Albspirit

Media/News/Publishing

Bill Klintoni dhe Aleksandër Hamiltoni, ngjashmëri dhe kontrast

Bill Klintoni dhe Aleksandër Hamiltoni, ngjashmëri dhe kontrast

Nga Albana M. Lifschin

Gjate kohës se presidencës se Bill Klintonit një gazetar i “Neësëeek” tha se Billi kishte një personalitet të dubluar: njëri ishte Klintoni që ndjente dhimbjen e vendit dhe shëronte atë, dhe tjetri- Klintoni i shkujdesur e adoleshent. Vetë Bill Klintoni në një rast ka thënë: “Kur isha 16 vjeç sillesha sikur të isha 40. Kur u bëra 40, ndonjëherë sillesha sikur të isha 16 vjeç”. Ky personalitet i dubluar më kujtoi nga historia Aleksandër Hamiltonin.

Aleksandër Hamiltoni, ndër themeluesit me te shquar të shtetit amerikan, i vlerësuar si “babai i kushtetutës amerikane”, sekretari i pare i thesarit i SHBA, mbetet njëkohësisht edhe një nga figurat më komplekse për shkak të personalitetit të tij kontradiktor. Ai mbërthente në vetvete zgjuarsinë, prakticitetin, kokëfortësinë,dhe marrëzinë e romantizmit që e la të dashuruar gjithë jetën. Trazirat i vinin vetëm nga jeta e tij private. Edhe fundi i jetës se tij erdhi nga dueli, një zgjidhje qe ai me kokëfortësi e pranoi, por para se të shkarkonte plumbin e parë, u pendua duke e ditur që këtë konflikt me armikun e tij politik Aron Burr mund ta zgjidhte në mënyrë tjetër pa rrezikuar jetën. Por qe vone.

Një rast nga jeta e Aleksander Hamiltonit

Në vitin 1791 ai ishte në marrëdhënie intime me një grua të martuar e cila quhej Maria Rejnolds. I shoqi i saj e kërcënoi Hamiltonin se do t’i nxirrte sekretin botërisht dhe kështu Aleksandër Hamiltoni u detyrua t’i mbyllte gojën duke i dhënë 1100 dollarë për të varrosur sekretin.

Megjithatë thashethemet e ndoqën e madje u bënë edhe më kritike duke aluduar se Hamiltoni ishte futur në transaksione financiare ilegale me Rejnolds.

Në 1797, gazetari Xhejms Kellëndër e solli prapë këtë subjekt në shtypin e kohës dhe atëherë Hamiltoni shkroi një pamflet ku pranonte se “i vetmi krim i imi është se kam qenë në marrëdhënie dashurore me gruan e tij” duke hedhur poshtë çdo aludim tjetër.

Hamiltoni preferonte më mirë ta quanin një gënjeshtar seksual, se hajdut financiar.

Please follow and like us: