesh unifikimi rajonal, evropian, riorganizime gjeopolitike dhe krijim të strukturave institucionale dhe mekanizma të destinuar për të garantuar paqen, do të fillojnë të skicohen.

Fillimisht do të kemi planin për bashkim rajonal mes Britanisë dhe Francës. Synimi, do të ishte bashkimi kundër avancimit gjerman. Në vitin 1940, fillimi i fushatës në Francë, dhe suksesi i dukshëm i Blitzkrieg, i çon francezët dhe britanikët të planifikojnë krijimin e një Unioni mes tyre. Një zgjidhje në emergjencë, që nuk arriti dot të miratohej. Presidenti i Këshillit, Pol Rejnod, e ka të pamundur të bindë mbështetësit e armëpushimit Petan dhe Vegand që të vazhdojnë luftën. Dështimi i ushtrisë, arrin të bindë tërheqjen nga plani i Unionit, duke preferuar t’i lihej vendi Marshallit Petan, që kishte miratimin e Asamblesë për të ndaluar luftën dhe ti jepej fund luftimeve dhe eksodit.

Edhe qeveri të tjera në ekzil, synonin krijime të Unioneve, nëpërmjet një bashkimi ekonomik, ose politik, në nivel rajonal. Vendet e Beneluksit, vendosin projektin e Unionit të tyre doganor, i nënshkruar më 1944 dhe që filloi zbatimin e tij në vitin 1948. Qeveritë në ekzil greke dhe jugosllave, por edhe mes qeverive në ekzil polake dhe çekosllovake (Benes dhe Sikorski) parashikojnë Unione doganore apo Unione federale. Projekte, që do të dështojnë më pas, për shkak të dominimit dhe influencës sovjetike.

Projektet dhe skicimet janë të shumta edhe në nivel evropian.

Nga ana e ekzilantëve, do të synohej krijimi i unitetit evropian, si një zgjidhje për të bërë të mundur riorganizimin politik të Evropës së pas luftës, si një mënyrë për të ndaluar luftëra të mëtejshme. Propozimet ofrojnë modele, që shkojnë nga sistemi i përbashkët doganor, deri tek krijimi i një Unioni politik.

Në gjirin e rezistencës evropiane, një sërë intelektualësh, kërkojnë unifikim evropian për t’i dhënë fund luftërave. Federalistët antifashistë italianë, arrijnë të publikojnë në mënyrë klandestine Manifestin e Ventotenes në vitin 1941, që kishte si qëllim kryesor formimin e një Evrope të bashkuar,  që të shërbente si një kolonë e paqes botërore.

Edhe një sërë intelektualësh të vendeve aleate, do të ofronin propozimet e tyre, siç do të ishte rasti i federalistit amerikan Klerëns Strajt, që do të evokonte mundësinë e një unioni botëror, mbi bazën e një modeli federal, duke rigrupuar federatat e rajoneve të mëdha, i bazuar në aderimin e qytetarëve dhe jo vetëm të shteteve. Britaniku Lordi Lothian, do ta rimerrte këtë analizë, në debatin mbi krijimin e një Evrope të bashkuar.

Plani Morgenthau, i Sekretarit të Thesarit të Amerikës, synonte shpërbërjen e Gjermanisë si shtet unitar dhe fuqi industriale, duke synuar shndërrimin e saj, në një vend bujqësor. I miratuar nga Ruzvelti, në shtator 1944, por i kritikuar nga Çurçill, që shikon tek ky plan dobësimin e qendrës së Evropës, e lënë në atë kohë në mëshirë të sovjetikëve.

Por, shumica e projekteve të unifikimit evropian, u shtynë për më vonë, ose dështuan përkohësisht. Gjendja e pas luftës, shfaqej shumë problematike dhe një sërë çështjesh me karakter më emergjent po merrnin përparësi, si kthimi i refugjatëve, rivendosja e Shtetit të së Drejtës, dhënia fund riskut të urisë dhe të epidemive. Nga ana tjetër, çka kishte një karakter të rëndësishëm, ishte fakti se, një unitet evropian dukej i pamundur të synohej pa Gjermaninë, e privuar tashmë nga ekzistenca ndërkombëtare prej pushtimit të 1945.

Gjatë kësaj periudhe do të kemi dhe një aktivizim të spikatur të vendeve të “vogla”, të cilat shfaqnin tension përballë idesë së grupimit të vendeve të mëdha fituese, që mund të vendosin mbi fatin e pavarësisë së tyre. Rasti tipik, do të ishte ai i Belgjikës, që filloi të kërkonte influencë tek Fuqitë e Mëdha. Do të ishte Pol Henri Spak, (Komisioni i Studimeve të Problemeve të Pas Luftës), i bindur se Belgjika duhej të siguronte krijimin e një Unioni Rajonal, me fqinjët e saj Holandën dhe Luksemburgun. Shkëmbimi i lirë për një vend si Belgjika, ishte i nevojshëm për të siguruar tepricat e prodhimit të saj, shumë herë më të larta se, ç’mund të absorbonte tregu i brendshëm i saj. Belgjika, u jepte amerikanëve uraniumin që e siguronte nga kolonitë e saj (Kongo), për të siguruar mbajtjen e pavarësisë së saj. Rreth 60% të uraniumit të përdorur për fabrikimin e tre bombave të para nukleare amerikane, ajo e testuar më 16 korrik 1945 në shkretëtirën e Alamogordos (Meksika e Re), ajo e Hiroshimës dhe e Nagasakit në fillim të gushtit 1945, sipas specialistëve, vinin nga Kongo belge.

Pozicioni i Belgjikës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte i dyzuar mes pozicionimit për neutralitet që mbështeste Leopoldi i III, dhe vullnetit të Pol Henri Spak, për të marrë pozicionim. Në këtë periudhë, Spak flet për Evropën e bashkuar. Belgjika futet në periudhën e aleancave duke dhënë uraniumin e kolonive të saj. Për më tepër, në vitin 1944, BENELUKSI, shndërrohet në një lloj laboratori të Evropës me propozimin e Spak për ndërtimin e një Evrope me tre kate: rajonale, evropiane dhe universale. Në lidhje me Belgjikën, Aleatët imagjinonin projekte rikthimi në periudhën e përpara revolucionit belg të 1830, që solli pavarësinë e vendit, duke ribashkuar Belgjikën me Holandën, por edhe skicime, që kërkonin lidhjen e saj me Danimarkën.

Por, planet e shumtë, të propozuar përgjatë luftës nuk do të arrijnë dot të vihen në praktikë, apo të realizohen. Një pjesë e tyre u braktisën dhe projektet e afrimit të vendeve evropiane duhet të presin vitet 1950 dhe stabilizimin e situatës gjeopolitike dhe të brendshme të Evropës për të qene efektive.

Tre fituesit e mëdhenj të Luftës në konflikt

Britanikët përgjatë luftës, kanë shfaqur një mbështetje të qartë ndaj idesë së një Unioni Evropian, edhe pse nuk preferonin të ishin pjesëmarrës në të.

Por, projektet e Bashkimit Evropian, aq të dëshiruar për britanikët, nuk gjejnë të njëjtën klimë mirëpritëse nga Moska dhe Uashingtoni. Stalini, e shikonte këtë aleancë me të gjitha gjasat të kthehej kundër Bashkimit Sovjetik dhe e kundërshton kategorikisht vënien në jetë të një projekti të tillë. Nga pala amerikane, Ruzvelti, shfaqet gjithashtu i rezervuar, pasi kërkonte të mbante aleancën me sovjetikët. Dhe padyshim, që synonte dhe anonte më tepër nga një organizatë ndërkombëtare e dominuar nga fituesit dhe kryesisht në sytë e Amerikës, një Evropë e Bashkuar brenda këtij kuadri, do të shfaqej si një konkurrent i fuqishëm.

Situata do të ndryshojë vetëm me fillimin e Luftës së Ftohtë. Amerikanët fillojnë të inkurajojnë procesin e unifikimit evropian, pasi një Evropë Perëndimore e fortë dhe e bashkuar mund të përfaqësonte një bllok antikomunist, që do ta pengonte zgjerimin sovjetik drejt Perëndimit. Edhe për britanikët, ky Union rreth Francës dhe Gjermanisë do të siguronte një ekuilibër forcash në kontinent. Për më tepër, duke parë rrjedhën e ngjarjeve dhe “avancimin” sovjetik, shumë më të shpejtë se avancimi Perëndimor, nevoja për një Evropë të bashkuar, si kundërpeshë ndaj Unionit Sovjetik, shfaqej si prioritet i nevojshëm. Në atë kohë, Çurçilli, i frikësohej realisht Bashkimit Sovjetik, siç edhe e shfaq përgjatë fjalimit në Kolegjin Uestminster në Fulton të SHBA, 1946.

Pas shumë propozimesh dhe projektesh për shmangien e luftës dhe krijimin e paqes në kontinent, pragu i Luftës së Ftohtë i pozicionoi përfundimisht palët, në gjetjen e ekuilibrit për qëndrueshmëri dhe stabilitet të mëtejshëm. Nga ku kemi deklarimin e Planit Shuman (9 Maj 1950) i krijuar në fshehtësi të plotë nga Zhan Mone për të arritur suksesin e duhur në shpalljen e tij, pra ngjalljen e emocionit publik dhe mbi të gjitha shmangien e aktiviteteve të lobimit, që mund të krijoheshin me synim të influenconin mbi planin. Një bashkim mes 6 vendeve, që kishin aftësinë të shikonin përtej kufirit, interesin e këtij projekti ambicioz, për hedhjen e bazave të një bashkëpunimi të ngushtë, si një element i nevojshëm për shmangien e luftës dhe sigurimin e paqes në kontinent.

Please follow and like us: