Albspirit

Media/News/Publishing

2013, mozaiku romak i Kosovës

mozaiku 1Një mozaik shumëngjyrësh i periudhës romake është zbuluar në fshatin Dresnik, të komunës Klinë në veriperëndim të Kosovës. Sipas Euronews, Mozaiku konsiderohet një nga gjetjet më të rëndësishme në Kosovë në katër dekadat e fundit. Gërmimet nisën në shtator të vitit 2012, nën drejtimin e arkeologut Masar Valla i cili beson se zona arkeologjike shtrihet në një sipërfaqe prej 50 ha.

“Vitin e kaluar bëmë disa gërmime paraprake në zonë dhe gjetëm një pjesë të mozaikut. Këtë vit kemi pasur rezultate të mira. Kemi gjetur katër hapësira, të gjitha të mbuluara me mozaikë. Këta mozaikë i përkasin epokës romake dhe datojnë nga shekulli i dytë ose i tretë. Mendojmë se duhet të ketë qenë një ndërtesë publike ose ndonjë vilë qytetëse”, thotë arkeologu Valla.

Deri tani arkeologët kanë mundur të hapin 200 metra katrorë, që mendohet se është kati përdhes i ndërtesës. Arkeologu Valla shprehet mjaft entuziast për zbulimin, i cili sipas tij ka për të nxjerrë në dritë thesare të tjera në vijim të gërmimeve në tetor.

Sladja Smigic është pronare e tokës ku po bëhen gërmimet dhe ka jetuar aty gjithë jetën e saj.

“Kur babai im ishte ende gjallë para 30 vjetësh, ai thoshte se nën truallin tonë ndodhet një qytet i lashtë. Në fakt ne kurrë nuk e punuam këtë tokë”, thotë ajo.

Mendohet se objekti ndodhet në rrugën e vjetër romake ‘Via Lissus-Naissus’ që lidhte qytetin e Lezhës me Nishin në Serbi, thotë arkeologu Masar Valla.

Please follow and like us: