Albspirit

Media/News/Publishing

Firmoset gazsjellësi Adriatiko-Jonian, Shqipëria pjesë e memorandumit

TAPGazsjellësi adriatiko-jonian, i gjatë 516 kilometra, nga Fieri në Kroaci, do të ndërtohet nga kompania azere, Socar. Memorandumi mes Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës është firmosur gjatë punimeve të forumit të Kroacisë, që u zhvillua në datat 25 dhe 26 gusht, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të TAP. Ky gazsjellës ka si objektiv primar transportin e 5 miliardë metrave kub gaz çdo vit, nga Azerbaixhani në vendet e Europës jug-lindore. Memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar nga katër vendet me kompaninë azere të gazit, Socar, ku për palën shqiptare, nënshkroi zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja.

Ky projekt ka si synim të lidhë gazsjellësin trans-Adriatik me rrjetin qendror europian të gazit. Marrëveshja paraprake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi është arritur që në vitin 2007. Projekti që synon të ndërtojë një rrjet të gjerë gazi nga Fieri deri në Split të Kroacisë do të ketë një kosto totale prej 610 milionë eurosh. Ministri kroat i ekonomisë, Tomislav Panenic deklaroi se, shpreson që ky projekt të përfaqësojë një urë të re lidhëse mes veriut dhe jugut. Qeveria kroate do të investojë 265 milionë euro në këtë projekt.

250 kilometra nga ky gazsjellës do të kalojnë pikërisht përmes Kroacisë, ndërkohë që 167 kilometra do të ndërtohen në Shqipëri dhe 94 në mal të Zi. Bosnje Hercegovina do të përfshihet vetëm nëpërmjet portit që zotëron në Adriatik. Nëpërmjet një njoftimi, gazsjellësi Trans-Adriatik, i njohur ndryshe si TAP, përgëzon arritjen e marrëveshjes mes katër vendeve dhe kompanisë Socar. “Memorandumi i mirëkuptimit forcon bashkëpunim energjetik në vendet e Europës jugore si dhe është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë energjetike dhe diversifikimit në rajon. TAP mbetet i përkushtuar në lehtësimin e lidhjeve në infrastrukturën e gazit në rajon, përfshirë gazsjellësin adriatiko-jonian”, thuhet në njoftimin e TAP.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020. Struktura aksionare e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Please follow and like us: