Albspirit

Media/News/Publishing

Koncerti para shenjtërimit, flet organizatorja: Si morëm “Po”-në e Papa Françeskut për të hapur dyert e Vatikanit

“Në koncert do të bëhen bashkë artistët tanë që na kanë bërë të ndihemi krenar, gjithashtu pjesëmarrës do të jenë udhëheqësit rajonalë ,shqiptarë, kardinalë nga e gjithë bota”

 

Intervistoi: Irini Meçe

 

 

Humanistja shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel, pritet të shpallet e shenjtë më 4 shtator nga Papa Françesku. Një ditë para shenjtërimit, artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vise tjera të banuara me shqiptarë do të mbajnë një koncert në bazilikën e Shën Palit në Romë për të nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Artistët dhe organizatorët e koncertit e vlerësojnë këtë si një ngjarje me peshë mbarëkombëtare. Koncerti tashmë është drejt finalizimit dhe të gjithë të ftuarit kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Organizatorja e koncertit të shënjtërimit të Nënë Terezës në intervistë për gazetën ka bërë me dije se ndryshime planesh ka pasur për tenorin e mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu i cili për shkak të angazhimeve artistike nuk mund të jetë i pranishëm në koncert. Dueti i cili ishte planifikuar me këngëtaren kosovare Rita Ora për pasojë nuk do të zhvillohet, por Rita do të këndojë solo. Në këtë koncert ceremonial do të jenë pjesëmarrës udhëheqësit rajonalë, shqiptarë, kardinalë nga e gjithë bota. I gjithë organizimi i koncertit të Vatikanit është mbështetur financiarisht nga Qeveria e Kosovës dhe hyrja në koncert do të jetë falas por nevojitet paraprakisht të sigurohen bileta. Dijana Toska ka theksuar se kjo është një ngjarje pozitive dhe një datë historike për kombin shqiptar  në arenën ndërkombëtare.  Në intervistë  Dijana Toska ka folur me shumë rreth koncertit.

 

Edhe pak ditë larg na mbajnë nga shenjtërimi i Nënë Terezës që do mbahet në datën 4 shtator. Por një ditë para shenjtërimit, në datën 3 do të mbahet një koncert për Nënë Terezën në Vatikan. Si ka lindur ideja për të mbajtur këtë koncert?

 

Ideja ime ka lindur në dhjetorin e vitit 2014. Mua si fillim më ka lindur ideja për të bërë himnin e Nënë Terezës dhe vitin e kaluar mblodha një ekip artistësh  dhe përgatitëm himnin, e incizuam në Tiranë më 19 korrik të vitit të kaluar pastaj në datën 5 shtator në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë përuruam himnin . Unë jam shumë e lumtur që një ide e imja u realizua , pavarësisht se ka qënë një rrugë e gjatë me mundime, por me ndërmjetësime ia kemi dalë. Dua të theksoj se ishte himni i Nënës Terezës ai që na hapi dyert në Vatikan sepse kur është dëgjuar nga Papa Françesku apo kardinalë të tjerë, ata e pëlqyen himnin, dhe mesazhet që përcjell. Fjalët e himnit janë poezia e Nënës Terezë që ajo e ka shkruar në vitin 1928 në rrugën kur është nisur nga Irlanda për në Indi, për në Kalkutë dhe në anije ajo ka shkruar poezinë e saj “Lamtumirë”, kur ndahet nga familja, nga atdheu dhe përpiqet që të jetë e fuqishme. Aty shihet në fakt dhe sesa e pjekur ishte Nënë Tereza edhe pse një vajzë shumë e re në atë kohë, por e vendosur për të kryer misionin, misionin e paqes dhe t’i dhurohet dhe dedikohet bamirësisë që në moshën 18 vjeçare. Prandaj sigurisht që kjo poezi është shkruar nga dora e saj në gjuhën shqipe në moshën 18 vjeçare, ka bërë përshtypje edhe në Vatikan dhe unë mendoj që Papa Françesku dhe ekipi atje kanë vendosur që ta nderojnë kombin shqiptar, kombin e Nënës Terezë dhe të na lejonin që në datën 3 shtator që të mblidheshim që t’i këndojmë dhe paraprijmë shenjtërimit të Nënë Terezës. Është një fitore tejet e madhe, është një datë historike e papërsëritshme në historinë e kombit shqiptar. Është një fitore shumë e madhe sepse ne kemi vërtet yje, artistë me famë botërore që kanë arritur në skena të ndryshme në botë, por asnjëherë nuk kanë arritur që të mblidhen dhe të jenë bashkë. Dhe kjo është një sukses shumë i madh që kemi arritur këtë herë që të krijojmë një rreth të fuqishëm dhe të mbledhim artistët tanë me famë botërore të bëhen bashkë të gjithë.

 

A mund të na jepni një panoramë të shkurtër rreth koncertit dhe detaje nëse mundeni  t’i zbuloni?

 

Siç dihet koncerti mbahen në Bazilikën e Shën Palit në Romë. Koncerti fillon në orën 19:30 dhe zgjat 90 minuta. Është në transmetim të drejtpërdrejtë nga Televatikani, Radio Vatikani, Eurovisioni e transmeton, do ta përcjellin të gjitha televizionet katolike në gjithë botën. Ekskluzivitetin në Shqipëri për sa i përket transmetimit e ka Top Channel,Televizioni i Kosovës në Kosovë dhe TV21 në Maqedoni. Edhe shumë televizione nga vende të tjera kanë shprehur interes për ta transmetuar. Do të jenë udhëheqësit rajonalë ,shqiptarë, kardinalë nga e gjithë bota. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumica prej tyre. Mendoj që më shumë është një ngjarje sesa një koncert.

 

Hyrja në koncert do të jetë falas?

 

Po hyrja për në koncertin e shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë falas, gjithashtu transmetimet i kemi bërë falas . Edhe pse ne do i paguajmë të gjitha transmetimet, të gjitha mediumet, në mënyrë se koncerti është humanitar.

 

Por a nevojiten  të sigurohen biletat?

 

Po duhet të sigurohen bileta sepse nevojiten duke qënë se do të ketë shumë njerëz.

 

Në koncert do te marrin pjesë  kompozitorë të mëdhenj të operës si dhe emra shqiptarësh më në zë. Si është bërë përzgjedhja për këta të ftuar në koncert?

 

Unë kam ndjekur një filozofi për përzgjedhjen e të ftuarve. Ata njerëz që na kanë përfaqësuar në botë, që na kanë bërë krenar, që të na rrënqethet trupi, unë kam dashur që t’i respektoj dhe t’i ftoj t’i bëj pjesë të koncertit. Koncertin dhe përzgjedhjen e të ftuarve e kam bërë vet. Diku në fund të marsit dhe në fillim të prillit i kam kontaktuar të gjithë këta artistë, solistë, recitues dhe jam shumë e lumtur që të gjithë kanë pranuar ftesën për në koncert pa kushte dhe kanë shprehur kënaqësinë që do të jenë pjesë e koncertit. Përveç Saimir Pirgut që nuk mund të jetë prezent në koncert pasi është në Tokio në datën 2 shtator dhe e ka të vështirë që të mbërrijë në Vatikan dhe dueti që ai kishte me Rita Orën nuk do të realizohet dhe Rita do të këndojë solo në koncert.

 

Sa kohë keni që merreni me përgatitjen koncertit?

 

Që prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar, pra viti 2015 kam patur sinjalin e parë nga Vatikani dhe konfirmimin që ky koncert do të lejohet. Pastaj vendosa që Bujar Llapaj ta emëroj si drejtori n artisik të koncertit nga përvoja që kisha me të, si dhe duke parë autoritetin e tij të pakontestueshëm që kishte në mesin e orkestratëve dhe respektin që kishte nga solistët. Prandaj vendosa që ai të jetë drejtori artistik i koncertit të shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Pra në 14 dhejtor të 2015 e kam filluar punën me Bujar Llapën dhe pastaj kemi filluar të kontaktojmë artistët, solistët e kështu me rradhë për të krijuar ekipin për koncertin që do të mbajmë.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja rreth koncertit?

 

Unë mendoj që do të dal një natë magjike dhe e madhërishme Do të jetë një program, një koncert spiritual por me nota kombëtare shqiptare, kështu që unë mendoj që të gjithë do të dalim të kënaqur nga ky koncert. Do të kemi një reklamë më të madhe që kombi shqiptar mund ta përjetojë në një natë ara shenjtërimit .Pritshmëritë e mija janë në këtë kuptin, një ngjarje pozitive për kombin shqiptar, në arenën ndërkombëtare sepse bija jonë po shenjtërohet dhe ne bijtë e saj po arrijmë ta bëjnë shenjtërimin e saj në gjuhën shqipe. Kjo është bekimi i Zotit, ne si komb jemi të bekuar që na u bë e mundur koncerti dhe shenjtërimi i Nënës Terezë.

Please follow and like us: