Albspirit

Media/News/Publishing

Toni Dovolani shkëputet nga “Dancing with the Stars”, pas 21 sezonesh

 

Valltari i shquar profesionist shqiptaro-amerikan, Tony Dovolani i ka dhënë fund pjesëmarrjes së tij në emisionin shumë të ndjekur televiziv amerikan, Vallëzim me Yjet (Dancing with the Stars)
Njoftimin e ka dhënë vetë Tony me Instagram, ku ka njoftuar se ka ndërmend të shpenzojë më shumë kohë me familjen e tij dhe të vizitojë adhuruesit e Vallëzimit me Yjet, anembanë Amerikës.
Ai ka edhe një numër projektesh pune të cilave dëshiron t’u kushtojë më shumë kohë si studiot e tij të vallëzimit, “Dance with Me” (Vallëzo me Mua) që janë hapur tashmë në disa qytete.
Valltari i njohur, disa herë kampion në SHBA dhe në botë për vallëzimin profesionist, ka themeluar edhe Fondacionin Tony Dovolani, të cilin synon që të përforcojë dhe t’ia zgjerojë veprimtarinë.
I lindur në Kosovë, ai është tashmë 43 vjeçar dhe ka fituar zemrat e shumë adhuruesve të vallëzimit gjatë punës së tij, më shumë se një dekadë në emisionin që ndiqet nga miliona amerikanë në ABC.

Ishte tipike që Tony merrte si partnere në konkursin e famshëm, yje që ishin në moshë të madhe dhe pa përvojë vallëzimi e formë fizike. Suksesi me to ia rriti shumë famën, por “e dënoi” që të mos dilte fitues si çift. Ai arriti gjithësesi fitoren më të madhe në Sezonin e Të Gjithë Yjeve, kur me Melissa Rycroft zuri vendin e parë. Tony u bë për herë të parë shumë i dashur për telespektatorët kur zuri vendin e 3 me Stacy Keibler.
Tony ka marrë pjesë edhe në shumë veprimtari të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në vitin 2007, vizitoi gazetën ku dhuroi si suvenir, këmishën e qendisur kuqezi, me të cilën kishte vallëzuar në emisionin e drejtpërdrejtë, përpara më shumë se 20 milionë teleshikuesve në SHBA, duke entuziasmuar shqiptarët e Amerikës.
Në njoftimin e largimit, ai i uroi sukses Vallëzimit me Yjet dhe e quajti ekipin e punës atje, si familjen e tij të dytë. (Ruben Avxhiu)

 

Please follow and like us: