Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia ndalon buzëkuqin mes stjuardesave

Laikët reagojnë me zemërim nga frika se vendi po bëhet gjithnjë e më shumë islamik në sjellje 

Living Legends Of Aviation AwardsKompania ajrore kombëtare e Turqisë urdhëroi stjuardesat e saj të mos përdorin buzëkuq dhe të mos i zbukurojnë thonjtë, duke shkaktuar reagim të ashpër nga turqit laikë, të cilët janë të shqetësuar për faktin se vendi po bëhet më islamik.

“Turkish Airlines”, kompania e katërt më e madhe në Europë, deklaroi se ndalimi është urdhëruar për t’i mbajtur stjuardesat në gjendje më natyrale, pasi kjo gjë përmirëson komunikimin me pasagjerët.

“Uniformat tona të reja nuk përfshijnë të kuqen, rozën e errët etj., dhe për rrjedhojë, përdorimi i buzëkuqit dhe i këtyre ngjyrave te thonjtë dëmton integritetin vizual”, deklaroi kompania pa dhënë komente të tjera.

Ky udhëzim vjen pas disa kufizimeve të tjera në paraqitjen e jashtme të punonjësve apo në shërbimin e pijeve alkoolike. Kritikët thonë se këto masa janë rrjedhojë e ndikimit të vlerave konservatore fetare të qeverisë në kompaninë ajrore nën kontrollin e qeverisë.

“Udhëzimet e reja i përkasin vetëm synimit të menaxherëve të “Turkish Airlines” për t’i dhënë kompanisë pamjen e përshtatshme politike dhe ideologjike”, thotë Atilay Aycin, president i sindikatës së punëtorëve të kompanisë.

“Askush nuk mund ta mohojë se Turqia është bërë më konservatore dhe fetare”, shtoi ai. Turqia është 99 për qind myslimane, por një vend anëtar në NATO dhe një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Turqia ka një Kushtetutë laike dhe një traditë të fortë laike.

Qeveria e Kryeministrit Tayyip Erdogan, i cili vjen nga një parti me rrënjë në një parti të ndaluar islamike, ka lehtësuar kufizimet shtetërore mbi shprehjen publike të religjionit. Turqia pati ndaluar për shumë dekada mbajtjen e mbulesës së flokëve dhe fytyrës nga gratë në publik, një ndalesë që sugjerohej se do të ndihmonte të drejtat e grave, por që në fakt ndaloi shumë gra nga frekuentimi i universiteteve apo mbajtja e punëve publike.

Kompania ajrore e hoqi ndalimin e mbulesës së flokëve një vit më parë dhe mbuloi gratë që shërbejnë nëpër aeroporte. Kompania u tall nga media më herët këtë vit kur u mësua se kishte një plan për të veshur stjuardesat me veshje të kohës otomane. Kompania duket se e ka braktisur këtë plan pas reagimit publik. Më vonë, Turkish ndaloi shërbimin e pijeve alkoolike në shumicën e fluturimeve të brendshme dhe në disa destinacione në vende islamike.

“Ata po kundërshtojnë buzëkuqin dhe bojën e thonjve, të cilat ne i kemi përdorur për shumë vite”, tha Asli Gokmen, 30 vjeç, stjuardesë që humbi vendin e punës bashkë me 300 të tjera një vit më parë pas protestave sindikaliste.

Në mediat sociale gratë protestuan duke publikuar fotografi të veta me buzëkuq. Njëra prej tyre shkroi: “Pse të mos ndalojmë edhe stjuardesat në tërësi në mënyrë që të çlirohemi?”

Please follow and like us: