Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Ekonomia e vendit vazhdon të tkurret e të dobësohet

Lulzim BashaKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur nëpërmjet në postimi në Facebook se ekonomia e vendit po pëson tkurrje. Sipas tij, shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmuan se kreditimi i ekonomisë në korrik 2016 ra 0.3% krahasuar me një vit më parë.

“Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmuan se kreditimi i ekonomisë në korrik 2016 ra 0.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo ka ardhur si pasojë e uljes me 1.7% të kreditimit për bizneset. Krahasuar me një vit me parë, por edhe nga muaji në muaj situata vjen në përkeqësim. Gjatë muajit korrik kreditimi ra me 0.5%,  krahasuar me muajin qershor dhe kjo si pasojë e uljes me 1.2% të kreditimit të bizneseve.

Rënia e kreditimit do të thotë rënie e investimeve, më pak vende pune, më pak konsum, më pak prodhim. Të gjitha shenja se ekonomia dhe biznesi kanë hyrë në ciklin e zi të krizës së madhe. Vetëm në muajt maj dhe qershor 4 mijë biznese ndaluan aktivitetin. Rënia e kreditimit është sinjali më i fortë i mosbesimit dhe panikut që ka mbërthyer ekonominë e biznesin.

Ekonomia dhe biznesi sigurisht do të njohin rënie e zvogëlim, sepse duhet të përballojnë dy realitete të paligjshme, ekonominë e biznesin e korrupsionit qeveritar dhe ekonominë e biznesin e drogës. Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt falimentimit sepse të gjithë tenderët, koncesionet, pasuritë e paratë e shqiptarëve i marrin një grusht oligarkësh, që janë fitues të paracaktuar si miq të Edi Ramës.

Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt mbylljes së qepenave e në vend të tyre lulëzon biznesi i bandave të drogës të cilët fitojnë miliona euro çdo muaj në mënyrë të paligjshme dhe kanë licencën e Edi Ramës në këmbim të taksës 30 % për çdo rrënjë.

Edi Rama vazhdon të krihet para kamerave, ndërkohë që ekonomia e biznesi i vendit po shkrumbohen.

Dje foli për arritjen e madhe, se ka dërguar ujë për vaditje atje ku nuk shkonte prej 20 vitesh. Po është e vërtetë, është uji që shkon për të vaditur parcelat me drogë, në vende ku nuk ishte parë e dëgjuar në këto 20 vite. Peshkopia ka dy ditë pa ujë. Po kështu dhjetëra qytete e mijëra fshatra anembanë vendit.

Ky realitet i ka bërë shqiptarët më të vetëdijshëm se kurrë për keqqeverisjen, për krimin e korrupsionin. Ka rrugëdalje, ka shprese, ka zgjidhje. Largimi i të keqes që ka kapur peng vendin është hapi i parë”, shkruan Basha.

Please follow and like us: