Albspirit

Media/News/Publishing

Kili urdhëron hapjen e varrit të Nerudës

Një gjykatës në Kili urdhëroi zhvarrosjen e eshtrave të poetit të famshëm Pablo Neruda, si pjesë e një hetimi mbi vdekjen e tij më 1973. Poeti majtist fitues i çmimit “Nobel” dhe i njohur mes të tjerave për poezitë që ka bërë për Shqipërinë, të cilën e besonte si parajsë komuniste, vdiq 12 ditë pas një grushti ushtarak shteti që rrëzoi nga pushteti presidentin Salvador Allende dhe vendosi gjeneralin Augusto Pinochet.

Familja e poetit ka besuar prej shumë kohësh se ai vdiq në një spital në Santiago nga kanceri i prostatës në moshën 69-vjeçare. Por Kili hapi hetime në vitin 2011 mbi dyshimet se ai mund të jetë helmuar. Data e zhvarrimit nuk është përcaktuar ende.

Poeti është varrosur pranë bashkëshortes së tij Matilde Urrutia në Isla Negra, 120 kilometra në perëndim të kryeqytetit Santiago. Neruda ishte një komunist dhe një mik i presidentit Salvador Allende. Por fondacioni që kujdeset për trashëgiminë e tij beson gjithsesi se Neruda vdiq nga kanceri.

Hetimi u hap pasi ish-shoferi i Nerudës tha se agjentët i kanë injektuar poetit helm gjatë kujdesit në klinikë me urdhër të gjeneralit Pinochet.

Neruda ishte një kritik i ashpër i grushtit të shtetit, të cilin e shihte si një tradhti të vendit të tij. Vdekja e tij nuk është e vetmja e rihetuar. Në vitin 2011, varri i presidentit Allende u hap për të konfirmuar se ai kishte kryer vetëvrasje dhe nuk ishte vrarë nga ushtarët që pushtuan pallatin presidencial gjatë grushtit të shtetit.

Please follow and like us: